Vora bën “adetin”, kalon Korabin pa vështirësi. Trajneri Bellai: Fitojmë e vijojmë rrugën e nisur
Vora, kryesuesja e Kategorisë së Parë, ka mposhtur Korabin pa shumë vuajtje, në shifrat 3-0. Vendasit shënuan dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën. Edhe pse Vorës i mungoi golashënuesi Ruzgis, ia arriti të dalë e fituar nga fusha. Kjo fitore i ka dërguar vorakët në kuotën e 40 pikëve pas 16 javësh.
Edhe një takim i ka mbetur Vorës për të mbyllur këtë vit kalendarik, ai me Pogradecin. Ndërsa Korabi, prej disa javësh ka mbetur i stopuar në vendin e dhjetë në kuotën e 13 pikëve. Përballja mes këtyre dy ekipeve nuk ka pasur shumë histori, pasi Vora ka kontrolluar lojën nga fillimi në fund.
NDESHJA- Shiu i rrëmbyeshëm që shoqëroi thuajse gjithë takimin, duket se nuk ndikoi në lojë, pasi fusha me tapet sintetik nuk i pengoi futbollistët në manovrimin me topin. Vora e nisi ndeshjen në sulm për të gjetur avantazhin dhe nuk ka vonuar goli i parë. Në minutën e 5-të, Kasalla pasi merr një pasim te harku i zonës së rreptësisë dibrane, godet topin me finesë dhe tund rrjetën e Allës, edhe pse gardiani u përpoq, por nuk ia arriti të shmangë golin. Qyrani, portieri i parë i Korabit nuk ka mundur të luajë në këtë takim për shkak të pezullimit nga kartonët. Vetëm tre minutash pas pësimit të golit, dibranët rrezikojnë me Peraltën, por topi spastrohet nga mbrojtja vendase.
Vorakët kanë nën kontroll gjithçka. Nuk vonon të vijë edhe goli i dytë, pikërisht në minutën e 28-të. Kasalla bëhet protagonisti, teksa gjuan drejt portës, topi devijohet nga mbrojtësit dhe përfundon në këmbët e Rushitit, i cili gjuan lehtë në krahun e djathtë të portierit Alla dhe prek rrjetën, 2-0. Pas golit të dytë, dibranët përpiqen të rrezikojnë dhe në të 36-ën. Reçi me kokë tenton, por topi kalon mbi traversë. Në minutën e 40-të, Rushiti mund të trefishonte shifrat, por portieri i Korabit, Alla shmang golin. Në të 44-ën janë miqtë pranë golit me Reçin, që futet në zonë, pason te Marku që proteston te gjyqtari për penallti, por Koçi vijon lojën. Pjesa e dytë nuk ka shumë histori. Vora ka nën kontroll gjithçka dhe ka kohë dhe për një gol në minutën e 79-të. Pas një krosimi në afërsi të portës, Aneni nuk hezitoi të shqelmojë topin drejt rrjetës duke shënuar golin e tretë, ndonëse nga miqtë u pretendua për pozicion jashtë loje, për vijërojtësin pozicion ishte i rregullt.
VORA – KORABI 3-0
GOLAT: Kasalla 5’, Rushiti 28’, Aneni 79’
VORA: Jata, Marinaj, Dalipi, Duka, Imami (Hasrama 46’), Ismaili, Kasalla(Sefa 75’), Tabaku (Hoxha 84’), Lika, Aneni(Avdiu 80’), Rushiti; (Në dispozicion: Bardhi, Ntepe, Veseli, Begaj). Trajner: Arian Bellai
KORABI: Alla, Paplekaj, Andoni, Lushaku, Hasaj, Reçi(Çema 55’), Stana (Shehu 55’), Kryemadhi(Ndreaj 46’), Buci (Tasho 46’), Marku(Pjetri 63’), Perlata,; (Në dispozicion: Tota, Mziu, Fida). Trajner: Agim Canaj.
Kartonë të verdhë: Aneni 60’
Gjyqtarë: A. Koçi, F. Lamaj (Durrës), R. Vukaj (Lezhë)
Vëzhgues: Arben Pregja (Tiranë_
Delegat: Mario Kërtusha (Durrës)
Vorakët
Bellai: Fitojmë e vijojmë rrugën e nisur
Vora ka bërë detyrën ndaj Korabit dhe duke ditur që rivalët luajnë nesër, ka shkuar në +5 pikë diferenca me Besën e Flamurtarin. Arian Bellai, trajneri i Vorës, pas ndeshjes, për “Panorama Sport” u shpreh: “Rëndësi ka fitorja. Në këto pozita që jemi, duhet të vazhdojmë me paraqitje sa më të mira, por rëndësi ka të marrim tri piket siç bëmë me Korabin. Jam i kënaqur nga lojtarët që nuk rrezikuam për asnjë moment, ndonëse ishte një fushë e vështirë dhe kishte shumë prezencë uji nga reshjet e rëna. Pas kësaj fitore do të vijojmë rrugën tonë. Kjo ndeshje ka përfunduar, por na presin shumë finale të vështira. Na duhet të jemi gjithmonë të përgatitur për të vijuar rrugën e nisur”.
Golashënuesi
Kasalla: Goli më jep kurajo dhe besim
Irgi Kasalla ishte protagonisti i fitores së Vorës ndaj ish-ekipit të tij, Korabi. 22-vjeçari shënoi që në minutën e pestë dhe kontribuoi edhe te goli i dytë, që u finalizua nga Rushiti. Pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, Kasalla deklaroi: “Jam shumë i lumtur me ecurinë e ekipit, ndërsa goli i shënuar më jep kurajë e besim që të vazhdoj përpara. Gjithsesi, më e rëndësishme ishte fitorja, të cilën e arritëm. Detyra ime është që të shënoj sa më shumë gola për ekipin, si dhe të ndihmoj bashkëlojtarët me asiste. Vora nuk duhet të diskutojë asnjë kundërshtar, si brenda dhe jashtë fushe. Duhet të jemi të sigurt, që në fund të sezonit të shpallemi kampion të Kategorisë së Parë”.
SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"