VOLEJBOLL/ Kupa e FSHV-së, Tirana dhe Partizani ritakohen në finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2024 | 12:15

VOLEJBOLL/ Kupa e FSHV-së, Tirana dhe Partizani ritakohen në finale

Volejbolli ka nisur dje zyrtarisht sezonin 2024-2025 me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së FSHV-së në radhët e meshkujve. Takimet e zhvilluara në sallën sportive të Farkës nuk dhuruan surpriza, teksa Tirana dhe Partizani fituan përkatësisht kundër Vllaznisë dhe Studentit, duke siguruar kualifikimin për në finale.

ddsasdsa

Takimi hapës i kompeticionit ishte ai ndërmjet Tiranës dhe Vllaznisë. Pa lojtarët e huaj si dhe me largimin e vëllezërve Martiro drejt Partizanit, bardheblutë e Arben Sakos e nisin sezonin të ridimensionuar. Megjithatë, kryeqytetasit nuk e gabuan daljen e tyre të parë, teksa fituan me rezultatin 3-1 kundër Vllaznisë.

Seti i parë nisi me një epërsi të lehtë të shkodranëve, por Tirana rikuperoi dhe fitoi në shifrat 25- 22. Tirana e filloi mirë setin e dytë duke kaluar në 6-1, por Vllaznia përmbysi, ndërsa loja vijoi interesante. Megjithatë në fund kryeqytetasit u treguan më të qartë në veprimet e tyre për të fituar 25-20, duke thelluar në 2-0.

Vllaznia reagoi, duke dominuar në setin e tretë, teksa fitoi 18-25, për të ngushtuar në 2-1. Seti i katërt u duk fillimisht sikur do të kontrollohej lehtë nga Tirana, e cila ishte vazhdimisht në avantazh, por në pikët e fundit kuqeblutë e Artan Kalasë arritën të përmbysnin nga 19-12 në 21- 23. Megjithatë Tirana e rimori lojën në kontroll për ta fituar setin 25-23 dhe të gjithë ndeshjen 3-1, duke siguruar kualifikimin për në finale pas një takimi që zgjati 1 orë e 52 minuta.

asadadsadada

Më tej në mbrëmje ishte radha për derbin ndërmjet Partizanit dhe Studentit. Kampionët e Shqipërisë triumfuan me rezultatin e pastër 3-0, në një ndeshje që zgjati 1 orë e 40 minuta. Partizani u tregua superior në parket në të tria setet, duke fituar përkatësisht në shifrat 25-18, 25-18 dhe 25-19, për të hipotekuar kualifikimin.

Kështu Kupa e FSHV-së rinis aty ku u mbyll Superliga e edicionit të kaluar me derbin mes Tiranës dhe Partizanit, sfidë që do të vendosë edhe trofeun e parë të sezonit të ri. Finalja do të zhvillohet të dielën në orën 19:00 në Farkë, ndërsa në të njëjtën sallë sot do të jetë radha për gjysmëfinalet e femrave, Skënderbeu-Teuta në orën 17:00 dhe Tirana-Partizani në orën 19:00.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"