Të gjithë kanë punë më të rëndësishme se dialogu

Feb 5, 2025 | 8:30
SHPËRNDAJE

NGA AUGUSTIN PALOKAJ auth_Augustin_Palokaj1487143494

Sorensen po e merr përsipër lehtësimin e dialogut kur ky proces është në një gjendje shumë më të paqartë sesa që ishte kur këtë post e pati marrë Lajçaku para pesë vjetësh. Të gjithë “hisedarët” (Stake holders) në dialog kanë punë më të rëndësishme sesa dialogun. Prandaj edhe pritjet nuk janë aq të mëdha. Kosova i ka zgjedhjet dhe pas tyre do ta ketë procesin jo të lehtë të formimit të qeverisë. Serbia po përballet me zhvillime dramatike, të cilat e kanë lëkundur fuqinë e presidentit Vuçiç për herë të parë, përkundër mbështetjes së fuqishme që ai ka nga BE-ja dhe SHBA-të. Miroslav Lajçak, ish-ministër i Jashtëm i Sllovakisë, u largua nga posti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë pa shumë zhurmë. Largimi i tij ishte shumë më i qetë sesa mënyra se si kishte ardhur në atë post, duke qenë i pari që u zgjodh për atë detyrë.

U largua me disa postime në rrjetet sociale, mënyrë e preferuar e tij për të komunikuar gjatë tërë mandatit tejet jotransparent nga ana e Bashkimit Evropian. Për më tepër, edhe një debat lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian u zhvillua “in camera”, pra në seancë të mbyllur për publikun. Shumë deputetë më pas shprehen habinë pse ishte debat i mbyllur kur Lajçaku nuk u ka thënë asgjë të rëndësishme, asgjë që nuk e ka thënë publikisht. E ka lavdëruar veten duke e përmendur faktin se si ai, në vitin 2020, “e kishte ringjallur dialogun” që atëherë ishte pothuajse i paralizuar. E për dështime dhe mungesë progresi, përgjegjësinë ua kishte bartur palëve në dialog. Nëse pas pesë vjetësh “ringjallja e dialogut” duket suksesi më i madh, kjo në fakt dëshmon më shumë për dështim. Dhe Lajçaku këtë proces nuk po e lë edhe aq shumë të gjallë. Në fakt, ai së paku duket po aq i paralizuar sa ishte dhe para ardhjes së tij. E erdhi me shumë pritje, me shumë ambicie që “brenda muajsh e jo vitesh” të sjellë marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Deputetët e Parlamentit Evropian, sado të pafuqishëm të jenë, së paku pasqyrojnë gjendjen reale në BE. Shumica e tyre thuhet t’ia kenë thënë Lajçakut se qasja jo e balancuar ndaj palëve, masat ndaj Kosovës dhe toleranca ndaj Serbisë, kanë qenë pengesa për arritjen e progresit në dialog. Sidomos kjo qasje e BE-së ishte kritikuar pas sulmeve në Banjskë.

Burimet thonë se Lajçaku ishte pajtuar me ta dhe kishte thënë se edhe ai kishte kërkuar, sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë, që të hiqen masat ndaj Kosovës, por se kjo “nuk ishte në dorë të tij, por të vendeve anëtare”. Por disa diplomatë thonë se Lajçaku ka pasur shpesh shprehi që të përshtatet dhe të lërë përshtypjen se pajtohet me bashkëbiseduesit. Nuk besojnë se Lajçaku ka qenë i sinqertë kur ka kërkuar heqjen e masave, duke lënë përshtypjen se dëshiron heqjen e tyre, por duke e ditur se kjo nuk do të ndodhë. Tash kur Lajçaku e ka përfunduar mandatin e tij, rritet numri i diplomatëve që gjejnë vërejtje, që e kritikojnë për mungesë të angazhimit. Disa thonë se më shumë kohë ka kaluar duke marrë pjesë nëpër konferenca në vende të bukura si Davos, Dubrovnik, Budvë, Bled, Nju Jork dhe vende të tjera, sesa në takime në kuadër të dialogut. Nuk pati as vizita lamtumirëse në Kosovë dhe Serbi. Por nuk dihet nëse ka pasur fare gatishmëri në Prishtinë e Beograd ta takojnë, sepse në të dyja shtetet janë të preokupuar me punë shumë më të rëndësishme sesa të takojnë sa për sy e faqe një të dërguar të BE-së, të cilit po i përfundon mandati. Nuk pati shumë zhurmë as rreth zgjedhjes së pasardhësit të Lajçakut, Peter Sorensen.

Ai u zgjodh dhe u konfirmua nëpër procedura formale, pa diskutime. Vetëm një komunikatë u lëshua nga Këshilli i BE-së kur u konfirmua zgjedhja e tij. Përbërja e asaj komunikate bën të qartë se kësaj radhe nuk ka pritje të mëdha, që tregon se edhe në BE janë pajtuar se ky është një proces i pafund. “Detyra e përfaqësuesit të ri të posaçëm do të jetë të lehtësojë dialogun, i cili do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e implementimit të saj, të miratuar në shkurt dhe mars të vitit 2023”, është ajo që kanë thënë vendet anëtare të BE-së në komunikatë të Këshillit. Sorensen ka shumë ngjashmëri, por edhe shumë dallime me Lajçakun. Puna në strukturat e shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së dhe në rajonin e Ballkanin Perëndimor, është ajo ku kanë shumë ngjashmëri. Por, Sorensen është më shumë diplomat sesa politikan. Kjo mund të ndikojë që të jetë më pak i ekspozuar, të punojë më shumë në heshtje, por në anën tjetër, mund të jetë edhe mungesë, sepse nuk do të mund të ketë ndonjë peshë për të bërë presion ndaj palëve në dialog, pos nëse për këtë do ta ketë mbështetjen e fuqishme dhe publike të shteteve kryesore të BE-së. Sorensen po e merr përsipër lehtësimin e dialogut kur ky proces është në një gjendje shumë më të paqartë sesa që ishte kur këtë post e kishte marrë Lajçaku para pesë vjetësh. Të gjithë “hisedarët” (Stake Holders) në dialog kanë punë më të rëndësishme sesa dialogun. Prandaj edhe pritjet nuk janë aq të mëdha. Kosova i ka zgjedhjet dhe pas tyre do ta ketë procesin jo të lehtë të formimit të qeverisë.

Serbia po përballet me zhvillime dramatike, të cilat e kanë lëkundur fuqinë e presidentit Aleksandar Vuçiç për herë të parë, përkundër mbështetjes së fuqishme që ai ka nga BE-ja dhe SHBA-të. Edhe Bashkimi Evropian po përballet me sfidat e raporteve me SHBA-të, me rritjen e së djathtës ekstreme në BE. Për dialogun flasin vetëm nëse i pyet dikush. Mungesa e rezultateve konkrete, zgjatja e tepërt e procesit, ka krijuar një lodhje nga dialogu jo vetëm në Kosovë, por edhe në BE. Serbia mbase është e vetmja në këtë proces që preferon zgjatjen e status-quosë, duke e zhagitur procesin e dialogut dhe duke evituar momentin kur ajo duhet ta njohë realitetin dhe të pranojë që Kosova ekziston si shtet. Serbia, nëse Lajçaku dhe Borrelli e kanë thënë të vërtetën se ekziston një “marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve”, e cila për më tepër është në tërësi e obligueshme për të dyja palët, është dashur ta kishte njohur këtë realitet në bazë të kësaj marrëveshjeje. Por nuk e ka bërë.

Kjo marrëveshje brenda tri javësh do të mbushë dy vjet prej kur u tha se ishte arritur. Dhe asnjë hap nuk është bërë në implementimin e saj. Ky fakt flet më shumë për suksesin e dialogut sesa të gjitha deklaratat e BE-së së bashku dhe të gjitha postimet e Lajçakut në rrjetet sociale. Në rrethanat ekzistuese do të ishte mrekulli sikur Sorensen të arrijë që ta ringjallë edhe një herë dialogun, nëse me ringjallje vërtet mendohet në një dialog që ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve mes dy shteteve.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura