Zyrtari i FSHB-së, Ndoja shpjegon vendimin për të huajt: Lojtarët vendorë ta fitojnë parketin me punë, jo me rregullore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 21:12

Zyrtari i FSHB-së, Ndoja shpjegon vendimin për të huajt: Lojtarët vendorë ta fitojnë parketin me punë, jo me rregullore

Një nga temat më të diskutuara gjatë kësaj periudhe në basketbollin shqiptar është vendimi i FSHB-së për të hequr kufizimin e numrit të lojtarëve të huaj, me rregullin e ri që rikthehet nga ky sezon të jetë sërish pa limit. Gjatë shortit për sezonin 2024-2025, zyrtari i FSHB-së, Klaudio Ndoja, ka shpjeguar vendimin e federatës në lidhje me lejimin e pa kufizuar për të huajt.

NDOJA

“Çdo gjë e re dhe çdo vendim që është marrë është marrë për përmirësimin e këtij sporti, duke filluar nga moshat e deri te të rriturit. Ndryshimi që kemi bërë për të hequr kufizimin e lojtarë të huaj është bërë për të detyruar ekipet për të bërë pak më shumë skauting, për të parë lojtarë që vijnë nga jashtë që të jenë cilësorë. Në këtë mënyrë ne mendojmë që lojtarët që vijnë nga jashtë mund të ndihmojnë lojtarët vendorë që të përmirësohen.

Pra për këtë arsye është marrë edhe vendimi për heqjen e kufizimit për basketbollistët e huaj në kampionatet tona. Ne i kemi parë në kampionatet e huaja dhe nuk kemi shpikur asgjë të re. Kufizimet i kanë dobësuar lojtarët, pra nuk i kanë përmirësuar”, u shpreh Ndoja, trajneri i Kombëtares së femrave dhe njëkohësisht skaut për talentet shqiptare që luajnë jashtë vendit. Më tej Ndoja e vijoi kështu argumentimin e tij në lidhje me këtë çështje:

Klaudio-Ndoja

“Qëllimi jonë është që ti detyrojmë lojtarët vendorë që të punojnë më shumë dhe të jenë më të mirë se ata që vijnë nga jashtë, në mënyrë që fushën ta fitojnë nëpërmjet punës dhe jo falë një rregulloreje që i detyron të jenë në parket. Tani u është dhënë edhe mundësia lojtarëve kur u mbaron mosha me ekipet U18, të kenë mundësi të aktivizohen edhe me moshat U20.

Qëllimi ynë është që të afrojmë sa më shumë të rinj pranë basketbollit, për këtë kemi shtuar edhe aktivitet e moshave”, përfundoi ish-basketbollisti i Kombëtares, i cili prej disa muajsh i është bashkuar stafit të FSHB-së.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"