VOLEJ MESHKUJ/ Partizani nis shkëputjen, Tirana merr pikët e para
Superliga e volejbollit të meshkujve ka zhvillu ar mbrëmjen e djeshme në kryeqytet dy ndeshje të vlefshme për javën e tretë. Partizani dhe Tirana morën fitore përkatësisht kundër Studentit dhe Teutës. Duke e nisur nga kampionët në fuqi, të kuqtë e Ylli Tomorrit koleksionuan suksesin e tretë të pastër në po kaq ndeshje të luajtura në këtë fillim sezoni.
Kështu Partizani triumfoi ndaj Studentit me rezultatin 3-0 në “Asllan Rusi”. Megjithatë, ndonëse në shifra të pastra, përballja nuk ishte pa rivalitet, pasi Studenti provoi të rezistonte, duke e vendosur jo pak në vështirësi Partizanin, sidomos në setin e parë. Skuadra e drejtuar nga Kestrin Batalli ishte vazhdimisht në avantazh në setin e parë, ndërsa u përmbys vetëm momentet e fundit, me të kuqtë që fituan pas pikëve shtesë 27- 25.
Për t’u theksuar në çastet finale të setit ishin edhe pretendimet e Studentit për një vendim të gjyqtarëve, gjë që solli edhe ndëshkimin me karton të kuq të Katriel Myrtës. Seti i dytë foli tërësisht për Partizanin dhe u mbyll në shifra të thella 25-17. Në setin e tretë rivaliteti ishte më i lartë, teksa Studenti tentoi të reagonte, por gradualisht më pas kualiteti i Partizanin bëri diferencën në parket, ndërsa Ledion Martiro firmosi “match point”-in, duke e vulosur setin 25-21 dhe të gjithë përballjen 3- 0 në harkun kohor prej 1 ore e 49 minutash. Ledion Martiro me 18 pikë, Osman Qepa me 12 dhe Raul Sabliqi me 10 pikë udhëhoqën sulmin e kuq në këtë sukses. Për Studentin nuk mjaftoi paraqitja fantastike e kapitenit Armando Gaxiri, protagonist me 21 pikë, ndërsa Anis Cullhaj realizoi 12 pikë.
TIRANA-TEUTA – Në ndeshjen tjetër, nën-kampionët morën 3 pikët e para sezonale, teksa mposhtën Teutën me rezultatin 3-1 në sallën “Farie Hoti” në një përballje që zgjati 1 orë e 41 minuta. Pasi kishin qëndruar pushim në javën e dytë, bardheblutë e Arben Sakos rikthehen në parket më këmbë të mbarë. Seti i parë nisi me rivalitet, ndërsa gradualisht Tirana krijoi shkëputjen për të fituar 25-20. Kryeqytetasit e nisën më mirë setin e dytë, teksa vendosën shpejt distancat, për të fituar më pas 25-19, set i mbyllur me një bllok fitues nga Emiljan Xhabrahimi.
Megjithatë Teuta nuk dorëzohet dhe gjen forca për të reaguar në setin e tretë, duke fituar 21-25, për të ngushtuar në 2-1. Por të zotët e shtëpisë i mbyllin përfundimisht llogaritë në fraksionin e katërt, duke dominuar në çdo aspekt, teksa Aldo Kupi ishte autori i “match point”-it, duke fiksuar shifrat e setit 25-12 dhe të ndeshjes 3-1. Emiljan Xhebrahimi, me 18 pikë për Tiranën ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, mbështetur nga Fabio Hoxha me 16 dhe Norgen Baruti me 10. Për durrsakët u dalluan Asmend Kula me 16 pikë dhe Denis Rama me 15. Java e tretë do të mbyllet sot me ndeshjen Skënderbeu-Vllaznia në orën 12:00 në Korçë.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"