Vora kthehet te fitorja, Valbona ankesa për gjykimin. Bellai: Ndeshja më e bukur, nuk ka kundërshtar të lehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 16:05

Vora kthehet te fitorja, Valbona ankesa për gjykimin. Bellai: Ndeshja më e bukur, nuk ka kundërshtar të lehtë

Vora është rikthyer te fitorja pas asaj humbje të thellë në Vlorë. Dje vorakët triumfuan ndaj Valbonës, 2-1. Pavarësisht ngushtësisë së rezultatit, Vora nuk e diskutoi fitoren. Ajo ishte gjithnjë në epërsi dhe shënoi nga një gol në çdo pjesë.

vora valbona

Fillimisht ishte Dajan Shehi që me kokë zhbllokoi shifrat, 4 minuta para fundit të pjesës së parë. Më pas ishte Manfredas Ruzgis ai që shënoi golin e sigurisë për vorakët. Tropojanët bën më shumë volum loje, teksa pasimet ishin të sakta në të shumtën e rasteve duke ia vështirësuar fitoren Vorës, teksa shkurtoi diferencën me anë të kolumbianit Kamilo. Të dy skuadrat e nisën takimin me nga dy mungesa të rëndësishme, Imami e Lika te Vora dhe Rosaj e Vidrica te Valbona. Vora e pati të vështirë të depërtonte në zonën e Valbonës, pasi gjatë 45 minutave të para tropojanët luajtën me 5 mbrojtës. Ruzgis, Ntepe, Shehi e Geci krijojnë disa raste në portën e Valbonës, por pa e mposhtur portierin Foralb Hoxha.

Në minutën e 41-të nga një goditje këndi, Shehi  kërcen mbi të gjithë dhe shënon. Me golin e tij u mbyll pjesa e parë. Dy minuta pasi nis fraksioni i dytë, Ruzgis dyfishon duke finalizuar asistin e Anenit. Në minutën e 65-të Valbona shkurton diferencën me anë të kolumbianit Kamilo që realizon një super gol. Tropojanët rrezikojnë edhe disa herë të tjera duke iu afruar barazimit. Vlen të përmendet rasti i minutës 8, kur Kovaçi goditi shtyllën. I gjithë takimi mbyllet me fitoren e Vorës 2-1.

Zv.trajneri i Valbonës- Osman Qelia, zv.trajneri i Valbonës, pas ndeshjes, për “Panorama Sport” u shpreh: “Valbona luajti si e barabartë ndaj një pretendenti si Vora. Ishte një humbje që edhe mund të evitohej, mund ta mbyllnim në barazim, por shtylla ndali gjuajtjen e Kovaçit. Kam vërejtje për gjykimin. Arbitri ndikoi pak në verdiktin e lojës. Ishin dy 11-metërsha, që nuk na u dhanë. Me zëvendësimet e bëra treguam efikasitet. Krijuan shumë raste, sidomos në 6 minutat e fundit, kur edhe mund të barazonim”.

VORA – VALBONA 2-1

GOLAT: Shehi 41’, Ruzgis 47’ / Kamilo 65’

Vora: Ruçi, Ismaili, Shehi, Geci Tabaku, Aneni (Avdiu 58’), Ntepe, Sefa, Marinaj, Kasalla (Vrapi 76’), Ruzgis (Nikqi 87’);(Në dispozicion: Jata, Bardhi, Dalipi, Duka, Hasrama, Rushiti). Trajner: Arian Bellai

Valbona: Hoxha, Mashi, Berberi, Kovaçi, Lamçe (Balla 51’), Farruku, Krasniqi, Udo (Llanaj 51’), Zeqiraj, Kamilo (Alinani 77’), Uahab (Da Silva 79’);(Në dispozicion: Marku, Doçi, Da Silva, Rosaj, Lala, Jetishi). Trajner: Emiliano Gega

Kartonë të verdhë: Sefa 50’, Avdiu 62’, Tabaku 71’ / Krasniqi 34’, Berberi 56’, Uahab 71’

Gjyqtarë: O. Çela, D. Korreshi (Lushnjë), K. Hoxha (Tiranë)

Vëzhgues: Dritan Salaj (Shkodër)

Delegat: Mario Kërtusha (Durrës)

Trajneri i Vorës

Bellai: Ndeshja më e bukur, nuk ka kundërshtar të lehtë

Vora ka bërë direkt autokritikën e humbjes në Vlorë, ku dje mposhtën Valbonën në shifrat 2-1. Pas ndeshjes, trajneri i Vorës, Arian Bellai, për “Panorama Sport” u shpreh: “Vora ka zhvilluar kundër Valbonës ndeshjen më të bukur të këtyre javëve të para. Krijoi volum loje, raste shënimi dhe rezultati mund të ishte edhe më i thellë. Gjithsesi, e rëndësishme është që bëmë më mirë. Patëm pak luhatje dhe e humbëm për pak minuta. U futëm në panik dhe pësuam edhe gol. Nuk besoj se u rrezikuam për të thënë se mund të na barazonte Valbona. Mungesat? Nuk mund të them se ndikuan, pasi në ekip të gjithë lojtarët janë njësoj. Të gjithë e bëjnë punën mirë, e për këtë dua të falënderoj edhe ata që u futën nga stoli. Këtu jemi të gjithë njësoj, për të dhënë maksimumin në lojë. Ndeshje me të ashtuquajtura me ekipe ‘të vogla’, nuk ekzistojnë. Çdo kundërshtar mbetet i fortë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"