“Streha mes reve” e Budinës, një film mbi të vërtetën e tolerancës fetare

Dec 3, 2018 | 9:43
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ E ndodhur në kryqëzime mes Lindjes dhe Perëndimit, një vend sa i “parëndësishëm” nga pikëpamja territoriale aq edhe strategjik gjeografikisht, Shqipëria është vendi i konvertimeve të mëdha.

budina-626x365

Nga paganë në të krishterë, nga të krishterë në myslimanë e më tej në… komunistë e antikomunistë… Kalimet kanë ndodhur paqësisht ose me gjak, me luftë ose me bashkëjetesë… Kjo e fundit ndoshta më shumë e brishtë nga ç’trumpetohet. “Streha mes reve”, filmi më i fundit i Robert Budinës, i cili e nisi rrugëtimin e tij si premierë botërore nga Estonia, në Festivalin e Filmit Tallinn Black Nights, tregon pikërisht këtë: brishtësinë e tolerancës fetare, kur në mes hyjnë të tjera interesa. Për të treguar këtë temë të madhe, që përfshin gjithë shoqërinë shqiptare, Budina niset nga bërthama më e vogël, nga familja. Dhe e gjen atë në Bjeshkët shqiptare, mes një natyre të mrekullueshme, ku duket sikur do të kapësh retë me dorë dhe sikur njeriu jeton në një paqe të përjetshme me natyrën.

45733050_188427642067711_3333075968100139008_n

Dhe pikërisht atje, në atë vend gati të harruar jetojnë paradokset. Në të njëjtën familje jeton një baba komunist me një djalë mysliman, një djalë ortodoks, ndërsa nëna është katolike. Martesat mes feve të ndryshme nuk janë të rralla në Shqipëri. Këtë bashkëjetesë brenda familjes dhe më gjerë, në shoqëri, mes feve të ndryshme, e kanë përkufizuar si “tolerancë”, por ndoshta kjo tolerancë nuk është asgjë më shumë se indiferencë, e cila turbullohet nga interesa që nuk kanë lidhje me punët e Zotit. Filmi i Budinës ndjek dy linja, atë brenda familjes së Besnikut, një bari i “çuditshëm”, besnik ndaj Zotit dhe tufës së dhive që i shkon nga pas, ku pas sëmundjes së të atit komunist ia behin në shtëpi edhe vëllai i konvertuar në ortodoks në Greqi dhe një motër myslimane e mbuluar me shami.

44936487_181631146080694_657801072043098112_n

Ajo e ashtuquajtura tolerancë do të trandet kur në mes hyn pasuria. Nga ana tjetër, regjisori zhvillon një tjetër linjë, po brenda temës së bashkëjetesës fetare. Nën suvanë e xhamisë së fshatit malor fshihet një afresk. Shën Mëria me Krishtin dhe shenjtorët “jetonte” bash aty, ku myslimanët i faleshin Allahut. Dalja në dritë e afreskut do të turbullojë paqen në fshat, pasi tashmë është e qartë se ndërtesa e xhamisë, deri 6 shekuj më parë kishte qenë një kishë, e shndërruar gjatë pushtimit osman. Atëherë e kujt është ajo ndërtesë? Kujt i takon? “O e marrim na, o e marrin kta”, thonë burrat në Bjeshkë… E në fund, më tepër se një pyetje vjen një konstatim “Njerëzit po e dojn shumë Zotin, mos me dekan njeritjetrin?!” Pas Estonisë, filmi rikthehet në Shqipëri për të nisur projektimin në kinematë e Tiranës, prej datës 13 dhjetor.

44882431_181631149414027_9027567175069597696_n

KRITIKA E HUAJ

“Streha mes reve” u shfaq për herë të parë në festivalin e kategorisë A, në Tallin të Estonisë. Pa zhurmë e pa bujë, Budina ka ndërtuar një film që tërhoqi menjëherë vëmendjen e kritikës së huaj. Mediat e specializuara për kinematografinë e thanë të tyren dhe parashikojnë një rrugë të gjatë për filmin, në të cilin ndërthuren një panoramë mahnitëse e natyrës shqiptare, tema, që për të huajt është krejt e veçantë dhe loja e aktorëve, duke e vënë theksin te roli i protagonistit: Besnikut, i cili interpretohet nga Arben Bajraktaraj, aktori shqiptar me një karrierë ndërkombëtare. Revista e kinemasë “Screen Daily”, e ka vlerësuar si një film “të mahnitshëm”.

44954216_181631156080693_6274930099716358144_n

“Drama mes anëtarëve të familjes mund të duket pjesa më e qetë, por nuk ka asgjë të përmbajtur kur bëhet fjalë për gjeografinë mahnitëse të vendit ku ndodh ngjarja. Sfondi i maleve dhe jetët e njerëzve janë fotografuar në mënyrë të shkëlqyeshme dhe për këtë e më shumë, filmi ka të ngjarë të gjejë një audiencë të gjerë në festivale pas shfaqjes së tij në Festivalin e Filmit në Tallinn. Përveç këtij peizazhi, filmi gjithashtu ndan shumë nga etnologjia arthouse film – bariu protagonist një “budalla” i shenjtë – dhe si i tillë, arrin të krijojë një ndjesi të brishtë brenda vetes”, shkruan ndër të tjera “Screen Daily”, duke u ndalur në rolin e Besnikut.

44920421_181631159414026_3657489639834386432_n

“Besniku (Arben Bajraktaraj) ka një cilësi, ai di të jetë në harmoni me komunitetin dhe ritmin e natyrës ku ai jeton. Ai gjunjëzohet për t’u lutur në fushë, mes dhive të tij dhe pastaj thjesht zhduket. Djemtë e fshatit që e spiunojnë, janë të hipnotizuar nga ky vetmitar i heshtur, duke ia atribuuar atij fuqitë mbinatyrore që shkojnë përtej lidhjes me natyrën. Dhe është Besniku, i cili, i udhëzuar nga një instinkt që nuk mund ta shpjegojë, ciflos suvanë në murin e xhamisë së vogël dhe zbulon një fragment të një pikture të lashtë të krishterë”, vijon më tej. Ndërsa “DMovies” shkruan: “Dy fe, një tempull! Drama e vendosur në Shqipërinë e thellë rurale dhe tradicionale trajton një ngjarje shumë të pazakontë: unitetin mes myslimanëve dhe katolikëve, të cilët ndajnë mes tyre një xhamikishë të përbashkët. Por a është e mundur?”

FILMI

Shtëpia Filmike:  Erafilm
Distribucioni:  Pluto Film [email protected]
Producente: Sabina Kodra
Skenarist: Robert Budina
Montazhi: Stefan Tatu
Drejtor Fotografie: Marius Panduru
Muzika: Marius Leftarache
Interpretojnë: Arben Bajraktaraj, Esela Pysqyli, Irena Cahani, Bruno Shllaku, Osman Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura