Statistikat/ Champions, PSG-Bajern në kërkim të “rilindjes” në 2023

Feb 13, 2023 | 22:29
SHPËRNDAJE

Melodia e Ligës së Kampionëve do të marrë sërish jetë në vitin 2023, aty ku prezantimi i saj do të realizohet në mënyrë madhështore, konkretisht me përballjen PSG-Bajern Mynih. Data e “dashurisë” do të shërbejë si simbolika më e arrirë për të përkufizuar prezencën e dy superfuqive në arenën e futbollit.

871-Khel-Now-14-copy

Por gjendja aktuale nuk e dëshmon supremacinë në Europë. Vendësit mund të mburren me të drejtë si kampionët në letër, ndonëse dëmtimet dhe paraqitjet e dobëta kanë rrëfyer tjetër qasje. Bavarezët nga kampi i miqve kanë filluar të rigjejnë veten, e përkthyer me goleada dhe spektakël.

SULMI- Trinomi i “Princërve” parisienë, Mesi-Mbape-Nejmar, u projektua si “skulptorët” e duhur për ta gdhendur për herë të parë emrin e Parisit në trofeun më të lakmuar në Europë, megjithatë forma e tyre në këtë vit të ri është e mjerueshme. Në 10 takime të zhvilluara ata kanë korrur sukses vetëm në gjysmën e tyre, ndërsa 4 është numri i disfatave.

Të dhënave në fjalë u shtohen 21 gola të shënuar, kundrejt 13 të pësuarve. Statistika dëshmon se ata nuk janë ekip solid, ndryshe nga fillimi i sezonit 2022-’23. E vetmja paraqitje e denjë mund të konsiderohet sukses në Kupë ndaj Pais de Kasel, ku Mbape shënoi 5 gola i vetëm, por a ia vlen ky kundërshtar për të matur forcën realisht? Edhe pse Kilië mbart status të lartë në kryeqytetin francez, përveç kësaj “manite” rrjetash, ai nuk ka lënë asnjë gjurmë përgjatë 7 dueleve.

Edhe të dhënat e Mesit dhe Nejmarit nuk japin panoramë bindëse, 3 finalizimet e “Pleshtit”, kundrejt 2 të sulmuesit brazilian. Rekordmenët gjermanë përjetuan momente të sikletshme në fillim të vitit 2023, aty ku trisi me barazim krijoi një amulli të vërtetë, ndonëse zgjati pak kohë. Sfidat pasardhëse sollën të tjera ngjyra në lojën dhe rezultatet e kampionëve në fuqi të Bundesligës. 3 ndeshje radhazi që ata shënojnë 3 gola e lart, fakt se janë në “top-formë”.

Kingsli Koman dhe Myler kanë marrë stafetën e liderit, francezi si finalizues i rilindur (3 gola), me mesataren 104′ konkretizim për ndeshje në 2023- shin. Ndërsa Myler i është rikthyer “avazit” me asiste dhe jo vetëm (2 finalizime, 2 asiste). Gjithashtu vlen të theksohet se të dyja ekipet nuk e kanë shënjestrën e saktë kur vjen fjala te goli. Skuadra nga Mynihu nuk e kalon kuotën e 28.5%, kundrejt 27.6%, e cila nënkupton se kampet respektive e vuajnë gjuajtjen decizive. Numri i futbollistëve që kanë shijuar rrugën e rrjetës në këtë cikël analize nga Parisi është 10, 2 më tepër se rivalët nga “Allianz Arena”.

MBROJTJA- Markinjos mban me të drejtë termin “maratonomak” te PSG-ja, si rezultat i minutazhit më të lartë në këmbë për vitin aktual me 810′. Tregues se braziliani ka krijuar kordon të hekurt në skemat e Galtie, edhe pse pa ndonjë efekt specifik, pasi kampionët e Ligë 1 kanë 5 duele që nuk e mbajnë dot portën e pastër.

Gjatë 10 përballjeve të zhvilluara në këtë hark kohor, ata kanë shkaktuar 1 penallti dhe 14 kartonë të verdhë, mesatare e pranueshme për pretendimet e tyre, gjithmonë nëse u referohemi edhe statistikave të kundërshtarit. Bajerni e ka ngushtuar hendekun në mbrojtje, e thënë ndryshe 5 gola të pësuar, mesatarisht 0.8 rrjeta të pësuara për ndeshje.

Gjithashtu vlen të përmendet se dozat e tyre në lojë mbajnë temp të lartë në reagime dhe ndërhyrje, e përkthyer në 14 kartonë të verdhë dhe një i kuq përgjatë 6 dueleve ose mesatarisht 2.33 të verdhë në takim, pa harrur personazhin me më shumë minuta në Mynih, Zomer me 540′, e thënë ndryshe prezent në çdo sfidë. Faullet janë tjetër komponent që e nxjerrin më të papjekur vendësin me 10.7 mesatarisht.

Statistikat e ndeshjes

TRAJNERËT- Kristof Galtie erdhi me detyrën e vetme në krye të dominuesve në ligën vendëse, triumfin në Europë, konkretisht Liga e Kampionëve. Nëse marrim si bazë takimet e fundit nga spektri taktik, shikojmë një trajner të luhatshëm në vendosje. Moduli më i përdorur nga ana e 56-vjeçarit në serinë e 10 “përplasjeve” të futbollit të 2023-shin, kemi tri herë aplikimin e skemës 4-3-1-2, nga dy raste të 3-4-2-1, 4-1-3-2 dhe nga një 4-4-2, 4-2-3-1 e 3-5-2.

Tabloja e mësipërme në planin strategjik pohon se Kristof nuk e ka gjetur modulin e qëndrueshëm në linja të caktuara, çka do të thotë se ata ende vozisin pa busull. Rivalët nuk vuajnë në këtë aspekt, pasi Nagelsman mbetet “patriot” i 4-2-3-1, e cila vazhdon të pasqyrojë maturi në lojë dhe rezultat.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura