Vora mund Pogradecin me penallti, trajneri Nikaj apel drejtuesve liqenorë: Të gjithë të reflektojmë, nuk ecet kështu
Vora ka arritur një fitore të vështirë ndaj Pogradecit, ku goli i vetëm i takimit u shënua nga sulmuesi lituanez, Manfredas Ruzgis, me penallti në minutën e 76-të. Gjatë ndeshjes nuk ka munguar as nervozizmi i dy drejtorëve sportiv (Bazjon Tragaj dhe Nesti Binishi) ndaj gjyqtarit, që i paralajmëroi në pjesën e parë dhe i ndëshkoi me nga një të verdhë.
15 minutat e fundit ata i ndoqën ndeshjen nga tribuna, pasi u ndëshkuan me kartonë të kuq në momentin e dhënies së penalltisë. Me këtë fitore minimale Vora ruan hapin e treshes kryesuese. Takimi nisi me aksione dhe raste në të dyja portat. Rasti më i pastër në pjesën e parë ishte ai i Kasallës, i cili goditi shtyllën pingule të portës pogradecare. 45 minutat e para u mbyllën 0-0. Në fraksionin e dytë vendësit janë thuajse gjatë gjithë kohës në kërkim të golit, por liqenorët nuk lënë hapësira pasi mbrohen në disa raste edhe me 9 lojtarë. “Bunkeri” pogradecar u thye në minutën e 76-të. Kasalla futet brenda zonës dhe Ivani e ndërpret në mënyrë të parregullt dhe penallti për Vorën. Ruzgis tregohet i saktë nga pika e bardhë dhe 1-0 për vorakët. Miqtë u afruan pranë golit në kohën shtesë, por gjuajtja e Topllarit ndalet nga portieri Ruci.
Samuel Nikaj- Trajner i Pogradecit, Samuel Nikaj, pas ndeshjes u shpreh: “Ekipi luajti dhe u soll mjaft mirë, nuk bëri asnjë gabim dhe meritonte fitoren, as barazimin jo për nga mënyra se si luajti futboll. Ky sport në vetvete ka dhe pjesë të tjera që ndikojnë në rezultat, atë nuk më takon mua ta them, pasi janë personat e tjerë duhet t’i mëshojnë më shumë kësaj. Megjithatë, ky është futbolli. Drejtuesit duhet ta shohin mënyrën se si funksionon dhe të vendosin pikat mbi ‘i’. Duke nisur që nga ndeshja e ardhshme, Pogradeci duhet të reflektojë, duke nisur nga presidenca, drejtori sportiv, trajneri, që jam unë, dhe të shohim se si do të ecim më tej, sepse kështu nuk vazhdohet. Kemi 6 ndeshje në vendnumëro”.
VORA – Pogradeci 1-0
GOLI: Ruzgis 76’(11-m)
VORA: Ruçi, Aneni, Imami, Shehi, Ntepe, Lika (Sefa 53’), Tabaku, Geci (Vrapi 83’), Kasalla, Bardhi (Nikqi 90’), Ruzgis; (Në dispozicion: Jata, Marinaj, Duka, Hasrama, Avdiu, Rushiti). Trajner: Arian Bellai.
POGRADECI: Nikoloski, Karabatiç (Topllari 82’), Ivani, Pere, Kastrati, Kazem Sodiq Opejemi (Peqini 60’), Beçka (Këndezi 60’), Kasmollari, Pengu (Shkulaku 81’), Danladi, Raza (Hysenllari 66’); (Në dispozicion: Beqiri, Fejzulla, C. Pius, Nallbati, Vagner). Trajner: Samuel Nikaj.
Kartonë të verdhë: Traga 28’(stol), Ruçi 88’ / Danladi 23’, Binishi 26’ (stol), Kastrati 62’, Pengu 69’, Hysenllari 76’
Kartonë të kuq: Traga 76’/ Binishi 76’
Gjyqtarë: E. Bastari, A. Koçia, Xh. Roshi (Tiranë)
Vëzhgues: Sokol Çekaj (Laç)
Delegat: Andi Zëre (Tiranë)
Bellai: Rëndësi ka fitorja
Trajner i Vorës, Arian Bellai, pas ndeshjes u shpreh: “Ndeshje e vështirë, pasi ekipet luajnë ngjeshur prapa. Patëm raste, por nuk kemi qenë të qetë për të nxjerrë golin. E rëndësishme është që ne e fituam këtë ndeshje mjaft të vështirë. Pogradeci erdhi për të marrë diçka nga kjo fushë dhe deri diku ia arriti, sepse i bëri lojtarët tanë të mos ishin të qetë para portës. Këtë gjë ne duhet ta zgjidhnim më thjesht, që në pjesën e parë”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"