Volejboll/ Kupa e Shqipërisë, Tirana i tregon forcën Partizanit. Pogradeci mposht Vllazninë dhe Dinamo likuidon Barletin
Derbi i Kupës së Shqipërisë në volejbollin e femrave është veshur bardheblu. Tirana ka fituar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Partizanit në ndeshjen e ditës së pestë, duke siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale si vend i parë në Grupin B.
Pas një takimi që zgjati 1 orë e gjysmë në sallën “Farie Hoti”, në fund gjithçka u mbyll me festën e vajzave të Tiranës, të cilat iu gëzuan triumfit të merituar në derbi. Loja në setin e parë ishte me rivalitet, teksa kishim një seri të gjatë barazimesh. Por në momentet e finale të setit Tirana u tregua më e saktë, duke fituar 25-22. Pas një epërsie të lehtë fillimisht nga Partizani, seti i dytë më pas flet tërësisht për ekipin bardheblu, që fiton 25-18, duke thelluar në 2-0.
Në setin e tretë Tirana komandon dhe shkëputet deri në 20-13, por lëshon shumë në fund, me të kuqet që afrohen deri në -1 pikë, në 22-21. Megjithatë, Tirana mbyll gjithçka duke e marrë setin 25-23, për të fituar edhe derbin e dytë të Kupës, pasi kishin triumfuar 2-3 në “Asllan Rusi” në takimin e vajtjes. Në ndeshjen tjetër të Grupit B, Pogradeci fitoi në shtëpi kundër Vllaznisë, gjithashtu me rezultat të pastër 3- 0. Pogradecaret, të cilat vijnë me disa përforcime në merkaton e dimrit, i morën setet përkatësisht në shifrat 25-20, 25- 12 dhe 25-22.
Kjo ishte fitorja e parë në grup për ekipin liqenor, sukses që gjithsesi nuk u jep shanse për kualifikim vajzave që drejtohen nga trajneri Besnik Lisha. Dita e gjashtë dhe e fundit në këtë grup do të vijojë nesër me ndeshjen Partizani-Pogradeci në orën 15:00 në “Asllan Rusi”, për t’u kompletuar të mërkurën me sfidën Vllaznia-Tirana, në orën 16:00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër. Ndërkohë, duke kaluar në Grupin A, të shtunën u zhvillua derbi ndërmjet Dinamos dhe Barletit.
Ndonëse bëhej fjalë për një takim që kishte vetëm vlerë statistikore, duke qenë se të dyja ekipet janë të eliminuara, Dinamo u shfaq dominuese ndaj universitareve. Vajzat blu triumfuan bindshëm në shifrat 3-0 (25-17, 25-18, 25-16) në Farkë, teksa për Dinamon në këtë takim debutuan edhe afrimet e bëra së fundmi në merkato, tri lojtaret amerikane, Desiree Sukhov, Journey Blevins dhe Jenna Zyldo, të cilat e kanë rritur ndjeshëm nivelin e skuadrës.
Kujtojmë që në takimin tjetër të këtij grupi mes dy ekipeve të kualifikuara, Skënderbeu fitoi ndaj Teutës 0- 3 në Durrës, sfidë e zhvilluar të premten. Për sa i përket ditës së gjashtë, nesër në orën 16:00 në Korçë do të zhvillohet sfida Skënderbeu-Dinamo, ndërsa të mërkurën në orën 14:00 Barleti do të presë Teutën në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"