VOLEJ MESHKUJ/ Superliga nis javën e shtatë, durrsakët mundin Elbasanin
Teuta vijon ecurinë pozitive të javëve të fundit në Superligën e volejbollit për meshkuj.Durrsakët shënuan dje fitoren e tretë radhazi, teksa mposhtën Elbasanin në pallatin e sportit “Ramazan Njala” me rezultatin 3-1, takim që hapi javën e shtatë të kampionatit. Skuadra e drejtuar nga Mirion Vllamasi e filloi mirë, duke e kontrolluar lojën qetësisht në setin e parë, për të fituar 25-21. Në setin e dytë diferencat ishin edhe më të mëdha në favor të vendësve, me durrsakët që triumfuan 25- 14.
Ndonëse me një organikë të cunguar lojtarësh, Elbasani bëri befasinë në setin e tretë, për ta marrë në shifrat 17-25, duke ngushtuar në 2-1. Megjithatë të zotët e shtëpisë rikthejnë qetësinë, teksa fitojnë 25-17 setin e katërt, duke hipotekuar suksesin 3- 1. Jorge Delfino me 18 pikë, Renaldo Bushpepa me 17 dhe Asmend Kula me 16 bënë diferencën në fazën ofensive të Teutës. Në radhët e Elbasanit u dallua Andi Garunja, autor i 14 pikëve, por verdheblutë mbeten të stacionuar në vendin e fundit në kuotën e zero pikëve.Java e shtatë, e cila shënon edhe fundin e fazës së parë, do të vijojë nesër me ndeshjen Tirana-Skënderbeu, takim që do të luhet në orën 16:00 në sallën “Farie Hoti”. Të shtunën në orën 19:00 në “Asllan Rusi” do të matin forcat Studenti dhe Vllaznia, ndërsa këtë javë radhën për të qëndruar pushim e kanë kryesuesit e Partizanit.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"