VOLEJ FEMRA/ Triumf në Farkë, Skënderbeu i tregon forcën Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2024 | 13:45

VOLEJ FEMRA/ Triumf në Farkë, Skënderbeu i tregon forcën Dinamos

Me ndeshjen ndërmjet Dinamos dhe Skënderbeut në Farkë, ka ngritur dje siparin java e dytë e Superligës së volejbollit për femra. Korçaret e Orlando Kojës dolën me 3 pikë nga kjo përballje duke marrë momentalisht kreun e renditjes, ndërsa kryeqytetaset regjistruan humbjen e parë sezonale.458947539_563719059320177_3086891968318429293_n

NDESHJA Ekipet zbritën në parket në një sallë të boshatisur, ndërsa kampionet në fuqi treguan menjëherë muskujt, duke komanduar tërësisht në setin e parë. Kualiteti, eksperienca dhe organizimi i mikeve bënë menjëherë diferencën, ndërsa Dinamo e kishte të vështirë që ti përgjigjej të njëjtit ritëm loje. Kështu seti i parë u mbyll me fitoren e Skënderbeut në shifra të thella 9-25 me pikën finale nga Irsa Metanj. Por në setin e dytë vajzat blu të trajnerit italian Michelangelo Maggialetti, rriten ndjeshëm në lojën e tyre, madje duke kryesuar në pjesën më të madhe të kohës.

Por në fund korçaret reaguan dhe përmbysën, teksa pas pikëve shtesë venezueliania Fabiana Pesce fiksoi shifrat 24-26, duke e çuar në avantazh të dyfishte setesh skuadrën e saj. Seti i tretë nuk ka shumë histori, pasi Skënderbeu shkëputet që në fillim në pikë dhe e administron qetësisht lojën. Protagoniste e “match point”-it ishte Sara Malaj, e cila vulosi setin 18-25 dhe të gjithë ndeshjen 0- 3. Braziliania e korçareve, Caroline Sousa, me 19 pikë, ishte shënuesja më e mirë e ndeshjes, ndërsa shkëlqeu edhe Sara Malaj, autore e 14 pikëve. Në radhët e Dinamos asnjë lojtare nuk mbërriti në dopioshifër pikësh, ndërsa numrin më të lartë e regjistroi ukrainasja Nikol Mchedlishvili me vetëm 8 pikë të realizuara gjithsej.

SFIDAT E TJERA Java e dytë do të vijojë sot me dy takime interesante. Në orën 16:00 Teuta dhe Partizani do të përballen në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Më tej në orën 17:00 do të matin forcat Pogradeci dhe Tirana në pallatin e sportit “Arefi Berberi” në qytetin e Pogradecit. Ndërkohë takimi ndërmjet Vllaznisë dhe Barletit është shtyrë për në datën 25 shtator për shkak se në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër gjatë kësaj fundjave po mbahet kampionati kombëtar i boksit.DHGFHWERRARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"