Të dhënat e INSTAT, ja cilët marrin rrogat më të larta në Shqipëri

Dec 31, 2020 | 9:46
SHPËRNDAJE

leke para rroge-dollare

Kur afrohet mosha e pensionit, ata që punojnë kundrejt një page marrin pagesa më të larta se të punësuarit në moshë më të re.

Në këtë moshë rriten përfitimet nga kualifikimet, përvoja dhe vjetërsia, ndaj të ardhurat nga puna për 60 vjeçarët janë më të larta në krahasim me grup-moshat e tjera.

Sipas INSTAT, të ardhurat mesatare nga puna sipas grup-moshës për të punësuarit mbi 60 vjeç janë rreth 330 lekë për orë pune, duke i bërë ata me nivelin më të lartë të pagesës për orë punë në raport me grup-moshat e tjera.

Meshkujt në këtë moshë kanë të ardhura nga puna më të larta se femrat, pasi të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 333 lekë dhe për femrat rreth 314 lekë.

Siç shihet nga të dhënat pagat më të ulëta i marrin të rinjtë, më pak se 30 vjeç. Pagesa te kjo kategori është mesatarisht 261 lekë për orë. Për këtë grupmoshë diferenca midis të ardhurave nga puna për femrat dhe meshkujt është shumë e ngushtë, të ardhurat mesatare për orë pune për meshkujt janë rreth 263 lekë dhe për femrat rreth 260 lekë.

Pagesat më të ulëta për të rinjtë lidhen me mungesën e përvojës. Shpesh të rinjtë shqiptare punojnë në profesione që nuk kanë lidhje me arsimin. Gjithashtu në Shqipëri ende një numër i lartë të rinjsh as nuk punojnë dhe as nuk studiojnë.

Ndërsa 60 vjeçarët e sotshëm janë arsimuar para viteve 1990 janë të profilizuar drejt zanateve dhe profesioneve dhe janë më të integruar në tregun e punës.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i lartë për të punësuarit me pagë të grup-moshës 40-49 vjeç, rreth 11,4 %.

Për këta të punësuar, hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse me rreth 35,5 % dhe më i ulët në aktivitetin e Shërbimeve administrative dhe mbështetëse, me rreth -13,9 %.

Hendeku gjinor mbi të ardhurat mesatare për orë pune është më i ulët për të punësuarit me pagë në grup-moshën më pak se 30 vjeç, rreth 1,0 % .

Për këta të punësuar hendeku gjinor i të ardhurave mesatare orare është më i lartë në aktivitetin e industrisë nxjerrëse, me rreth 36,5 % dhe më i ulët në aktivitetin e furnizimit me ujë, aktiviteteve të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave e mbetjeve, me rreth -25,9%./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura