VALENTINA MADANI/ Nga koha e rrëzimit të diktaturës dhe vendosja e pluralizmit politik në vend kanë kaluar 34 vite, të cilat, sipas themeluesit të PDsë, Edmond Budina kanë sjellë shumë pak ndryshim në jetën e shqiptarëve.
Z.Budina shprehet se shqiptarët ende nuk veprojnë me mendje të lirë, të pavarur prej politikës e prej krimit e të çliruar prej makthit të pasurimit me çdo mjet. Teksa rikthehet te Lëvizja Studentore e ‘90-ës dhe thirrjet e tyre për integrim, z.Budina thotë për gazeta “Panorama” se tashmë është koha që ne duhet “ta bëjmë Shqipërinë si Europa”.
Ai i konsideron të frikshme lidhjet e politikës me krimin teksa apelon se shpopullimi do të na shpërbëjë si komb. Ndaj opozitës shprehet z.Budina po bëhet një luftë e egër dhe se duan ta eliminojnë. Ish-themeluesi i PD-së beson se Sali Berisha nuk është një engjëll, por sipas tij edhe sikur të mos jetë më i miri, së paku është e keqja më e vogël. “Ai u ringrit pas një lufte të gjatë e të pakompromis me narkoshtetin për dinjitetin e vet, por edhe për PD-në”, shprehet themeluesi i PD-së.
Z.Budina, Lëvizja e dhjetorit ‘90 e përcaktoi aksiomën e shqiptarëve të shekullit të ri: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Por shqiptarët pas 34 vitesh ende nuk kanë mundur ta realizojnë atë. Për cilat arsye?
Në atë kohë ishte tepër e kuptueshme thënia “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, sepse na mungonte eksperienca dhe mendonim se dëshirat realizohen vetvetiu, mjafton t’i duash. Fatkeqësisht nuk është kështu. Për të arritur diçka, sidomos në politikën e një vendi, duhet së pari reagim, veprim. Duhet të përveshësh mëngët, për të ndryshuar gjërat. Ne vazhdojmë ende me moton “e duam”, thua se do të na i sjellë dikush të gatshme. Sot mbas 34 vitesh, më duket pak qesharake kjo thënie dhe e kam shprehur. Ne duhet “ta bëjmë Shqipërinë si Europa”.
Mendoj se midis këtyre dy fjalëve qëndron ndryshimi, midis “e duam” dhe “ta bëjmë”. Askush nuk do të na ndihmojë, nuk do të na i sjellë të gatshme, por duhet ta bëjmë ne vetë. Midis këtyre dy fjalëve qëndron një mentalitet i tërë. Padyshim që një faj kemi ne vetë dhe partitë politike nuk janë veçse pjella të këtij realiteti. Kur mentaliteti i përgjithshëm të ndryshojë, atëherë do të kemi edhe mundësinë t’i ndryshojmë gjërat. Kur të mendojmë e veprojmë me mendje të lirë, të pavarur prej politikës e politikanëve, të pavarur prej krimit, duke u çliruar prej makthit të pasurimit me çdo mjet, pa marrë parasysh as moral, as nder, atëherë gjërat mund të ndryshojnë.
Tek ne ka ende njerëz që betohen për partitë e politikanët, pa menduar se e keqja më e madhe na ka ardhur pikërisht prej tyre. Ne i bëhemi urë të fortit, të pasurit. Ne nuk na bën pothuajse fare përshtypje se si është pasuruar njëri ose tjetri, për ne po të jesh i pasur, po pate para, je i zoti. Këtu nuk respektohet më njeriu i punës, por paraja. Dhe për sa kohë kjo të ekzistojë ne nuk do të bëjmë hajër. Tani thënia “bir kurve” është medalje, nder, sepse tregon zotësinë në pasurim. Pra, arsyet janë të shumta e komplekse.
Në 90-ën rrëzuam një prej diktaturave më të egra dhe shembëm një nga regjimet më barbare të kontinentit. Por a u shkul me rrënjë ai sistem?
Nëse të shkulurit me rrënjë të një sistemi ne quajmë shkatërrimin e gjithçkaje që është bërë më parë, mendoj se është gabim. Ne shkatërruam gjithçka që ishte ndërtuar më parë duke nisur nga fabrikat, uzinat, kombinatet, tarracat me agrume e deri tek kinematë e teatrot. Kjo nuk i vlen askujt, përkundrazi, na dëmton të gjithëve. Për fat të keq ne ende vazhdojmë të shkatërrojmë gjithçka që na kanë lënë brezat e shkuar, duke nisur prej moralit e deri tek trashëgimia kombëtare. Prej atij sistemi duheshin mbajtur ato që ishin të mira, sadopak që të ishin dhe të mundoheshim të shkonim përpara, t’i përmirësonim ato që nuk shkonin. Në të shkuarën, fjala vjen ne e kishim zhdukur krejtësisht analfabetizmin, sot, për fat të keq, kemi rreth 48.000 analfabetë, njerëz që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre.
Nëse ky është përparimi, nuk e dua. Nëse me demokraci nënkuptojmë shkatërrimin e kulturës e artit, padyshim që nuk e dua. Në këto vite të demokracisë janë kryer shumë mëkate, por ajo që po ndodh në këtë qeverisje dymbëdhjetë vjeçare, është e pajustifikuar. Tani ka një lidhje të frikshme të krimit me politikën. Asnjëherë krimi i organizuar, mafia nuk ka qenë kaq e fuqishme dhe kjo për shkak se tolerohet, për shkak se paraja e korrupsionit arrin deri në qelizën e një shoqërie, që është familja. Është kjo një nga arsyet madhore edhe të shpopullimit të vendit, që sipas meje është rreziku më i madh, që po i ndodh vendit, sepse do të na shpërbëjë si komb.
Si e shikoni PD-në pas kaq shumë vitesh? Pse i mungon pesha, fuqia e viteve të dikurshme?
Nuk mendoj se PD-së i mungon pesha e dikurshme. Fakti që në zgjedhjet e shkuara lokale, mori një numër të konsiderueshëm votash, pavarësisht se i mungonte logoja, financimet, komisionerët, vula, kryetari i saj, tregon se forca e saj nuk është zbehur. Këtu ka një fakt të paprecedent, që asnjëherë në këta 34 vite, Partisë Demokratike dhe opozitës, nuk i është bërë një luftë kaq e egër, që synonte eliminimin e saj dhe vendosjen e një diktature. Të gjithë jemi dëshmitarë se si korrupsioni arriti deri tek CIA, ambasadorët. U mbajt peng vula, u arrestua, pa asnjë shkak lideri i saj Sali Berisha dhe politikanë kundërshtarë. Asnjëherë bandat nuk kanë marrë pjesë kaq hapur në fushatat elektorale.
Asnjëherë si deri tani sistemi i drejtësisë ka qenë i drejtuar nga partia në pushtet. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të dalin kaq ministra, kryetarë bashkish të korruptuar, deri dhe zëvendës kryeministër i implikuar dhe askush të mos japë dorëheqjen, madje kryeministri të justifikohet me thënie kaq idiote si “kanë ngrënë fruta pa dijeninë dhe pas shpinës time”. Të përpiqesh të eliminosh opozitën e një vendi është mëkati më i madh që mund të ndodhë në një sistem demokratik. Këtë ka bërë gjithë këta vite partia e Edi Ramës, të cilës nuk i gjej asgjë socialiste dhe aq më pak të majtë.
Sa shqetësuese është situata në të cilën ndodhet PD-ja?
Dua ta shoh me optimizëm të ardhmen e Partisë Demokratike, pavarësisht prej vështirësive të krijuara gjithë këta vite. Unë mendoj se ajo është e vetmja forcë, që mbledh rreth vetes më shumë votues se partitë e tjera opozitare. Nuk jam kundër forcave të reja politike, absolutisht jo, por nuk besoj në ato që janë krijuar së fundmi, kur thonë “të ikë Sali Berisha e të na hapë rrugën”. Në politikë askush nuk ta hap rrugën, atë duhet ta çelësh vetë duke luftuar për ditë.
Sikundër jam edhe kundër një pjese të intelektualëve tanë, që arsyetojnë e japin gjykime me bythët e ngrohta në kolltuk dhe shprehen se kjo duhet bërë kështu e ajo tjetra ashtu. Kjo protestë ka kaq e aq pjesëmarrës dhe dhe arsyetime që nuk i vlejnë askujt. Nëse do që kjo shoqëri e ky vend të ndryshojë, duhet të bëhesh pjesë aktive e tij, ndryshe mos kërko nga të tjerët atë që nuk e bën vetë. Të gjithë më thonë, përfshi edhe socialistë, që Shqipëria ka ndryshuar realisht dhe qeverisja ka qenë më e mira e demokracisë në vitet 2005-2009, me kryeministër Sali Berishën. Sali Berisha nuk është një engjëll, por edhe sikur të mos jetë më i miri, së paku është e keqja më e vogël. Ai u ringrit pas një lufte të gjatë e të pakompromis me narkoshtetin për dinjitetin e vet, por edhe për Partinë Demokratike. Ai tashmë është në një moshë madhore dhe me siguri do të lerë pas vehtes një bëmë sa më të mirë e të suksesshme, duke mësuar prej gabimeve të së shkuarës dhe unë e besoj kur ai thotë se “Sali Berisha i tretë do të jetë më i suksesshëm se dy të parët”. Ai, të na vijë mirë ose keq, e ka fituar pozitën e një politikani të regjuar dhe një udhëheqësi që e ka mundësinë të rrëzojë këtë diktaturë që është instaluar. Ai do t’i mbajë të gjitha premtimet që ka bërë. Unë e besoj.
Pse u tërhoqët nga politika?
Unë u tërhoqa relativisht herët nga politika’ dhe kjo më ndihmoi të mos “bëhem pisë” me të, sepse nuk mora asnjëherë ndonjë ofiq dhe nuk përfitova as edhe një qindarkë prej saj ose prej miqve të mi të dikurshëm, që u bënë me pushtet. Natyrisht nuk kisha ambicien e duhur për t’u marrë me politikë dhe mbi të gjitha nuk doja të humbisja pasionin tim për artin, të cilin mendoj se pjesëmarrja aktive në politikë e vret. Po ashtu, për të qenë deri në fund i sinqertë, pashë se si zhvilloheshin ngjarjet, si ngjalleshin xhelozitë, si organizoheshin intrigat, manipuloheshin njerëzit dhe si transformoheshin qeniet njerëzore kur shijonin fuqinë e pushtetit, peshën që fitonin në publik pasi ishin bërë të njohur, gjë e cila mua, për shkak të profesionit, nuk më bënte dhe nuk më bën fare përshtypje. Edhe kur mbronim teatrin më kanë mikluar për të marrë pjesë aktive në politikë ose për të krijuar lëvizje qytetare, apo qoftë edhe parti politike, por e kam refuzuar me vendosmëri. Nuk di të them nëse do të isha ky që jam në qoftë se do të isha maàrë me politikë. Sot, kur sheh atë nivel aq të ulët të politikanëve, sidomos të mazhorancës, që nën shembullin e shefit të tyre përdorin atë fjalor banal dhe u ka mbetur në gojë Noc Rroku, të vjen turp të bëhesh pjesë e tyre.
Megjithatë nëse merrni një ftesë nga PD për t’u riaktivizuar sërish në politikë a do ta pranoni?
Për sa i përket rikthimit tim në Partinë Demokratike si anëtar i saj, nuk besoj se do të ndodhë, sepse nuk e kisha ambicie, kur isha më i ri, të merresha me politikë dhe aq më pak e kam tani. Gjithsesi jam një mbështetës i pakursyer i saj për ndryshimin dhe do t’i gjendem sa herë të ketë nevojë. Sikundër edhe do ta kritikoj nëse nuk mban premtimet e bëra, ashtu si kam bërë edhe në të shkuarën./Gazeta Panorama
Vijon nga numri i djeshëm: Nga rivaliteti, tek debatet për drejtimin e partisë, bashkëthemeluesi i PD: Çfarë fshihej pas perdes gjatë takimit me Ramiz Alinë dhe e vërteta e mbërritjes së Edi Ramës në Qytetin Studenti më 1991
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al