VOLEJBOLL/ “Makineri” fitoresh 3-0, Partizani super dominues në pjesën e parë të sezonit
Volejbolli shqiptar ka mbyllur pjesën e parë të sezonit 2024- 2025, një edicion, ashtu sikurse ai i kaluari, po karakterizohet nga dominimi i Partizanit në radhët e meshkujve.Të kuqtë e Ylli Tomorrit, të cilët vjet ngritën lart trofetë më të rëndësishëm, si Superligën, Kupën e Shqipërisë dhe Ligën Gjergj Kastrioti, këtë edicion duken edhe më të frikshëm. Tregues për këtë janë statistikat, të cilat flasin qartë, duke dëshmuar superfuqinë e kuqe në sportin e rrjetës. Në të gjitha daljet e këtij edicioni, si në arenën kombëtare, gjithashtu edhe në aktivitet mbarëkombëtare, Partizani njeh vetëm fitore të pastra.
Duke e nisur nga Kupa e FSHV-së, kompeticioni i parë i sezonit, Partizani ngriti lart trofeun, duke likuiduar 3-0, fillimisht Studentin në gjysmëfinale dhe më pas Tiranën në finale. Forma dhe performanca e të kuqve ka ardhur gjithnjë në ngritje, me 6 fitore të pastra në fazën e parë të Superligës, duke e mbyllur me pikë të plota në krye të tabelës. Gjithashtu, rendimenti ka qenë super edhe në Kupë, me dy suksese dhe 6 pikë në kasafortë deri më tani në fazën e grupeve.
“Demat” i kanë treguar muskujt gjithashtu edhe në arenën mbarëkombëtare, teksa fituan Kupën Pavarësia, duke dominuar ndaj Shkëndijës dhe Skënderbeut. Ndërsa ecuria ka qenë e jashtëzakonshme edhe në Ligën Gjergj Kastrioti, ku deri tani shënon tri fitore të pastra, duke hipotekuar kualifikimin për në gjysmëfinale. Me konfirmimin Osman Qepës dhe Raul Sabliqit, me goditjen e dyfishtë në merkato, ku i morën Tiranës Ledion dhe Krist Martiron, si dhe me rikthimin e brazilianit Coutinho, ekipi i Ylli Tomorrit duket i pa përballueshëm, duke marshuar kështu drejt një tjetër sezoni të suksesshëm.ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"