BESNIK DIZDARI
Dhe ja ku mbërrijmë tash te “jubileu” tjetër. Është jubileu i 10-vjetorit (2016) të rrënimit të Stadiumit Kombëtar, duke ndërtuar mbi rrënojat e tij një stadium modern, por pa pistën e atletikës së lehtë, duke e bërë sot Tiranën, kryeqytetin e vetëm në Europë pa një stadium me pistë atletike. Rrënim ky, i cili po hyn në dhjetëvjetëshin e tij (2016). Çka do të thotë Shqipëria 10 vjet pa pistë atletike! Këta jemi. Më saktë, këta jeni!
Për ndjeshmërinë e një gazetari, pra, kam qenë i pari, jo më 2016, por qysh më 2010, kur në faqet e dy gazetave simotra, “PanoramaSport” dhe sidomos në këtë “Panorama”, që në shkrime analitike e problematike kam kundërshtuar idenë e prishjes së Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Me synimin për t’u ndërtuar mbi “gërmadhat” e tij një i ri, siç do të buçisnin më mbas servilët qeveritarë. Duke heshtur për shumëkatëshet e pafund, që mbinë pra, deri mbi themelet e Stadiumit Kombëtar i ashtuquajturi “Qemal Stafa”. Emërtim ky për nderin e një heroi kombëtar të luftës, që ia zhdukën me prepotencë. Për ta zëvendësuar jo me një emër të madh të sportit kombëtar, por me emrin tregtar “Air Albania” – emërtim ky që siç po thuhet, sapo iku e stadiumi tash, me sa duket është i paemër!
Për fat, historia, qoftë edhe kjo e rrënimeve, gjithmonë thërret. Ajo thërret me një zë ndoshta shpesh disi të heshtur, por mu në këtë heshtje qëndron madhështia e thirrjes së saj, siç pata shkruar qysh 15 vjet më parë. Ajo thërret në kuptimin që nobelisti Hermann Hesse e ka përcaktuar se “historia nënkupton largimin prej kaosit, por në të njëjtën kohë nënkupton ruajtjen e besimit te rregulli”.
Është ky besim në rregull, teksa jemi mu në 80- vjetorin e përfundimit të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” (1945). Sigurisht, nuk të shkon nëpër mend që, bie fjala, Ministria e Ndërtimit, nëse e kemi një të tillë, ta përkujtojë këtë 80- vjetor, me një sesion shkencor kushtuar ndërtimeve të para moderne sportive të Shqipërisë, ku Stadiumi Kombëtar i quajtur “Qemal Stafa” përmbi 60 e më vjet, ishte i rangut europian. Deri aty, saqë në mbledhjen e Beogradit ai u caktua për organizimin e Lojërave Ballkanike 1946 – si “stadiumi më i mirë i Ballkanit dhe një ndër modernët në Europë”
Dhe është vërtet e çmueshme edhe për historinë tonë të kësaj sfere, që Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit Politeknik të Torinos, së voni, ua detyronte si tezë Laure (Diplome), dy studiueseve të reja italiane, Cecilia de Marco dhe Elisabetta Lorusso, me këtë temë: “Njohja, ruajtja dhe vlerësimi i stadiumit “Qemal Stafa” të Tiranës – Shqipëri (“Conoscenza, Conservazione e Valorizzazione dello “Stadio Qemal Stafa” a Tirana – Albania”).
Do të ndodhte që dëshira e Mbretit Zog I, thuajse rrufeshëm, pat kaluar te një tjetër mbret, te Viktor Emanueli III, Mbret i Italisë, i Shqipërisë dhe perandor i Etiopisë, kur nënsekretari i shtetit, Zenone Bonini paraqiti skemën për “Ndërtimin e terreneve sportive në Shqipëri”, duke jetësuar dekretin e dhjetorit 1939. Do të realizohej projekti i të famshmit Ing. Gherardo Bosio. Një kryevepër arkitektonike, që sot pa mëshirë e kanë denatyruar.
Ky do të ishte Stadiumi Kombëtar në Tiranë kundër të cilit 10 vjet më parë, gati u voll vrer me epitete të pamshirshme si të ishte një armik i gjallë… Ky ishte stadiumi në tribunën e të cilit do të mbërrinte deri dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), Huan Antonio Samaranch, prej ku më 29 mars 1995 do të duartrokiste fitoren e Shqipërisë 3-0 në ndeshjen e Kampionatit Europian të futbollit kundër Moldavisë. E sa e sa prani të tjera të pafund. Mbi të gjitha sa e sa ngjarje sportive të pafund…
”Stadiumi i ri kërkon edhe atletikën e lehtë”, siç pata titulluar një shkrim tjetër, kur të shumtë, me gazetarë e pseudogazetarë, heshtnin. Madje i thurnin lavde stadiumit të ri pa pistën e atletikës. “Mbretëreshës së sporteve” pra, të cilën në Shqipëri një Luiza Gegë e vetme kërkon ta shpëtojë. Nuk e shpëton dot. Sa vjet ka Shqipëria pa zhvilluar në tokën e saj një veprimtari ndërkombëtare në atletikën e lehtë? Dekada të tana! Është i vetmi vend në Europë që nuk zhvillon asnjë veprimtari ndërkombëtare të atletikës së lehtë në stadiumin e vet. Ndonëse kjo tokë atletike, me gjithë modestinë e vet, ka rritur, ka formuar, ka përgatitur për atletikën botërore deri dy herë Kampionen e Botës, Kampionen e Europës, Nënkampionen Olimpike dhe Rekordmenen e Botës në shtizë, Mirela Manjani (nuk ka rëndësi nëse nën flamurin e Greqisë), që me rezultatet e saj botërore për moshën, ka garuar me bujë rezultatesh në pistën-pedanë të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Prej ku për Shqipërinë ka mbërritur deri Nënkampione e Europës për të rejat. Më e pakta një pistë atletike meriton emrin e saj.
Pat ndodhur ndërkohë, më 16 korrik 1971, që ky stadium shqiptar t’i blatonte në mënyrën më spektakolare të nivelit botëror, pistën – pedanë të kërcimit legjendarit Nih Çih Çin. Njeriun i cili në këtë pistën-pedanë të “Qemal Stafës”, pra, kërkoi të thyente rekordin e tij botëror të kërcimit së larti (2.29) duke arritur 2.25 metra – rezultati më i mirë i vitit në Botë! Garë të cilën si gazetar i “Bashkimit” e kam ndjekur mu te pedana e kërcimit. Madje në pushim, në të ndërmjemë të garës, kam arritur të shkëmbej me atletin e jashtëzakonshëm po të një thjeshtësie të rrallë, edhe një bisedë të shkurtër përmes përkthimit nga gjuha kineze të kolegut të çmueshëm Enver Muça. Kryeredaktori i paharrueshëm Niko Nishku, i dha vend në faqen e parë të “Bashkimit”. Sigurisht nuk harrojmë as medaljen e parë ndërkombëtare (argjendi) e fituar prej një shqiptari në një lloj sporti: Behlul Hatibi në 110 metra me pengesa në Kampionatin Ballkanik të Atletikës së Lehtë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” më 1946. E marr me mend që nuk e dinë se ky Kampionat Atletik i Ballkanit të Stadiumit tonë Kombëtar së bashku me atë të futbollit, janë dy aktivitetet e para ndërkombëtare sportive të Europës mbas Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria e sotme ka vendosur të mos zhvillojë më një veprimtari atletike në tokën e saj. Harron se edhe këto organizime janë pjesë e integrimit europian të një shteti.
Nuk mund të harrohet dita kur dhjetë vjet më parë, kthetrat e buldozerëve u ngulen mbi trupin e pistës me tartan dhe e shkatërruan pa mëshirë. Mbi të gjitha, duke mos e zëvendësuar askund. Dhe duke harruar se Kombëtarja e parë e Shqipërisë me fanelat kuq e zi, për çka sot buçasin, tash e parë, këngët “nacionaliste”, nuk është ajo e futbollit. Është ajo e atletikës së lehtë si pjesëmarrëse e parë e Lojërave Ballkanike të Athinës më 1933. Në këtë vit dhe prej këtij sporti, që është atletika e lehtë, është themeluar kostumi ynë kombëtares kuqezi.
EPILOGU: PSE STADIUMI MODERN NUK TËRHEQ SPEKTATORË
Kështu pra, tribunat e stadiumit që dikur quhej “Qemal Stafa”, e deri para pak “Air Albania”, po mbeten gjithnjë e më bosh. Ose për të qenë sa më të vërtetë, po mbushen – ndonëse edhe në këtë rast gjithnjë më pak – vetëm kur luan Kombëtarja dhe gjysma e tribunave të tij kur luan SK Tirana me Partizanin, si dhe për koncerte!? Dhe vetëm kaq.
Ndërkohë, përreth tribunave të tij, “të tërheqin” kafenetë, hoteli qiellor, që të duket se kërcënon tribunat tepër të ulta përballë tij si dhe fushën e blertë. Ky është një stadium i futbollit ku më shumë se fusha e blertë dhe tribunat e boshatisura, zhurmon prej tryezave të kafeneve dhe hotelerisë. Çfarë problemi fatkeq! “Nuk më bëhet me shkue”, – siç më thoshte një tiranas i vjetër, dashamir i madh i sportit e futbollit – ngaqë kur afrohem, përreth tij më shumë shoh gota pijesh të llojllojshme e filxhanë kafesh, se sa, qoftë dhe diçka të vogël, të një mjedisi sportiv”.
Dhe duke qenë se koncertet tregtare prishin fushën e sapo bërë të futbollit të këtij stadiumi me gjasë mbarëkombëtar, javët e fundit e degdisën pa mëshirë Sportklub Tiranën të shkojë e të luajë ndeshjet e saj kryeqytetase në stadiumet e Korçës, të Vlorës e të Lushnjës! E jo pak, edhe për këtë ndalim për të luajtur në stadiumin e qytetit të saj, SK Tirana humbi plot 7 pikë. Ndeshje këto që po t’i kishte luajtur në Tiranë, vështirë se do të qëndronte në vendin e parafundit të Kampionatit. Ndoshta dikush kërkon ta çojë 28 herë kampionen tonë në Kategorinë e Dytë e ta zëvendësojë me KF Vorën.
Nuk ka në botë një stadium, i cili në shtatë ditët e javës fiton para jo nga spektatorët në tribuna gjatë ndeshjeve të futbollit apo garave atletike, por nga pijet e kafja, si ky i kryeqytetit të Shqipërisë Tiranë.
Sigurisht ai është një stadium modern. E doemos, nuk mund të ndodhte ndryshe, sepse sot çdo shtet i ndërton po modernë stadiumet e tij. Por këtij stadiumi shqiptar në “jubileun” e rrënimit të paraardhësit të tij që quhej “Qemal Stafa”, çuditërisht ditët e tij sportive ia gjen tejet të varfra, e thuajse në boshatisje. Madje deri në të famshmet ndeshje të të ashtuquajturit “Final four” 2024. Ku as gjysma e kapacitetit të tij që është 26.000, nuk u arrit as në ndeshjen e titullit Partizani – Egnatia. Ishin vetëm 11.000! Ndërsa kur luajti Skënderbeu – Vllaznia për vendin e tretë ishin vetëm 500 spektatorë!
Ky stadium nuk pret më tifozët e shumtë shkodranë as kur luan Vllaznia, për çka dikur ata e vinin me biçikleta nga Shkodra. Ky stadium nuk pret më as Flamurtarin e Vlorës e Besën e Kavajës, as Luftëtarin e Gjirokastrës e Tomorin e Beratit, as Apoloninë e Fierit e as KS Lushnjën e Lushnjës. Kësisoj, nuk pret më shumë se gjysmën e skuadrave tradicionale të qyteteve të Shqipërisë! Nuk dihet se çka pret. Sa pak që mbërrin edhe vetë futbolli tek ai!…
Vetëm 19 ndeshje të Kampionatit Kombëtar u zhvilluan në këtë stadium gjatë gjithë vitit 2024! Normalisht, duke qenë se ka dalë jashtë funksionit stadiumi “Selman Stërmasi”, me tri skuadra që ka Tirana, këtu duhej të zhvilloheshin 60 ndeshje! Ai po kthehet si një kullë e fildishtë, por jo! Në të vërtetë, ai e ka kullën mbi supet e tij. Është kulla kërcënuese e biznesit që mposht egërsisht sportin.
I keni harruar të gjitha këto. Prandaj ua rikujtuam. Madje keni harruar edhe një fort të rëndësishme, kur ne shkruam me dhjetëra herë: lëreni në vendin e vet monumentin historik të kulturës kombëtare që është Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”! Ndërtoni një të ri në një zonë tjetër të Tiranës, që përreth ka gjithë atë tokë. Meritoni të dënoheni, mbase edhe ligjërisht, që nuk vepruat kështu, duke ia hequr mundësinë Tiranës për të pasur një stadium më tepër, aq të nevojshëm, ku sot në këtë kryeqytet jetojnë një e treta e popullsisë së Shqipërisë. Por ju doni më fort kullat, që siç po thonë, do t’ia marrin frymën edhe stadiumit të ri “Selman Stërmasi” apo atij të Durrësit “Niko Dovana”
Megjithatë, ndoshta nuk do të guxoni t’i zhdukni këto dy emra të historisë së vërtetë të sportit shqiptar, teksa keni mbushë rrugët e Tiranës me emra shumë më pak të merituar të historisë sonë. Se sa, bie fjala, të një Luigj Shale, Petër Andoni, Riza Lushte, Naim Kryeziu, Refik Resmje apo Panajot Pano, sa për të përmendur vetëm këta…
Të mjerët ne! Jo, jo, të mjerët ju! Sa mbrapa që jeni!…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al