Vora nuk mjaftohet me ngjitjen, Topi: Të fitojmë edhe titullin! E kthejmë në festë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 15:28

Vora nuk mjaftohet me ngjitjen, Topi: Të fitojmë edhe titullin! E kthejmë në festë

Vora i ka mbyllur llogaritë me ngjitjen që dy javë më parë. Pas një sezoni fantastik, e prenë një “biletë” për Kategorinë e Parë. E megjithatë, e duan edhe diçka nga ky kampionat. Bëhet fjalë për titullin kampion, që gjasat janë ta diskutojnë me Elbasanin e Grupit B në Kategorinë e Dytë. Këtij misioni i mëshon edhe administratori Eldiano Topi, gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport”. Teksa i bën “skanerin” skuadrës, ai flet edhe për planet e së ardhmes.

VORA

Mundët Naftëtarin dhe mbyllët një herë e mirë llogaritë me ngjitjen.
Misioni u arrit dhe Vora është në Kategorinë e Parë.

Ndiheni të lehtësuar?
Fitorja me Naftëtarin i vuri “vulën”.Objektivi ynë ishte i qartë dhe ia arritëm, tani jemi në Kategorinë e Parë. E kishim vlerësuar në maksimum takimin e fundit. Të gjithë ne, staf, lojtarë, presidencë u bëmë njësh me klubin për të realizuar atë ëndërr të vendosur 8 muaj më parë kur ndërtuam ekipin tonë. Janë edhe 180 minuta për t’u luajtur në Kategorinë e Dytë, e radhës me Veleçikun që ishte një ndër rivalët kryesorë gjatë sezonit.

Çfarë Vore do të shohim këtë fundjavë?
Pavarësisht se jemi ngjitur, ne duam pathyeshmërinë. Do të ruajmë ritmin e fitoreve. Synimi pas ngjitjes mbetet fitimi i titullit kampion. Skuadra është më e çliruar dhe sigurisht që lojtarët luajnë pa presionin për të dalë në lojën e tyre. Ne do të luftojmë që edhe ky takim të mbyllet me fitore.

I kënaqur me punën e Mërgjyshit?
Dua të shpreh vlerësim maksimal për punën që profesor Mërgjyshi ka bërë gjatë këtij sezoni. Ekipi ka kaluar shumë prova në një kampionat mjaft të luftuar dhe me shumë skuadra rivale. E megjithatë, ne u bëmë ballë 4 javë para fundit. Kjo nuk është pak për një trajner.

Çfarë ju mbetet si ëndërr e parealizuar deri tani?
Ëndërr e parealizuar për momentin mbetet ngritja e trofeut si kampionë të së Dytës. Për këtë skuadra nuk ka bërë pushime ende, edhe pse në kalendar e kishim një javë të tillë. Duam që të ruajmë ritmin dhe jemi gati për finalen e madhe. Por fillimisht të marrim trofeun e grupit tonë. E mbyllim me Murlanin sezonin dhe ajo ditë do të jetë festë në stadiumin “Vora”. Do të shihni një spektakël të vërtetë. Do të festohet para tifozëve, të cilët na kanë mbështetur vazhdimisht dhe ne jemi krenarë për lojtarin tonë të dymbëdhjetë.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"