ARIAN GALDINI
Në vitin 1990, ne thamë se ra komunizmi, por u desh 1 vit që Partia e Punës të bëhej Partia Socialiste dhe më tej, edhe 1 vit tjetër që ish-partia udhëheqëse që prej 1944, të bëhej parti opozitare. Mendojeni pak, 1944-1992, janë plot 48 vjet në pushtet e kësaj partie. Më pas pllakosi 1997, e PS apo ish-PPSH u rikthye në fuqi, duke e mbajtur qeverisjen e Shqipërisë edhe 8 vite të tjera. Pra 48 plus 8 bëjnë 56 vite pushtet të kësaj partie. Ja ku jemi sot, në muajt e fundit të 2024 dhe PS mbush plus 12 vite të tjera në pushtet, ndërsa në vitin 2025, po kërkon edhe një mandat tjetër 4-vjeçar. 56 plus 12 bëjnë 68 vite pushtet të PPSH dje e PS sot, prej vitit 1944 deri në vitin 2024.
Nuk ka gjendje më antihistorike për një shoqëri, vend e komb sesa pushteti i gjatë dhe i pangopur i një partie dhe klike, sidomos kur kjo parti ka qenë partia udhëheqëse e mizorisë dhe krimeve të diktaturës, e gjithashtu bashkëpërgjegjëse e dështimeve dhe paudhësive të post-komunizmit. Të shohësh sot sesi ata që u përzunë nga Shqipëria prej ligësive dhe çnjerëzisë së kësaj partie, t’i shkojnë Edi Ramës për t’i ndjekur muzikën e hedhur vallen kuqezi, nuk ke sesi të mos çmeritesh e dëshpërohesh pakufi. Në vitin 1944 lideri i kësaj partie ishte Enver Hoxha, pasi vdiq ai, në krye erdhi Ramiz Alia, e kur ndryshoi sistemi pas 1990, ky ia lëshoi drejtimin e partisë Fatos Nanos, të cilit ia rrëmbeu në vitin 2005 Edi Rama. Pra, Edi Rama është udhëheqësi i katërt. Prej vitit 1944 e deri sot, kjo parti ka pasur vetëm 4 udhëheqës dhe Edi Rama është i katërti. A e kuptoni me kë po e hidhni vallen kuqezi të dashur shqiptarë të Diasporës?
A mendoni vallë, kur shkoni e mbushni sallat e udhëheqësit të 4 të partisë e cila na izoloi, masakroi e varfëroi prej 1944 deri në vitin 1990? A ju kujtohet se ndaj cilës parti e ndaj cilit regjim e bëtë shpërthimin tuaj kur me mijëra hytë në ambasada, me mijëra morët anijet në vitet 1990, 1991, 1992? Sado i madh të ketë qenë dështimi i PD dhe i Sali Berishës në vitet e tyre të pushtetit 1992 – 1997 dhe 2005 – 2013, pra në 12 – 13 vite, sado të mënxyrta e zhgënjyese të kenë qenë qeverisjet e PD dhe Sali Berishës, prapëseprapë, mua nuk ma rrok dot mendja sesi 12 – 13 vite mund të zhbëjnë 68 vite, e aq më pak të tejkalojnë në kujtesën tonë kombëtare të pësimeve. Në asnjë version të psikozave kolektive, nuk do të mund të ndodhte një revansh kaq i madh i së shkuarës mbi të sotmen, e madje triumfalizëm i së shkuarës duke pretenduar modernitetin dhe vizionin e së nesërmes.
E vetmja mënyrë sesi mund të shpjegohet kjo marrëzi psikokolektive, do të ishte “fuqia e propagandës” e partisë së diktaturës, e cila edhe pse lëshoi pushtetin e dukshëm kur ndryshoi sistemi 1990, nuk dorëzoi kurrë pushtetet e vërteta që nuk duken me sy të lirë e nuk kuptohen dot me mendim të thjeshtë. Kemi mbërritur në këtë derexhe kur, PS dhe Edi Rama, pas 34 vitesh po rikthehen në rolin udhëheqës të para 1990, duke zotëruar çdo pushtet e duke mumifikuar opozitën pa as më të voglën bjerrje ndërgjegjeje. Diaspora që hedh vallen kuqezi sot me Edi Ramën, ata mijëra shqiptarë që hedhin sot vallen kuqezi me Edi Ramën ngado e kudo ku jetojnë në Perëndim, nuk e dinë se po keqpërdoren për të amnistuar PPSH për 2 korrikun e ambasadave dhe anijet e 1991-1992.
Ata po kthehen në valltarë të antihistoricizmit. E di që shumë prej tyre nuk do ta pëlqejnë këtë që po shkruaj, por e vërteta është se unë preferoj të më shajnë e urrejnë ata, por kurrë të mbaj turpin e mosthënies së të vërtetës. Të dashur valltarë kuqezi të diasporës, kur brohorisni Edi Ramën sot, jeni duke vrarë të nesërmen e Shqipërisë, në emër të së shkuarës. Kjo është e vërteta e hidhur dhe pikë./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al