Vora-Burreli, sot 14:00 / Shehi: Jemi në rrugën e elitës. Bicaj: Skuadra e qetë, ndaj vorakëve priten të tria rezultatet
Vora i afrohet gjithnjë e më shumë objektivit madhor, Superiores, që do të jetë kulmi i historisë së klubit. Pas barazimit të arritur në Rrogozhinë kundër Besës së Kavajës, vorakët treguan edhe njëherë pathyeshmërinë.
Në kampin vorak është brumosur ideja e ngjitjes në Superiore dhe skuadra ka një mentalitet fituesi. Vora pret sot Burrelin, ku padyshim luhet vetëm për fitore. Në lidhje me situatën e Vorës dhe prag-ndeshjen me Burrelin mbrojtësi Dajan Shehi, për “Panorama Sport” u shpreh: “Kundër Burrelit është e radhës dhe do të ketë fatin e të gjitha ndeshjeve të luajtura deri tani. E dimë fort mirë që Burreli ka kualitet dhe është një skuadër e fortë. Vora vazhdimisht u ka hapur punë skuadrave pretendente, por ne kemi forcën tonë dhe kurrë nuk do të ndalemi në rrugën drejt Superiores. Për të arritur këtë na nevojiten fitoret dhe trepikëshat, në mënyrë që në fund të vitit të jemi kampionët e dimrit. Jemi të përgatitur si moralisht edhe psikologjikisht për këtë.
Lojtarët po tregojnë aftësi të larta fizike, cilësi dhe kualitet nga ndeshja në ndeshje. Këto janë disa nga forcat që mbart skuadra e Vorës. Deri në fund të këtij viti, kemi për të luajtur edhe 9 ndeshje të tjera, e kjo forcë fizike do të nisë të bëjë diferencën me skuadrat e tjera. Mjafton që ne të mos gabojmë në asnjë prej këtyre ndeshjeve”. Edhe ndaj matjanëve trajneri Bellai pritet që t’i besojë sërish formacionit që luajti kundër Besës. Shpresat e sulmit të Vorës janë të varura nga lituanezi Manfredas Ruzgis, i cili me golat e tij po tregohet përcaktues. ABDULLA DUSHKU
Bicaj: Burreli i qetë, ndaj vorakëve priten të 3 rezultatet
Për llogari të javës së dhjetë të kampionatit të Kategorisë së Parë, Burreli do të luajë sot në orën 14:00 një transfertë të vështirë. Përballë do të ketë Vorën, një nga skuadrat pretendente për të siguruar ngjitjen në Superiore. Që nga barazimi i arritur në transfertën e Fierit ndaj Apolonisë në javën e tetë, në kampin matjan ka optimizëm. Në prononcimin e zakonshëm para ndeshjes, numri një i pankinës matjane, Ditmar Bicaj, mes të tjerash për “Panorama Sport” u shpreh:
“Në ndeshjen ndaj Vorës vijmë pas dy rezultateve pozitive, si me Apoloninë në transfertë dhe me Erzenin në fushën tonë. Shkojmë të qetë në takimin e sotëm dhe do të kërkojmë të zhvillojmë lojën tonë, siç kemi bërë gjithmonë. Pra, shkojmë që të luajmë futboll dhe të fitojë ekipi më i mirë. Skuadra vorake është më e favorizuar dhe falë rezultateve ata bëjnë pjesë te skuadrat kryesuese. Do të jetë një ndeshje që do t’i ketë të trija rezultatet. Ne kemi treguar se ndaj skuadrave të forta luajmë me dinjitet, ku kemi marrë dhe rezultate pozitive”. Matjanët pritet që të mos e kenë të plotë grupin, ku për arsye dëmtimi ka të ngjarë të mungojnë dy prej titullarëve. Bëhet fjalë për Shkallën dhe Osikel. Lidhur me aktivizimin e tyre, stafi drejtues do të vendosë në momentet e fundit para fillimit të ndeshjes. Ecuria e Burrelit në këtë fillim sezoni është e pozitive, pasi pas 9 javës renditen në vendin e katërt me 15 pikë. NDERIM GOCI
PANORAMASPOR.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"