Çelsi po bën gati një ofertë zyrtare për sulmuesin e Mançester Junajtidit, Alehandro Garnaço. Klubi londinez shfaqi interesin fillestar për argjentinasin javën e kaluar, ndërsa përgjigja nga “Djajtë” ishte se ata kërkonin 65 milionë paund për 20-vjeçarin.
Napoli ka bërë oferta që variojnë nga 45 deri në 50 milionë paund për anësorin, por tani ka hapur negociatat paralele me Borusian e Dortmundit për Karim Adejemin. Menaxherët e Garnaços, Karlos Kambeiro dhe Kike de Lukas ishin në ndeshjen e Çelsit kundër Uolvesit të hënën dhe janë të hapur që klienti i tyre të bëjë lëvizjen në Londër. Ndërsa ai kualifikohet si një futbollist i rritur në radhët e akademisë, shitja e Garnaços do t’i jepte “Djajve” një fitim të qartë dhe hapësirë më të madhe për manovrim në kufijtë e tyre financiarë, veçanërisht pasi ata përballen me perspektivën e moskualifikimit në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.
Junajtid po vazhdon bisedimet me Leçen për Patrik Dorgun, i cili është disa muaj më i vogël se Garnaço dhe do të përshtatej me stilin e lojës së Ruben Amorimit, në rolin e mbrojtësit të krahut të majtë. Çelsi kupton se një ofertë rreth 60 milionë paund, duke përfshirë edhe bonuset, do të mjaftonte për ta mbyllur marrëveshjen me “Djajtë” për Garnaçon, nga i cili kanë marrë garancinë se dëshiron që të transferohet në “Stamford Bridge”.
Menaxherët e Garnaços nuk kanë kërkuar rrogë shumë të lartë nga Mançester Junajtid, pavarësisht se në 18 muajt e fundit niveli i sulmuesit është rritur shumë dhe ai është kthyer në një lojtar kyç në “Old Trafford”. Por edhe kërkesat financiare të sulmuesit te Çelsi nuk pritet gjithashtu që të jenë shumë të larta, pavarësisht se pritet të ketë një përmirësim të shifrave aktuale.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al