Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një tjetër person, i cili dyshohet të ketë lidhje me shpërthimin e 29 nëntorit në veri të vendit, Zubin Potok.
Personi i dyshuar, i identifikuar me iniciale J.V., u arrestua në orët e mbrëmjes të 1 dhjetorit, “nën dyshimin që mund të ketë pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, u tha në njoftim.
Autoritetet gjyqësore ndaj të dyshuarit kanë caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
Policia tha se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe armë, përfshirë dhe pajisje ushtarake, përfshirë katër granata dore, një pushkë gjuetie, 500 copë municione të kalibrave të ndryshëm, karikatorë të ndryshëm, radiolidhje, dylbi, një kamerë kamoflueuse, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.
“Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Paraprakisht, autoritetet kishin njoftuar për arrestimin e tetë të dyshuarve lidhur me sulmin në fshatin Varrangë të Zubin Potokut.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të dielën se të pandehurit D.V ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimet se ka kryer veprën penale, rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin ndaj infrastrukturës kritike si terrorist dhe e kanë fajësuar Serbinë. Beogradi, ndërkaq, ka mohuar se është përfshirë në këtë sulm dhe ka thënë se po kryen hetimet e veta për këtë rast.
Sulmi ka ndodhur në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar.
Po ashtu, para se të ndodhte sulmi në Zubin Potok, kishte pasur edhe dy incidente me mjete plasëse në veri, një në afërsi të Komunës së Zveçanit dhe një sulm me granata dore në stacionin policor në këtë komunë./REL/
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al