Sulm me eksploziv në Gjykatën e Lartë të Brazilit, autori humb jetën pas shpërthimeve! Çfarë iu zbulua në trup

Nov 14, 2024 | 7:48
SHPËRNDAJE

Një burrë, i cili u përpoq të sulmonte Gjykatën e Lartë të Brazilit në kryeqytetin Brasilia mbrëmjen e së mërkurës, raportohet se ka vdekur për shkak të eksplozivit që mbante.

brazil

Ai u gjet i vdekur jashtë ndërtesës pak pasi dy shpërthime tronditën zonën. Kalimtarët thanë se e panë duke hedhur eksploziv përpara shpërthimit. Askush tjetër nuk u lëndua nga shpërthimet, thanë zyrtarët.

Zona është mbyllur dhe një robot për asgjësimin e bombave po përdoret për të kontrolluar trupin e viktimës. Policia tha se ka identifikuar një kohëmatës që mund të jetë i lidhur me pajisje të tjera.

Avokati i përgjithshëm i vendit, Jorge Messias, dënoi sulmin, duke e konsideruar të qëllimshëm dhe u zotua për një hetim të plotë mbi shpërthimet.

“Unë dënoj fuqishëm sulmet kundër Gjykatës së Lartë dhe dhomës së ulët”, tha ai në një deklaratë të postuar për X. “Ne duhet të dimë motivin pas sulmeve dhe të rivendosim paqen dhe sigurinë sa më shpejt të jetë e mundur.”

Imazhet e pubilikuara nga agjencitë e lajmeve treguan viktimën të shtrirë jashtë gjykatës, ndërsa oficerët rrethuan zonën.

“Roboti i Policisë Ushtarake bëri kërkime në trupin e individit që kreu sulmin dhe u identifikua një kohëmatës, dhe ndoshta është i lidhur me eksplozivë të tjerë”, tha zëdhënësi i policisë Maj Raphael van der Broocke.

“Tashmë janë gjetur eksplozivë të tjerë rreth trupit”, shtoi ai. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të kryer këtë kërkim dhe, nëse është e nevojshme, t’i shpërthejmë këto eksplozivë në vend për të parandaluar që ato të shkaktojnë një reaksion zinxhir.

Zëvendësguvernatorja e Brasilia, Celina Leao u tha gazetarëve se shpërthimi kishte ndodhur pasi një burrë iu afrua hyrjes së gjykatës dhe nuk arriti të hynte. Ajo rekomandoi që parlamenti të mbetet i mbyllur të enjten ndërsa hetimet vazhdojnë.

“Ne po e konsiderojmë si një vetëvrasje sepse kishte vetëm një viktimë. Por hetimet do të tregojnë nëse ka qenë vërtet kështu.”

Një dëshmitare okulare tha se kishte parë një burrë që i bënte me dorë përpara se të hidhte eksploziv në ndërtesën e drejtësisë së Gjykatës së Lartë.

“Isha në stacionin e autobusit dhe ky djalë vetëm përshëndeti dhe nuk tha asgjë tjetër”, tha Lavana Costa për TV Globo.

“Pastaj dëgjuam zhurmën. Shikova përreth dhe pashë zjarr e tym. Erdhën rojet e sigurisë së Gjykatës së Lartë [STF]… Ai kishte hedhur diçka në statujën e drejtësisë. Kur rojet e sigurimit të STF po afroheshin, ai hodhi diçka përsëri. Në atë moment ajo shpërtheu dhe ra në tokë.”

Më herët, Gjykata e Lartë tha në një deklaratë se ndërtesa ishte evakuuar si “masë paraprake” pasi u dëgjuan shpërthime. Gjykatësit sapo kishin përfunduar seancën plenare dhe u evakuuan shpejt në mënyrë të sigurtë.

Gjykata ndodhet në Praça dos Três Poderes, përballë sheshit nga zyrat presidenciale. Mediat lokale raportuan se presidenti Luiz Inácio Lula da Silva ishte larguar nga zona pak para shpërthimeve.

Shpërthimet vijnë vetëm një javë përpara se presidenti kinez Xi Jinping të vizitojë kryeqytetin, pas një udhëtimi në samitin e G20 në Rio de Zhaneiro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura