Vora në vend të parë, Erzeni mbyll fazën me dy pikë. Luga: Nuk e meritonim humbjen. Bellai: Fusha na penalizoi, rëndësi ka trepikëshi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2024 | 10:46

Vora në vend të parë, Erzeni mbyll fazën me dy pikë. Luga: Nuk e meritonim humbjen. Bellai: Fusha na penalizoi, rëndësi ka trepikëshi

Takimi i luajtur dje në stadiumin “Tofik Jashari” midis Erzenit dhe Vorës është ndjekur me interes të madh. Kjo e ka bërë edhe më të bukur takimin e javës së 11-të, që mbylli fazën e parë të Kategorisë së Parë, takim i cili u fitua nga miqtë me rezultat 1-0.

VORA

Erzeni ka pësuar humbjen e nëntë dhe mbylli fazën me 2 pikë, ndërsa Vora edhe në këtë takim ka treguar edhe njëherë ambiciet e saj dhe objektivin që ka vendosur presidenca, elitën. Të dy trajnerët hodhën në fushë formacionin më të mirë, duke parë dhe rëndësinë e takimit. Përpos vendit në klasifikim, Erzeni i vendit të fundit ka kërkuar surprizën në këtë sfidë, sikurse bëri edhe përballë Besës dy javë më parë.

Ndeshja- Loja ka nisur e qete me të dy skuadrat që kërkonin të njihnin njëra-tjetrën në fushë. Në minutën e 10-të vjen sinjali i parë në portë, kur pas një goditje dënimi nga e djathta, Erzeni pati mundësinë të kalojë në avantazh, por nuk u shfrytëzua si duhet. Kundërpërgjigjen menjëherë miqtë me Bardhin, i cili godet saktë duke e dërguar topin brenda zonës dhe aty është Ruzgis që gjuan, por shkaktoi faull ndaj portierit Dema brenda zonës. Janë përsëri miqtë nga Vora me Bardhin që godet topin brenda zonës, ku Geci me kokë e çon topin pranë shtyllës pingule në krahun e djathtë të Demës.

Vetëm tre minuta më pas, në të 43-ën, Geci realizon golin e parë me kokë, duke çuar “sferën” në të majtë të portierit Dema dhe 1-0 për Vorën. Pjesa e dytë nis bukur për vendasit, që në të 51-ën janë pranë golit pranë golit. Zaimaj merr krahun e majtë, hyn brenda zonës pranë vijës fundore i rrethuar nga dy futbollistë të Vorës, godet, por topi shkon pranë shtyllës pingule të portierit Ruçi. Rasti më i pastër për miqtë në këtë pjesë ka qenë ai i minutës së 59-të, kur Bardhi bëri më të vështirën. Vetëm 2 metra larg portës së boshatisur e dërgoi topin mbi shtyllën tranversale. Me këtë fitore, Vora mban vendin e parë dhe pret përfundimin e sfidës Besa-Flamurtari.

 

ERZENI – VORA 0-1

GOLI: Geci 43’

ERZENI: Dema, Jori(Marinaj 74′), Baruti, Gjoni, Shani, Zaimaj(Brahja 65′), Isteri, Migone, Hodo(Bespallov 64′), Diallo, Oulare (Akibu 46′);(Në dispozicion: Arevalo, Shehu, Kola, Dialo, Duraku, Lajthia, Shehu, Xheka). Trajner: Ergys Luga

VORA: Ruçi, Ismali, Shehu, Imami, Tabaku, Aneni, Vrapi, Bardhi (Ntepe 73′), Kasalla(Sefa61′);( Ruzgis, Geci(Lika 90′) (Në dispozicion: Jata, Duka, Marinaj, Rrushiti). Trajner: Arjan Bellaj

Kartonë të verdhë: Oulare 28′, Gjoni 63”/Ismaili 23′, Vrapi 54′, Shehi 70′

Gjyqtarë: I.Myrtaj, J.Podgorica(Shkodër), A.Muxhaj(Gjirokastër)

Vëzhgues: Alfred Lamçe (Patos)

Delegat: Armando Mandro (Tiranë)

 

Shijakasit

Ergys Luga: Nuk e meritonim humbjen

Ergys Luga, trajneri i Erzenit, pas ndeshjes për “Panorama Sport” tha: “Luanin dy skuadra me objektiva komplet ndryshe. Mendoj se ishte një ndeshje ku Erzeni nuk e meritonte humbjen. Dihet që skuadrat cilësore dinë të ndëshkojnë me episode. Madje këto ekipe këto episode ruajnë dhe për këtë gjë i pata paralajmëruar lojtarët para ndeshjes. Duke mos na çarë në qendër, Vora ia doli me lojën nga krahët. Çunat në përgjithësi luajtën mirë dhe u detyruam të ndërrojmë skemë në pjesën e dytë duke kaluar me një sistem 4-3-3, që na rezultoi voluminoze, por jo efektive. Do të vazhdojmë punën tonë dhe na duhet mbështetje dhe për mua humbja nuk ishte e merituar”.

 

Bellai

“Fusha na penalizoi, rëndësi ka trepikëshi”

 

ERZENI VORA

Trajneri i Vorës, Atian Bellai, pas fitores me Erzenin, për gazetën deklaroi: “Më pëlqen që u bë një ndeshje e luftuar, ku të dy ekipet luajtën për trepikëshin, pasi kemi objektiva të ndryshëm dhe fitoret bëhen të nevojshme. Ishte një fushë që për të dy ekipet nuk lejonte të luhej futboll dhe besoj se kjo na penalizoi shumë. Kishim mundësi të bënim edhe golin e dytë, nuk realizuam, por sërish morëm trepikëshin. Kjo vlen, pasi në të tilla fusha është e vështirë që të luash futboll. I përgëzoj çunat që luajtën fort dhe me shpirt nga minuta e parë deri në fund. Përgëzoj edhe Erzenin, që bëri një lojë të fortë dhe iu la fushës që të fitonte më i miri dhe kjo ndodhi”.

 ALBERT ALIKO- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"