Zbardhen prapaskenat/ Juvja sfidon Milanin, gati t’i rrëmbejë Tomorin… si Kalulu
Një lajm i bujshëm po qarkullon ditët e fundit në mediat italiane për një tjetër mbrojtës që Juventusi mund t’i rrëmbejë Milanit. Këtë herë bëhet fjalë për Fikajo Tomorin i cili mund të largohet në janar nga Milani dhe nga kjo situatë mund të përfitojë Juventusi. Mediat italiane flasin për një situatë të ngjashme me atë të Pier Kalulut që u transferua nga Milani te Juventusi dhe tashmë është duke shkëlqyer nën drejtimin e Tiago Motës.
Xhuntoli ka filluar nga puna që t’i rrëmbejë edhe mbrojtësin anglez Milanit, edhe pse situata nuk duket shumë e lehtë. Kohët e fundit Fikajo Tomori e ka humbur vendin e titullarit te Milani dhe kjo ka bërë që mbrojtësi të mendojë seriozisht largimin nga Milano.
Në vend të tij Fonseka ka preferuar më shumë dyshen Gabia-Çau, ndërsa alternativa e tyre është Pavloviç dhe jo anglezi. Kaq ka mjaftuar që ai të krijojë qejfmbetje me klubin, ndërsa nga ana tjetër, “Zonja e Vjetër” është e gatshme t’i ofrojë atij mundësinë që të rikthehet si titullar, këtë herë me fanellën bardhezi.
Megjithatë, Tomori nuk është alternativa e vetme e Juventusit për mbrojtjes. Veç tij, Xhuntoli është duke punuar për të afruar Antonio Silvën si dhe David Hankon. Të dy renditen lart në listën e dëshirave të Xhuntolit.
Gjithashtu drejtori bardhezi po monitoron nga afër edhe Milan Shkriniarin që nuk po gjen dot hapësira te PSG-ja. Në këtë listë nuk duhet anashkaluar edhe emri i mbrojtësit shqiptar, Ardian Ismajli i cili është kërkuar menjëherë pas dëmtimit të Gleison Bremerit. Për Ismajlin ka gjithashtu konkurrencë edhe nga Napoli dhe nga klube të tjera në Itali dhe jo vetëm.
Përgatiti: OREST FLOKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"