Vora s’e ndal “Vrapin” me Ruzgis, formalitetin edhe kundër Burrelit. Bicaj e ka me gjykimin. Bellai: Fituesi nuk gjykohet në fund
Vora nuk ka të ndalur në rrugëtimin e saj, ku dje ka mundur Burrelin në shifrat 2-0. Me këtë sukses vorakët janë të parët, por presin se si do të dalë Flamurtari sot për të folur më pas për kryesimin. Burreli nga minuta e 35-të mbeti me 10 vetë, pasi u ndëshkua me karton të kuq portieri Dani.
Serinë e fitores e hapi Vrapi dhe “vulën” ia vuri i zakonshmi Ruzgis. Loja nis nën diktatin e vorakëve, që i shtyjnë matjanët në gjysmëfushën e tyre. Në të 12-ën, Kasalla godet i vetëm përballë Danit, por jashtë kuadratit. Matjanët kundërpërgjigjen në të 15-ën. Ata sulmojnë rrezikshëm duke depërtuar në zonën e Vorës, por Ramos nuk arrin ta kontrollojë topin duke ia dhuruar mbrojtjes vorake. Në të 35-ën, vendasit fitojnë një goditje dënimi, pasi portieri Dani e kapi topin me dorë jashtë zonës dhe ndëshkohet me karton të kuq. Goditja i besohet Vrapit, që mposht Dreshajn zëvendësuesin e Danit, 1-0. Në të 43-ën, ishte Ruzgis që dyfishon shifrat me një goditje me kokë, pas devijimit të një krosi të ardhur nga e majta e sulmit. Këtu mbyllet edhe fraksioni i parë. I dyti nis i ekuilibruar.
Matjanët mobilizohen dhe që në nisje kërkojnë të shënojnë. Në të 50-ë, Burreli sulmon me shpejtësi, por sapo matjanët futen në zonë, mbrojtja e largon topin në këndore. Minuta 58, Vora ekzekuton një goditje dënimi nga e majta e sulmit, që krosohet nga Lika, por topi largohet nga portieri Dreshaj. Vorakët sulmojnë në të 62-ën, por gjuajtjen e Likës e grushton në këndore Dreshaj. Në të 77-ën, Burreli sulmon portën vorake me anë të Osikel, por ky gabon. Kundërpërgjigjet Vora në të 81-ën, që sulmon deri zonën matjane, por Fetaj me ndërhyrjen e tij e largon rrezikun. Dalipaj në fund ndëshkohet me karton të kuq, pas dy të verdhëve. Edhe 3 minutat shtesë nuk e ndryshuan dot fatin e ndeshjes. Me këtë fitore, vorakët mbajnë të vetëm kreun.
VORA – BURRELI 2 – 0
GOLAT: Vrapi 36′, Ruzgis 43′
VORA: Ruçi, Ismaili, Imami (Marinaj 77′), Sheh, Avdiu (Sefa 54′), Vrapi, Aneni (Dalipi 60′), Tabaku, Kasalla (Lika 46′), Bardhi (Ntepe 77′), Ruzgis,; (Në dispozicion: Jata, Nikqi, Duka, Rushiti, Geci). Trajner: Arian Bellaj
BURRELI: Dani, Xhakaj, Muriel (Dedgjonaj 59′), Shkalla, Helio, Fetaj, Arango (Pjetraj 74′), Fetaj, Hoti, Osikel (Paloka 59′), Ramos (Dreshaj 35′), Farruku (Pasmaçiu 59′); (Në dispozicion: Rrapi, Murra, Dushkaj, Pasmaciu, Sina, Musolli). Trajner: Ditmar Bicaj
Kartonë të verdhë: Avdiu 52′, Dalipi 65′, 90’/Osikel 13′, Shkalla 17′
Kartonë të kuq: Dani 35’/Dalipi 90′ (2kv)
Gjyqtarë: E. Bastari, N. Rrapaj, E. Fejzullahu, O. Sokoli
Vëzhgues: G. Maloku
Delegat: E. Shera
Trajneri i Vorës
Bellai: Rifreskova ekipin, fituesi nuk gjykohet në fund
Trajneri i Vorës, Arian Bellaj, pas fitores me matjanët për “Panorama Sport” u shpreh: “Dua ta nis me një ‘bravo’ për çunat, që bënë një lojë të pëlqyeshme. Ne e dinim se Burreli ka një ekip mjaft të përgatitur, ndaj mban edhe atë pozicion në tabelë. Pas ndeshjes me Besën duhej rifreskuar ekipi dhe ia dolëm. U mobilizuam që në fillim dhe gjetëm dy herë portën kundërshtare. Kjo na qetësoi. Ndryshe nga pjesa e parë, në të dytën ekipi nuk ishte në lartësinë e duhur. Kjo u reflektua edhe në rezultat, pasi nuk konkretizuam. Nuk jam fort i kënaqur për këtë pjesë loje, pasi futbollistët duhet të japin maksimumin gjatë gjithë lojës, deri në fund. Gjithsesi, fituesi nuk gjykohet. Sa i përket mundësisë për të realizuar objektivat. Mendoj që ekipi që kam në dispozicion, do t’ia dalë deri në fund. Ekipi po interpreton në fushë shumë mirë atë që bëjmë në stërvitje. Po punuam fort dhe po qëndruam me këmbë në tokë, objektivi arrihet”.
Trajneri Bicaj e ka me gjykimin
Trajneri i Burrelit, Ditmar Bicaj, pas ndeshjes tha: “Jam i kënaqur me lojtarët dhe mënyrën se si e menaxhuan lojën deri te kartoni i kuq. Nuk kam ndërmend që të merrem me arbitrin edhe pse u nxitua në këtë gjykim. Ne kemi pretendimet tona kur luanim me 11 lojtarë në fushë, për një penallti të pa dhënë. Çunat e kontrolluan lojën dhe më pëlqeu shpirti i garës. Humbëm një ndeshje që s’duhej ta humbisnim. Gjithsesi, ky është futbolli. Rivali ynë nuk është Vora”
PRENG GJIKOLAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"