Zirkze u zëvendësua mes lotësh në minutën e 33-të, afron largimi. Amorim shpjegohet: Më vjen keq, por duhej të bëja diçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 31, 2024 | 15:08

Zirkze u zëvendësua mes lotësh në minutën e 33-të, afron largimi. Amorim shpjegohet: Më vjen keq, por duhej të bëja diçka

Humbja 2-0 e Mançester Junajtid ndaj Njukasëllit ka shënuar edhe një moment të veçantë, kur në minutën e  33-të, trajneri Ruben Amorim vendosi të largonte nga fusha e lojës Xhoshua Zirkze. Sulmuesi erdhi me bujë në verë nga Bolonja por nuk ka bindur te “djajtë e kuq” dhe largimi i tij tashmë duket thuajse i sigurt pas këtij incidenti.

amorim zirkze

Vetë tifozët e Mançester Junajtid e vërshëllyen atë teksa largohej nga fusha për t’i bërë vend Maino dhe mediat angleze raportojnë se holandezi ka shpërthyer në lot në tunelin e dhomave të zhveshjes, duke e përjetuar shumë keq këtë situatë që është krijuar.

Trajneri Ruben Amorim, pas ndeshjes shpjegoi pse kishte marrë këtë vendim drastik duke larguar lojtarin pa mbaruar pjesa e parë. “Qartësisht kishim ide të ndryshme për lojën, në fillim dhe në fund të analizës të ndeshjes dukej e thjeshtë. Për Xhosh ishte një moment me të vërtetë i vështirë, por ndjeja që duhej të bëja diçka në atë moment. Nuk më pëlqen që t’i bëj një gjë të tillë lojtarëve të mi dhe e ndjeja që po vuante. Por duhej të mendoja për skuadrën, më vjen shumë keq për të”, tha tekniku portugez.

Në një situatë të tillë, ata që fërkojnë duart janë klubet italiane, pasi Juventus dhe Milan po ndjekin me vëmendje situatën e krijuar. Ata kanë shfaqur interes që në verë për lojtarin, por Mançester Junajtid bëri një ofertë shumë më të mirë ekonomike për të, duke siguruar firmën e Zirkze. Gjithsesi, tashmë duket se rrugët mes palëve do të ndahen shumë shpejt pas këtij incidenti të fundit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"