Volejboll femra/ Kupa Pavarësia, Skënderaj dhe Partizani shkojnë në finale
Me ndeshjet gjysmëfinale për femra ka nisur dje Kupa Pavarësia 2024, eveniment që vjen në kuadër të festimeve për 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Federata Shqiptare e Volejbollit në bashkëpunim me Federatën e Kosovës, po zhvillojnë eventin e radhës mbarëkombëtar, teksa takimet e këtij edicioni po luhen në sallën e Farkës në Tiranë.
Gjysmëfinalet e femrave dhuruan përballje interesante, ku sfida e parë e ditës ishte ndërmjet Skënderbeut dhe Skënderajt. Vajzat nga Kosova triumfuan me rezultatin 1-3, duke prerë biletën që të çon në finale. Skënderaj e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke marrë dy setet e para, përkatësisht 21-25 dhe 23-25. Korçaret e Orlando Kojës reaguan në fraksionin e tretë, duke fituar 25- 20, për të ngushtuar në 1-2 me sete.
Megjithatë Skënderaj i mbylli përfundimisht llogaritë, teksa mori bindshëm setin e katërt në shifrat 18- 25, duke siguruar kështu kualifikimin. Në finalen e të dielës Skënderaj do të gjejë Partizanin, me të kuqet që dje fituan kundër Fer Volejt. Kryeqytetaset triumfuan me rezultatin 3-2 në një takim shumë të luftuar, të vendosur me pesë sete, me përmbysje dhe ripërmbysje.
Partizani mori setin e parë 22-25, ndërsa Fer Volej reagoi duke marrë dy fraksionet e radhës, përkatësisht 25-23 dhe 25-17. Por të kuqet u ngritën sërish, duke fituar setin e katërt 18-25, për të vulosur kualifikimin pas pikëve shtesë në setin e final me rezultatin 17-19.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"