Ylli që u rendit e dyta te “Topi i Artë” erdhi nga Parisi dhe u ul në stol, Norvegjia e femrave i shkakton humbje historike Shqipërisë
Shqipëria e femrave ka mbyllur sot pjesëmarrjen në play-off për kualifikueset e Europianit me një humbje të dyfishtë. Ashtu siç pritej, vajzat kuqezi janë mundur edhe në ndeshjen e dytë nga Norvegjia, por këtë herë me një rezultat më të thellë se ai 5-0 në Shkodër pak ditë më parë.
Diferenca mes dy skuadrave ka qenë shumë e madhe, pasi Norvegjia ka dominuat plotësisht ndeshjen, duke shënuar 9 herë në portën e vajzave kuqezi, për të bërë këtë një disfatë historike, Në fakt, Shqipëria nuk mundej me një rezultat kaq të thellë që kur pikërisht Norvegjia në vitin 2014 na mundte me shifrat 11-0.
Këtë sukses Norvegjia e arriti edhe pa yllin e kësaj skuadre, Karolin Graham Hansen, e cila qëndroi në stol. Një natë më parë, ajo kishte qenë në Paris, duke marrë pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë”, ku u rendit e dyta pas Aitana Bonmati.
Para ndeshjes së sotme, Federata Norvegjeze organizoi edhe një ceremoni të vogël për të nderuar këtë arritje të futbollistes së saj.
Megjithatë, Norvegjia qartësisht nuk kishte nevojë për ndihmën e saj para vajzave kuqezi, duke triumfuar me lehtësi, pasi në fushë kishte shumë yje të tjerë, si autorja e golit të tretë, Ada Hegerberg, e cila është fituesja e parë e “Topit të Artë” për femra në histori. Edhe kjo e fundit, qëndroi në fushën e lojës vetëm në pjesën e parë të takimit.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"