Vuthaj dhe Xhoel kanë shënuar vetëm nga një herë, Egnatia pret shpërthimin e sulmuesve kundër Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2024 | 8:31

Vuthaj dhe Xhoel kanë shënuar vetëm nga një herë, Egnatia pret shpërthimin e sulmuesve kundër Bylisit

Për fatin e mirë të Egnatias, ndeshja e radhës vjen shumë shpejt. Sot rrogozhinasit do të presin Bylisin për javën e 5-të të kampionatit dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për të fshirë nga memoria humbjen e Shkodrës, ku kampionët në fuqi ishin hija e vetvetes.

vuthaj

Pas barazimit me Tiranën dhe humbjes me Vllazninë, skuadra e trajnerit Tetova është “e dënuar” për t’u kthyer te fitorja në ndeshjen e nesërme. Në të kundërt, Egnatia do të futej në një minikrizë që në fillim të kampionatit. Në këto pak ditë kohë që ka pasur në dispozicion, stafi teknik është mundur ta përgatisë skuadrën për të bërë kthesën kundër Bylisit, që në këtë start të kampionatit ka befasuar me rezultatet që ka arritur.

SULMI – Në këto 4 ndeshje të luajtura deri tani, kampionët në fuqi të Superiores kanë pasur problem rendimentin e dobët të sulmit. Rrogozhinasit kanë shënuar 6 gola, por vetëm 2 prej tyre mbajnë firmën e sulmuesve dhe konkretisht të Vuthajt dhe Xhoel. I pari, i ardhur në skuadër gjatë merkatos së verës, realizoi që në ndeshjen hapëse kundër Dinamos me penallti, po ka mbetur aty. Vuthaj nuk ka shënuar ende një gol me aksion dhe ka qenë nga më të kritikuarit në rrjetet sociale prej tifozëve rrogozhinas, të cilët janë mësuar të shohin sulmues të nivelit të lartë sezonet e fundit. Xhoel shënoi në ndeshjen me Laçin, ndërsa dy ndeshjet e fundit i ka nisur nga stoli.

Katër golat e tjerë të Egnatias janë shënuar nga mbrojtësi Fangaj dhe mesfushorët Lushkja, Ujka dhe Zejnullai. Në këtë këndvështrim, ndeshja e nesërme me Bylisin është një shans shumë i mirë për sulmuesit të zhbllokohen dhe të gjejnë rrugën e rrjetës. Skuadra ka nevojë për golat e tyre në këtë moment. Mbetet për t’u parë, nëse trajneri Tetova do të preferojë të luajë sërish vetëm me Vuthajn në repartin e avancuar, apo me dy sulmues të deklaruar.

Rrogozhinasit kanë në skuadër edhe sulmues të tjertë, si Bakajoko, i cili nuk ka debutuar ende në Superiore për shkak dëmtimi, Kasa që gjithashtu ka pasur probleme fizike, apo edhe Drame dhe afrikanin Jahaja. Shpresat më të mëdha janë te Soumaila Bakajoko, i cili është afruar tek Egnatia për trë bërë liderin e sulmit, por dëmtimi që pësoi në ndeshjet europiane e ka mbajtur jashtë deri tani. Lojtari nga Bregu i Fildishtë është pranë rikthimit dhe koha do të tregojë, nëse vërtet 22-vjeçari është i denjë për të udhëhequr sulmin e kampionëve të Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"