Vora-Oriku, sot ora 13:00/ Geci: Fokusi te sfida me Kukësin në kampionat, por si fillim kualifikohemi në Kupë
Ndërprerja e kampionatit e gjen Vorën me ngjeshje kalendari, pasi luajnë në Kupë dhe kampionat. Skuadra e drejtuar nga trajneri Arian Bellai, në turin e dytë të Kupës përballet me Orikun, që në raundin e parë eliminoi Lushnjën.
Vorakët duhet të kenë kujdes nga Oriku, pasi ka treguar se di të bëjë dëm. Të hënën e 25 nëntorit, Vora do të jetë përballë Kukësit në transfertë për javën e 13-të të kampionatit. Në lidhje me këto dy takime, lojtari i linjës së majtë të Vorës, Sergeso Geci u shpreh besimplotë për kalimin me sukses. ”Ndeshja e Kupës është një mundësi e mirë për lojtarët që kanë patur pak minuta, por edhe si një frymëmarrje për ekipin para sfidës së kampionatit me Kukësin. Ne do të luftojmë për fitore në të dyja takimet. Në Kupë kërkojmë të shkojmë sa më gjatë.
Me Orikun do të fitojmë, por vëmendja jonë është te Kukësi”, u shpreh Geci për “Panorama Sport”. Vora do të përballet sot, ora 13:00, me Orikun në Kupë, që në letër konsiderohet kundërshtar i lehtë. Por takimi ka vlerësimin e stafit teknik, që do hedhë në fushë një formacion të përzier me lojtarë titullarë dhe të rinj. Në varësi të ecurisë së ndeshjes, në pjesën e dytë mund të ketë hapësira më të zgjeruar për lojtarët e rinj.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"