VOLEJBOLL/ “Të huajat vijnë në merkaton e dimrit”, trajneri Gurabardhi: Partizani për titull, korçaret favorite
Partizani i volejbollit të femrave ka patur gjithnjë rol protagonisti kryesor gjatë këtyre viteve në kampionat, me 4 tituj kampion të fituar në 6 edicionet e fundit.
Të kuqet nisin një tjetër sezon me ambicie, teksa në drejtim kanë tashmë një “usta” të pankinës, një trajner me eksperiencë të madhe dhe fitues të shumë trofeve si Hasan Gurabardhi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gurabardhi flet për startin e sezonit në kampin e kuq, teksa tregon pritshmëritë dhe objektivat e skuadrës së tij. Gurabardhi ndalet gjithashtu edhe te merkato, teksa bën të ditur se përforcimet e huaja i pret në sesionin e dimrit. Ai komenton gjithashtu edhe ekipet rivale, si dhe çështjen e mungesës së tifozëve në sportin e rrjetës.
Gurabardhi, cili është komenti juaj për këtë fillim sezoni të Partizanit?
Normalisht, ne vijmë pas një vere shumë të nxehtë, të cilën e kemi përjetuar të gjithë dhe stërvitjen e kemi filluar me vonesë. Pra ishin kushte atmosferike që bënë shumë ekipe t’i nisnin me vonesë përgatitjet. Kështu që është e qartë që në këtë moment asnjë ekip nuk është në formën e tij optimale. Megjithatë ne përsëri, duke ditur që Partizani ka një strukturë me vajza shqiptare, një grup disa vjeçar me pak lëvizje, mendonim që edhe në Kupën e Federatës mund të paraqiteshim më mirë. Por ishte një ditë jo për ne në atë kompeticion, megjithatë pas një jave morëm masat dhe bëmë një ndeshje shumë të mirë në kampionat kundër Tiranës. Me kaq kohë stërvitje sa kemi, mund të them se ekipi luajti shumë mirë dhe besoj se e merituam fitoren. Ishte një rezultat 3-0, mund të fitonim edhe më thellë në pikë, por gabime pati nga të dyja palët.
Si e shikoni në tërësi volejbollin e vajzave në këtë edicion?
Normalisht që ka vajza të reja që e dashurojnë volejbollin, kështu që prurje ka, por problem mbetet si gjithnjë ana financiare, me trajtimet që marrin për momentin. Kemi një kampionat që prej disa vitesh mbështetet më tepër te lojtaret e huaja, sepse numri i lojtareve shqiptare cilësore është i pakët. Kështu që nëse nuk e kompleton ekipin me volejbolliste të huaja nuk mund të arrish rezultate të larta.
Cila mbetet skuadra për tu mundur në këtë kampionat?
Pa diskutim që është Skënderbeu, një ekip që prej katër vitesh është i blinduar me kushtet financiare. Bëhet fjalë për një skuadër që ka disa vite që merr 4-5 lojtare të huaja, nga të cilat siç dihet 3 mund të luajnë njëkohësisht dhe normalisht mbetet ekipi favorit dhe për tu mundur. Por ka edhe rivalë të tjerë, pasi edhe Tirana mund të përforcohet. Gjithashtu për Pogradecin thuhet sa ka bërë blerje interesante, por të shikojmë hap pas hapi.
Ndërkohë ndryshe nga ekipet e tjera pretendente, kemi një Partizan që e fillon sezonin me një bosht tërësisht vendorë lojtaresh…
Ju e dini mirë që unë personalisht nuk kam ndonjë simpati të madhe për tu përfaqësuar me vajzat e huaja. Normalisht kur më bëri ofertën shefi i klubit, Shkëlqim Muça, ideja ishte që të mbajmë grupin e lojtareve që kemi dhe besoj që 90% e grupit ka mbetur. Por përsëri po bëjmë çmos, duke parë që të gjitha ekipet janë përforcuar me lojtare të huaja, do të futemi edhe ne në merkaton ndërkombëtare. Partizani ka rreth 10 vite që pretendon gjithnjë për titullin kampion, duke dalë disa herë kampion. Kështu që edhe këtë sezon, Partizani mbetet Partizan dhe do të luftojë për titullin. Normalisht na pret një sezon i vështirë, pasi nuk është e lehtë të mposhtësh Skënderbeun, por mund të ketë edhe ndonjë ekip tjetër që mund të bëjë surprizë. Ne do të bëjmë tonën, ekipi ka nevojë për përforcime dhe po kërkojmë në këtë aspekt.
Kur do të lëvizni në merkato për lojtare të huaja?
Unë jam i mendimit që lojtaret e huaja të ardhura që në fillim, gjë që e provova edhe vjet te Tirana, sikur nuk e përballojnë dot këtu një vit të plotë, për shumë faktorë. Kështu që mendoj se ndoshta më mirë do të jetë nëse i afrojmë në merkaton e dimrit. Në këtë aspekt edhe fitorja 3-0 ndaj Tiranës ne jep një mundësi për fazën e parë që minimalisht ta mbyllim në vend të dytë.
Duke u ndalur te tifozët, shikojmë ndeshjet në Korçë në të cilat nuk përbën më lajm pallati i sportit i mbushur, ndërsa në Tirana publiku vijon të mungojë, duke përjashtuar këtu vetëm ndeshjet finale të kampionatit. Cili është komenti juaj për këtë fakt?
Ka shumë vite që me gjithë promovimin që ju si gazetë i keni bërë volejbollit, apo edhe në këto vitet e fundit me takimet që transmetohen nga RTSH-ja, sërish njerëzit nuk vijnë të shohin volejboll. Tifozët janë shumë të nevojshëm në sport, pasi të japin kurajë, të motivojnë. Kur shikon pallatet e sportit bosh gjatë kampionatit në shumicën e vendeve, përveç Korçës dhe Shijakut që ishte për meshkuj, të vjen keq. Por ajo që mund të them është që shpresoj për ligjin e sponsorizimit, duke qenë se kemi dëgjuar edhe fjalë të mira dhe nëse realizohet ky ligj, e them me bindje që volejbolli do të ndryshojë shumë dhe tifozët do të afrohen.
Në javën e dytë keni një përballje në Durrës ndaj Teutës, një ekip i përforcuar me lojtare të huaja. Çfarë prisni nga kjo sfidë?
Teuta gjithnjë ka pasur luhatje, por atje është trajner miku im i ngushtë, Edmond Jazexhi, i cili gjithmonë ka ambicie për të fituar edhe kur nuk ka pasur një ekip me përforcime. Kështu që jam munduar që ti ngulis vajzave gjatë të gjithë javës që na pret një ndeshje e shumë e vështirë në Durrës. Kështu që duhet ta vlerësojmë maksimalisht, por me sa kam parë këtë vit, të gjitha ekipet janë të forta dhe do t’i marrim hap pas hapi.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"