VOLEJ MESHKUJ/ Partizani e nis me shkëlqim, “çmonton” Tiranën në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 11:00

VOLEJ MESHKUJ/ Partizani e nis me shkëlqim, “çmonton” Tiranën në derbi

Partizani e ka filluar më këmbë të mbarë mbrojtjen e fronit në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj. Të kuqtë triumfuan kundër Tiranës me rezultatin e pastër 3-0 në takimin përmbyllës të javës së parë të Superligës, sfidë e zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
WhatsApp Image 2024-09-16 at 10.35.53

Pasi e kishte mundur me të njëjtin rezultat një javë më parë në finalen e Kupës së FSHV-së, Partizani e shfaqi superioritetin e tij edhe në startin e kampionatit kundër rivalëve bardheblu. Ndonëse jemi vetëm në metrat e para të sezonit, ekipi i Ylli Tomorrit konfirmoi se do të jetë pretendenti numër një edhe në këtë edicion. Në pritje të përforcimeve të huaja, derbi i parë i kampionatit nisi me ekipe 100% vendore. Në setin e parë Partizani ishte në epërsi gjatë të gjithë kohës, ndërsa diferencën e bëri pas avantazhit 16- 15, duke shpërthyer në pikë të njëpasnjëshme, teksa në fund me një bllok fitues, Raul Sabliqi fiksoi shifrat 25-16.

Pas dy pikëve të para në start nga Tirana edhe seti i dytë komandohet nga Partizani, ndërsa llogaritë i mbyll në fund kapiteni Osman Qepa në shifrat 25-22. Seti i tretë fillon furishëm për “demat”, të cilët kalojnë në 7-1. Por skuadra e Arben Sakos provon të reagojë dhe loja merr në fund një rrjedhë interesante. Megjithatë pas pikëve shtesë Bledi Rama bëhet protagonist i “match point”-it, duke fiksuar rezultatin 27-25 për të vulosur suksesin e pastër të Partizanit në një takim që zgjati 1 orë e 34 minuta.

Duke kaluar në paraqitjet individuale, lojtari i ndeshjes ishte Ledion Martiro. Ish-kapiteni i bardhebluve, i transferuar këtë sezon në kampin e kuq, realizoi plot 25 pikë në derbi, mbështetur nga Osman Qepa me 14 dhe Bledi Rama me 10. Në radhët e Tiranës pikëshënuesit më të mirë ishin Emiljan Xhabrahimi me 13 dhe Julian Talaj me 10. Në dy takimet e tjera të javës së parë që u zhvilluan të shtunën, Studenti mundi Elbasanin 0-3 në transfertë, ndërsa Skënderbeu fitoi 3-1 kundër Teutës në Korçë.GDFHDGHARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"