XHUDO/ Fantastike, Distria Krasniqi e para në ranglistën botërore
Kosova vazhdon të shënojë arritje të mëdha me sportin e xhudos. Përditësimi i fundit i ranglistës botërore të këtij sporti e ka kaluar Distria Krasniqin në vendin e parë në botë për në kategorinë e peshave deri në 52 kilogramë.
Distria ishte e dyta, pas Chelsie Giles të Britanisë së Madhe, por në renditjen e re të publikuar dje, kampionia kosovare ka marrë kryesimin, duke udhëhequr me 7275 pikë, ndërsa Giles ka zbritur në vend të dytë me 7010 pikë. Distria Krasniqi në Botëror u rendit e pesta, duke marrë 720 pikë dhe kjo i mundësoi asaj që të ngjitej në krye të ranglistës botërore. Kjo nuk është hera e parë për sportistet e Kosovës që mbajnë kryesimin botëror në xhudo, pasi më parë këtë gjë e kanë bërë edhe Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kg dhe Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kg.
Nora Gjakova në klasifikimin aktual ka fituar dy pozicione, teksa renditet në vend të gjashtë në kategorinë e peshave deri në 57 kg. Laura Fazliu ka humbur dy vende dhe tani renditet e 13-ta në kategorinë deri 63 kilogramë. Loriana Kuka ka humbur një pozicion dhe tani është e 23-ta në kategorinë deri 73 kilogramë. Erza Muminoviq renditet e 68-ta në kategorinë deri 52 kg, duke fituar 10 vende.
Flaka Roxha zbriti një shkallë dhe tani është e 35-ta në 57 kg. Ndërsa Akil Gjakova është i 50-ti në kategorinë deri 73 kg, duke u ngjitur me tri pozicione. Për sa u përket xhudistëve të Shqipërisë, pozicionimin më të mirë e mban Indrit Çullhaj, i cili renditet në vend të 343-të në peshat deri 73 kg.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"