Vora-Valbona, sot ora 16:00/ Lika: Vlen vetëm fitorja ndaj tropojanëve. Masha: Sfidë e veçantë, i ndalim vorakët
Humbja 3-0 në Vlorë me Flamurtarin ishte e papritur për Vorën dhe duhet lënë pas, sepse sot e pret një ndeshje tjetër jo e lehtë kundër Valbonës, debutuese në të Parën, por “kafshatë e lehtë”. Megjithatë, vorakët kanë treguar se janë mjaft të fortë në fushën e vet.
Çast nga një përballje mes Vorës dhe Valbonës para dy vitesh
Ata synojnë të dalin sërish te fitorja, për ta harruar atë humbje të dhimbshme me Flamurtarin. Trajneri Bellai ka bërë llogaritë që Vora të mos diskutojë rezultat tjetër përveç fitores. Para kësaj ndeshje ka folur sulmuesi Gresild Lika, që shprehet se skuadra hyn në fushë me vetëm një synim. “Ne kundër Valbonës do të futemi në fushë vetëm për fitore. Asnjë rezultat tjetër nuk do të jetë i pranueshëm. Për sa i përket humbjes në Vlorë kundër Flamurtarit, mund të them se ka ndikuar shumë mbivlerësimi që ne i bëmë kundërshtarit.
Duke njohur cilësitë tona, duhet të kishim sulmuar më shumë se sa të rrinim të mbyllur në mbrojtje. Kjo mund të ketë qenë një arsye, por tashmë ne shohim përpara për të mos humbur terren”, u shpreh ish-sulmuesi i Partizanit.
Masha: Sfidë e veçantë, i ndalim vorakët
Valbona do të luajë sot, ora 16:00, në Vorë kundër ekipit vendas, ku do të kërkojë të bëjë rezistencë dhe të sigurojë pikë. Kjo është një sfidë ish-ësh për tropojanët, pasi emra si Mashi, Lamçe, Kovaçi, Rosaj apo Lala kanë qenë pjesë e kryeqytetasve kur militonin në kategoritë më poshtë. Sakaq, Gega do ta ndjekë këtë ndeshje nga tribuna për shkak të një pezullimi nga Disiplina që në ndeshjen e Burrelit. Skuadra e Valbonës vjen pas një barazimi në Burrel dhe fitores në fushën e vet me Erzenin.
Para këtij takimi ka folur kapiteni i Valbonës, Agustin Mashi. “Do të jetë takim i veçantë për mua, sepse te Vora kam luajtur për 5 vite, madje edhe si kapiten deri në ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ne vijmë në këtë takim nga dy rezultate pozitive. Grupi është i ri dhe po harmonizohet çdo ditë dhe më shumë. Si unë, edhe trajneri Gega kemi punuar shumë, sidomos në anën psikologjike. Në takimin kundër Vorës shkojmë për rezultat pozitiv”, u shpreh Masha.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"