“Të ardhura të ulëta dhe çmime të larta”- PD reagon për të dhënat e Eurostat: Familjet shqiptare, në kufijtë e mbijetesës

Dec 18, 2024 | 16:43
SHPËRNDAJE

Anëtari i Kryesisë në PD, Grigels Muçolari, në një deklaratë për media, ka komentuar të dhënat e Eurostat për Shqipërinë, duke thënë se familjet shqiptare, edhe pse kanë të ardhurat më të ulëta në Europë, blejnë shumë produkte më shtrenjtë se sa mesatarja e BE.

gligers mucollari

Sipas tij, një qeveri që punon për njerëzit i ka të gjitha mundësitë ta mbrojë familjen shqiptare, ta nxjerrë nga varfëria, dhe të krijojë mirëqenie për qytetarët e vet.

Më pas shtoi se, Partia Demokratike do të vendosë pragun e minimumit jetik 200 euro, do të dyfishojë pagat e pensionet, dhe do të rimbursojë 100 përqind tvsh-në e mallrave të shportës për familjet në nevojë.

Deklarata e plotë:

Të dhënat më të fundit të bëra publike nga Eurostat, tregojnë të vërtetën e dhimbshme të ekonomisë tonë, që është ekonomia familjare. Edhe pse kanë të ardhurat më të ulëta në Europë, familjet shqiptare janë të detyruara të blejnë shumë produkte më shtrenjtë se sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Edhe pse ne jemi një vend i cili duhet të kishte prodhim nga sektorët e bujqësise, fakt është se produktet e bulmetit për një familje shqiptare kushtojnë 20% më shumë se sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Që do të thotë, nëse një familjar në Shqipëri e blen 1 kg djath mesatarisht me 12 euro, nje familjar ne BE e blen në 10 euro.

Ushqimet e tjera janë 19 përqind më shtrenjtë se sa mesatarja në BE.

Veshjet janë po ashtu 16 përqind më shtrenjtë se në BE.

Që do të thotë nëse ju do të blinit një palë atlete për fëmijët tuaj në Shqiperi në vlerën 100 euro, ne BE do të merrnit të njëjta atlete për 84 euro

Elektroshtëpiaket, për një familje shqiptare janë 37 përqind më të shtrenjta se sa mesatarja e Bashkimit Europian.

Qe do te thotë se një qytetar shqiptar do të blinte një lavatriçe për 450 euro, një qytetar në BE do ta blinte të njëjtën lavatrice për më pak se 300 euro.

E gjitha kjo, ndërsa të ardhurat për frymë tek ne, janë më të ultat në Europë, sa 36 përqind e mesatares së BE.

Kjo është e vërteta e ekonomisë shqiptare, e cilësisë së jetës.

E vërteta e varfërisë.

Ndërkohë që Edi Rama mburret me suksese imagjinare dhe numëron vizitorët që hyjnë këtu, ai e ka lënë familjen normale shqiptare në kufinjtë e mbijetesës.

Edhe pse me të ardhurat me të ulëta në Europë e me çmimet më të larta, Edi Rama nuk ndërmori asnjë rritje pensionesh, pagash, apo ndihme ekonomike, në buxhetin që sapo kaloi.

Ai ka prioritet pasurimin e tij, dhe të klientëve që e rrethojnë.

Një qeveri që punon për njerëzit i ka të gjitha mundësitë ta mbrojë familjen shqiptare, ta nxjerrë nga varfëria, dhe të krijojë mirëqënie për qytetarët e vet.

Partia Demokratike do të vendosë pragun e minimumit jetik 200 euro, do të dyfishojë pagat e pensionet, dhe do të rimbursojë 100 përqind tvsh-në e mallrave të shportës për familjet në nevojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura