Gjatë ditës së sotme, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u takua me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite që ky i fundit ka zhvilluar në Rusi.
Sipas mediave të huaja, të dy liderët kanë diskutuar mundësinë e dërgimit të një kozmonauti koreano-verior në hapësirë, raporton agjencia e lajmeve RIA, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.
Duke folur pasi Putin dhe Kim përfunduan bisedimet në Kozmodromin Vostochny në lindjen e largët të Rusisë, Peskov tha gjithashtu se ministrat e tyre të jashtëm do të takohen muajin e ardhshëm në Korenë e Veriut.
Por ai shtoi se nuk ka plane që vetë zoti Putin të vizitojë Phenianin.
Takimi midis dy liderëve, presidentit rus Vladimir Putin dhe udhëheqësit të Koresë së veriut, Kim Jong Un ka përfunduar pa asnjë marrëveshje të firmosur, por me biseda dhe garanci për të ardhmen.
Sipas BBC diskutimet tashmë kanë përfunduar dhe lideri i Koresë së veriut është nisur drejt Phenianit me trenin e tij privat, të blinduar.
Sipas agjencisë së lajmeve ruse, udhëheqësi i Koresë së Veriut e siguroi presidentin Vladimir Putin, se forcat e Moskës do të rrëmbenin një fitore të madhe mbi armiqtë e saj.
“Ne kemi besim se ushtria dhe populli rus, do të arrijë një fitore të madhe në luftën e shenjtë për të ndëshkuar grumbullimin e së keqes”, citohet të ketë thënë Kim.
Referuar kësaj deklarate, nuk është e qartë nëse Kim i referohej veçanërisht luftës Rusi-Ukrainë, apo fliste në përgjithësi.
Ndërkohë gjatë drekës zyratre, Vladimir Putin, mësohet se ngriti një dolli për ‘forcimin e ardhshëm të bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve.’
Për mbajtjen e këtij takimi, ka reaguar edhe Kina, një nga aleatet e rëndësishme të Koresë së Veriut dhe një përfituese ekonomike.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha se vizita “kishte të bëntë me marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Rusisë”.
Ajo gjithashtu e përshkroi Korenë e Veriut si “fqinje miqësore të Kinës, duke shtuar se aktualisht “marrëdhëniet Kinë-Kore e Veriut po zhvillohen mirë”.
BBC thekson se Kim ka qenë shumë i zëshëm për forcimin e marrëdhënieve të vendit të tij me Rusinë, duke thënë më herët se lidhjet dypalëshe me Putinin tani janë “prioriteti numër një” i qeverisë së tij.
Ajo çka është e rëndësishme është fakti se Kim deklaroi se Koreja e Veriut mbështet “të gjitha vendimet e Putinit”. Por vlen të përmendet se Rusia nuk ishte kurrë aq afër Phenianit sa ishte Bashkimi Sovjetik. Kjo miqësi e lulëzuar po krijohet në realitetet gjeopolitike të vitit 2023.
Tani për tani, Putin dhe Kim shohin përfitime të mundshme nga një marrëdhënie më e ngushtë. Në këmbim të shitjes së armëve Rusisë, Kim pritej t’i kërkonte Putinit të ndante teknologjinë e avancuar ushtarake, në mënyrë që ai të mund të bënte përparim me programin e tij të armëve. Armët e Moskës mendohet se janë dekada përpara atyre të Phenianit. Një nga fushat ku Kim po përpiqet të bëjë përparim është programi i tij hapësinor. Ai është përpjekur të vendosë një satelit spiun në orbitë dy herë në gjashtë muajt e fundit, por dështoi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al