Vora me ecuri pretendenti, lituanezi Ruzgis premton gol dhe fitore kundër Kastriotit
Vora ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës, që do ta luajë në Fushë Krujë. Kundërshtari i radhës është Kastrioti dhe objektiv mbetet vijimi i serisë së fitoreve, për të mos ju ndarë Besës kryesuese. Në 6 ndeshje e luajtura, vorakët kanë shënuar 7 gola.
Një nga lojtarët që ka spikatur është lituanezi Manfredas Ruzgis, i cili ka shënuar tre gola, ndaj Kukësit, Valbonës dhe Pogradecit. Ai synon të shënojë edhe ndaj krutanëve. Futbollisti i ardhur në merkaton e verës dhe që për herë në parë luan në futbollin shqiptar, thotë se është i lumtur me këtë aventurë të re. “Arsyeja pse unë jam këtu te Vora, është se doja të fitoja një përvoje të re në futbollin ballkanik. Skuadra ka bërë një paraqitje të mirë në këto 6 javët e para të kampionatit. Vora ka arritur 5 fitore, të cilat na mbajnë në tri vendet e para. Kjo seri fitoresh do të vijojë edhe ndaj kundërshtarit të radhës, të cilin nuk e njoh shumë.
Madje, nuk më është dhënë mundësia edhe për t’i parë në një ndeshje. Ne jemi të përgatitur për të bërë më të mirën e për të shënuar fitoren e 6-të. Për ne çdo kundërshtar është njëlloj dhe të gjithë marrin të njëjtin vlerësim. Në çdo ndeshje futemi në fushë të përkushtuar dhe me mentalitet triumfuesi. Kam besim të plotë se do ia dalim me tri pikë dhe se unë do të shënoj sërish”, u shpreh Ruzgis për “Panorama Sport”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"