Xhafa: Pjesa më e madhe e përgjegjësisë bie mbi mua, ka vetëm një rrugë për kthesën e Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2024 | 14:20

Xhafa: Pjesa më e madhe e përgjegjësisë bie mbi mua, ka vetëm një rrugë për kthesën e Lushnjës

Lushnja e mbylli me humbje fazën e parë të kampionatit, teksa u mposht në “Roza Haxhiu” nga Valbona me shifrat 0-2. Lushnja i mbylli fazën e parë me 12 pikë, po aq sa Apolonia, ndonëse lushnjarët janë të tetët.  Është e njëjta kuotë pikësh, krahasuar me një vit më parë.

xhafa me lushnjen

Ndërkohë, një fitore dhe dy humbje për trajnerin Erion Xhafa që mori drejtimin e skuadrës në javën e nëntë të kampionatit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Xhafa analizon situatën, kur faza e dytë do të nis menjëherë, teksa të premten presin Korabin në “Roza Haxhiu”.

Xhafa, çfarë ndodhi me Lushnjën ndaj Valbonës?

E kishim parashikuar një ndeshje të vështirë dhe ashtu doli. Kundërshtari u mbrojt me forca të shumta duke na i ngushtuar shumë zonat. Nuk arritëm dot të ishim të shpejtë në qarkullimin e topit dhe në ndërrimin e krahut të lojës. Kështu, për kundërshtarin u bë më e lehtë për t’u mbrojtur. Megjithatë, arritëm të krijonim raste të pastra për shënim, duke goditur edhe dy herë shtyllën vetëm në pjesën e parë, por fati nuk ishte me ne. Edhe kur pritej që ne të shënonim, edhe pse nuk ishim brilant në lojën tonë, pësojmë, në dy kundërsulme të vetme. Ky është futbolli, kur nuk shënon e pëson.

Një humbje e papritur…

Ishte një humbje e papritur pasi vinim nga dy ndeshje të mira. Njëra e fituar dhe tjetra e humbur pa meritë, ku kemi luajtur një futboll të kënaqshëm. Kemi harxhuar shumë energji fizike, por kryesisht mentale. Kjo na uli pak kualitetin e lojës dhe qetësinë në metrat e fundit.

Kush i mban përgjegjësitë për këtë humbje?

Për sa i përket përgjegjësisë, pjesën më të madhe e kam unë. Do të jetë gjithmonë kështu. Përderisa ekipin e stërvit dhe e përgatis unë ekipin, atëherë është e drejtë që ajo të bjerë mbi mua.

Pse mungoi goli me Valbonën, duke ditur se i shënuat 5 Kukësit dhe 1 Flamurtarit?

Duhet të jemi më cinik dhe të “këqij” përpara portës. Kemi krijuar volum të madh loje edhe pse nuk kemi qenë brilant. Loja u zhvillua thuajse në gjysmëfushën e kundërshtarit, ku kemi krijuar mjaftueshëm raste, por nuk arritëm të konkretizojmë. Mos dalja te goli na nervozoi pak. Na bëri ta humbnim qetësinë për të qenë rezultativ në zonën e kundërshtarin.

Çfarë shikoni ndryshe pas kësaj disfate?

Nuk shikoj asgjë ndryshe. Jam besimplotë te ekipi edhe ndaj Valbonës kërkuan deri në fund për ta fituar ndeshjen. Sigurisht, kemi shumë punë për të bërë dhe për të përmirësuar. Është një humbje që dhëmb. Më vjen keq për djemtë dhe tifozët, sepse meritojnë më shumë.

Koha është e shkurtër, të premten do të luani në shtëpi me Korabin.

Një tjetër ndeshje e vështirë, si të gjitha të kampionatit, por ne do ta përgatisim dhe do të luajmë për ta fituar. Të ndërgjegjshëm për vështirësinë që na pret.

Çfarë duhet për t’u rikthyer te fitorja?

Kokën poshtë dhe të “pedalojmë”. Punë, vetëm puna na çon te fitorja. Nuk njoh rrugë tjetër.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"