“Xingu” i çuditshëm në stol, dy serbë përballen në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2024 | 10:38

“Xingu” i çuditshëm në stol, dy serbë përballen në Shqipëri

Ndoshta për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar dy trajnerë serb vihen përballë njëri-tjetrit në drejtim të dy skuadrave të Kategorisë Superiore.MixCollage-30-Oct-2024-10-38-AM-7425Kjo e veçantë ndodh sot, në 17:00 në stadiumin “Skënderbeu”, aty ku Gvozdenoviç dhe Veselinoviç synojnë fitoren në stolat e korçarëve dhe Partizanit. Ndikuar edhe nga diferenca e moshës, karriera nuk i ka përplasur së bashku këta dy emra, por përgjatë viteve kanë kaluar nëpër stacione ku njëri ka shkelur më parë apo më vonë. Ajo që vihet re është se të dy kanë një të shkuar si trajnerë në vendet arabe.

Gvozdenoviç ka drejtuar në të shkuarën në Jordani, Arabinë Sauditë dhe Jordani, teksa Veselinoviç vjen te Partizani pas eksperiencave në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Për më tepër Gvozdenoviç ka luajtur si lojtar me Vojvodinën në vitin 2010 aty ku afro shtatë vite më pas Veselinoviç drejtonte nga stoli. Si lojtar trajneri i Skënderbeut ka një eksperiencë më të pasur, pasi gjatë karrierës ka provuar të veshë fanella si Crvena Zvezda, Klub Bryzh, Dinamo Bukuresht apo Metz, për ta mbyllur karrierën në vendin tonë me Tiranën, Skënderbeun e në fund me Kukësin.

Si futbollist, Veselinoviç ka luajtur me Beçej apo Radniçki në Serbi, por edhe me Molenbek, Aris Selanik, Spartak Varna dhe Hajduk Split. Të dy trajnerët në karrierën si futbollistë luanin si mbrojtës. Sakaq, duhet thënë se Gvozdenoviç prej vitesh është vendosur në Shqipëri dhe arrin ta zotërojë shumë mirë gjuhën tonë. Veselinoviç ka ardhur vetëm para dy muajsh, por ajo që vihet re është se parapëlqen të përshëndesë në gjuhën tonë, pra nuk ka komplekse në këtë aspekt.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"