VOLEJBOLL/ Sezoni 2023-2024, Skënderbeu dhe Partizani sunduan parketin
Me finalet e meshkujve, volejbolli shqiptar ka ulur zyrtarisht siparin e sezonit 2023- 2024 për sa i përket aktiviteteve për të rritur. Skënderbeu te femrat dhe Partizani për meshkuj kanë qenë protagonistët absolut të sezonit, duke sunduar parketin në sportin e rrjetës. Korçaret dhe kryeqytetasit kanë komanduar, duke ngritur lart të gjithë trofetë e rëndësishëm të edicionit.
FEMRAT – Me një ekip të ndërtuar që në verë dhe me vetëm një goditje në janar, por të qëlluar në shenjë siç ishte rikthimi i amerikanes Kayla Williams, Skënderbeu krijoi një skuadër dominuese, duke koleksionuar plot katër trofe gjatë këtij edicioni. Duke e nisur sipas triumfeve më të rëndësishme, vajzat e Orlando Kojës fituan titullin në një kampionat të dominuar që nga sezoni i rregullt e deri në finale, ku mundën Tiranën me rezultatin 3-0 me ndeshje.
Skënderbeu fitoi gjithashtu edhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa u konfirmua për të tretin vit radhazi si kampion në kompeticionin mbarëkombëtar Liga Gjergj Kastrioti. Korçaret madje fituan edhe Kupën e FSHV-së, event testues në prag të nisjes së kampionatit. Skënderbeu gjithashtu ishte edhe skuadra që e mbushi më së shumti pallatin e sportit, duke vijuar traditën e viteve të fundit me mijëra tifozë gjatë ndeshjeve finale. Ndërkohë, i vetmi trofe që nuk shkoi në Korçë ishte Kupa e Pavarësisë, turne 2-ditor që u mbajt në Kosovë, të cilin e fitoi Drita e Gjilanit.
MESHKUJT – Në radhët e djemve ishte pa diskutim viti i Partizanit. Të kuqtë e Ylli Tomorrit e mbyllën me tripletë, për të çuar në muzeun e klubit kupat më të rëndësishme, teksa në të tria rastet thyen Tiranën në finale, duke i festuar sukseset në derbi. Nën ritmin e sambës, me 4 brazilianë në përbërje, me Coutinhon që spikati mbi të tjerët dhe me elementë shumë të mirë vendës, si Raul Sabliqi apo Osman Qepa,
Partizani tregoi se kishte një marsh më shumë se të tjerët gjatë të gjithë edicionit, duke e përfunduar sezonin e rregullt me të gjitha fitore. Partizani u shpall kampion i Shqipërisë, teksa realizoi një përmbysje të çmendur në finale ndaj bardhebluve, nga 0- 2 në 3-2. Një triumf i denjë për filma, teksa të kuqtë ishin në buzë të greminës, me Tiranën që pati mundësinë e pikës së titullit.
Por “demat” ia dolën të reagonin në momentin më të vështirë, u ngritën, dhe më pas e morën përpara skuadrën bardheblu, duke e mundur 3 herë në pak ditë, për t’i rrëmbyer fronin. Partizani fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, si dhe eventin mbarëkombëtar Liga Gjergj Kastrioti. Duke kaluar te trofetë më pak të rëndësishëm, Tirana arriti të fitonte Kupën e FSHV-së, ndërsa Peja triumfoi në Kupën e Pavarësisë.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"