NGA MAL BERISHA*
Duket qartë se edhe pas afro dy muajsh që nga ditët e Panairit të Librit 2023 në Tiranë, emri i mirë që bëri libri “Apostulli” i autorit Ilir Ikonomi, vazhdon të jehojë tashmë edhe në anën tjetër të Atlantikut dhe pikërisht në New York.
Sigurisht, mjetet e sotme të shumta për shpërndarjen e informacionit, duke përfshirë radio, televizion, gazetat dhe rrjetet sociale, kanë çdo të drejtë, në opinionin tim, ta cilësojnë këtë libër, si një kontribut me vlerë dhe një shtesë inovative në antologjinë biografike të personaliteteve të shquara të kombit tonë. Ky është libri i katërt i botuar nga ky autor, dhe sipas vlerësimit tim, ai sjell vlera të shumta, duke e pasuruar kështu bibliotekën e librave të tillë në vendin tonë. Në fakt, libri paraqet një rrëfim tërheqës dhe të saktë, duke nxjerrë në pah një paralelizëm mes jetës së Fan Nolit, një klerik i shquar patriot, dhe historisë së organizatës që ai vetë themeloi, Federatës Panshqiptare të Amerikës, “Vatra”, së bashku me gazetën shqiptare më të vjetër, “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe sot. Në veçanti për këtë rast, do të doja të ndaja disa përshtypje nga momenti i përurimit të librit, që autori Ilir Ikonomi prezantoi para drejtuesve dhe një numri të konsiderueshëm anëtarësh të Federatës Panshqiptare të Amerikës, “Vatra” dhe të Këshillit shqiptaro-amerikan në New York.
RETROSPEKTIVË – NË IBRIK TEPE
Në një fjalë të thjeshtë të rastit, pata nderin të ndaja me të pranishmit kënaqësinë e të qenurit një prej shqiptarëve “të paktë” ndoshta, që e kanë vizituar fshatin Ibrik Tepe, vendin e lindjes së Theofan Stilian Nolit. E bashkë me të, i paraqita autorit edhe përgëzimet e mia për librin. Tani, duke lexuar librin “Apostulli”, më duket sikur në sy më vijnë imazhet e atij fshati ku dikur kishin lëvizur Nolianët, Gjergji, Stiliani, Maria, Sumba, Sulltana, Dhimitri, xhaxha Tasi, etj.
KRITIKA E LIBRIT
Jam i sigurt se kritikat dhe vlerësimet për këtë libër, do të jenë të shumta. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të cilësive të veçanta të librit, por gjithashtu edhe për shkak të natyrës, shpeshherë kundërthënëse të vetë figurës së Fan Nolit. Në vështrimin tim, ajo që ka bërë autori është de-legjendarizimi, çmitizimi, de-heroizimi i tepërt dhe humani-zimi i personazhit të tij, duke e sjellur atë, në një nivel më real dhe më tokësor. “Kritika” e mëparshme, veçanërisht ajo me prirje të majta, e idealizon Fan Nolin, duke vënë në pah tendencat e tij të majta dhe lidhjen e tij me bolshevikët, pa shqyrtuar ndonjë mangësi të mundshme në personalitetin e tij. Ilir Ikonomi, paraqet një “ngerç” të habitshëm, midis Nolit klerik, i cili “kungohet” te Kisha Ruse, e cila më vonë bëhet njësoj si në Shqipëri, viktimë e bolshevizmit. Unë personalisht, si lexues i vëmendshëm dhe simpatizant i Nolit, për pjesën e tij të kontributit patriotik dhe letrar në gjuhën shqipe (jo për atë politik në Shqipëri), shoh tek ai një figurë pragmatike, i cili për të mirën e atdheut, ashtu siç e koncepton ai, është i gatshëm të bëjë kompromise me këdo. Teologjia e tij, studimet fetare, përkthimi i lutjeve ortodokse në gjuhën shqipe, ushtrimi i detyrës së priftit, ngjajnë më shumë me nevojën, sesa me besimin e tij fanatik. Kur them nevojën, e lidh atë edhe me faktin se ai nuk ishte i “prerë” për punëtor sharrash apo llamarinash, si shumë emigrantë të tjerë, të kohës. Në të kundërt, ai kishte zgjedhur një jetë intensive intelektuale.
Por, kjo zgjedhje nuk i jepte atij mundësinë e një jete normale, andaj e gjeti kishën si mjetin e tij të jetesës. Te kisha ai gjeti instrumentin më efikas, për t’i shërbyer kombit, duke e tëhuajtur atë pjesë të popullsisë shqiptare të besimit ortodoks, (midis tyre edhe ca grekofilë) nga influencat antishqiptare të Kishës greke dhe duke i tërhequr ata në anën e lëvizjes patriotike, që ai vetë inicioi. Në fillim të librit, ai paraqitet si një person që nuk i besonte aq shumë fesë. Megjithatë, më vonë bëhet kreu i Kishës. Arsyetimi për këtë, sipas interpretimit tim të librit, është se ai ndjente se Kisha Ortodokse e predikuar në gjuhën greke, ishte një rrezik i jashtëzakonshëm për ekzistencën e kombit shqiptar. Por Kisha greke, kurrë nuk do të kungonte një prift shqiptar – folës që të ngjitej në altar dhe t’i tregonte shqiptarëve, se kush ishin në të vërtetë në gjuhën e tyre. Prandaj, duhej një kishë tjetër për t’u shunguruar, dhe u gjet ajo ruse. A ishin rusët caristë, miq të Shqipërisë në atë kohë? Jo! Mos të harrojmë se Noli, merret me Kishën Ruse më pak se tre dekada, pas vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit të vitit 1878, i cili shënon copëtimin e parë të trojeve shqiptare, në favor të fqinjëve sllave dhe ortodoks.
Autori, Ikonomi, nuk tenton të na bindë me fjalët e veta për drejtësinë e veprës së Nolit, i cili u dorëzua në Kishën Ortodokse Ruse në New York. Ai na jep vetëm faktet. Por, fakt është se, pa atë ndihmë, ndoshta edhe pse në Amerikë, priftërinjtë ortodoks rusë, nuk ishin aq të molepsur me politikat antishqiptare cariste në Ballkan dhe se, edhe ajo vetë, pra Kisha ruse, donte të shkëputej nga Fanari dhe ndikimi grek, gjë që ndoshta e donte edhe për Kishat ortodokse të popujve të tjerë, me besim ortodoks. Libri na paraqet përpjekjet e “Apostullit”, i cili kurrë “nuk u rehatua financiarisht”. Në çdo faqe të librit, zbulohet shqetësimi i tij. për të mbijetuar në masën që të mund t’i shërbente atdheut dhe Kishës. Kjo përpjekje, ishte aq e mundimshme, por edhe aq fisnike, sa të mund të botonte “Diellin”, të ndihmonte në edukimin e shqiptarëve të Amerikës, të ndërtonte Kishën Autoqefale Shqiptare, të themelonte dhe drejtonte “Vatrën”, të përkthente Sheksipirin, Sevantesin, Ibsenin, dhe ta bënte çështjen shqiptare të njohur në qarqet amerikane, duke luftuar edhe me varfërinë e tij çdo ditë.
Vështirësitë e jetës së Nolit, autori i librit, Ilir Ikonomi, i paraqet me aq shumë fakte, sa të bën të mendosh se; vërtetë vetëm një njeri i tillë, asket, që kishte kaq pak pretendime për jetën e tij personale, mund t’i shërbejë atdheut me aq devotshmëri e përkushtim?! Ai arrin që ata shqiptarë analfabetë, emigrantë, punëtorë fabrikash, edhe pse në një numër shumë herë më të vogël, se ata që jetojnë sot në SHBA-së, të kontribuonin edhe financiarisht aq shumë, sa të “jepnin për Nënën”! Ky mund të jetë një mësim për shqiptaro-amerikanët, tashmë të rehatuar në këtë vend të lirisë dhe mundësive të pafund.
BISEDË ME “VATRANIN” IDRIZ LAMAJ
Në një bisedë krejt spontane, me “vatranin” e njohur Idriz Lamaj, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës”, më tregoi këto ditë, se ai e kishte vizituar apartamentin ku ka jetuar Fan Noli, në Boston. “Jeta e tij ishte më e thjeshtë, se sa mund të bënte një njeri i kategorisë së tij. Por, pikërisht në atë apartament, janë shkruar dhe nisur letra, dokumente, traktate, madje edhe libra, të cilat kanë pasur një ndikim shumë të madh, në çështjen e ekzistencës së shtetit shqiptar dhe në kulturën shqiptare”, thotë zoti Lamaj.
AUSTRIAKËT DHE ITALIANËT
Ato që sjell autori në këtë libër – lidhjet e Nolit (dhe të Konicës) me austriakët dhe italianët – na japin një pasqyrë shumë interesante të përpjekjeve të tij, për t’u mbështetur tek i vetmi shtet, ose të vetmet shtete, të cilat po e ndihmonin Shqipërinë, për pavarësinë dhe shpëtimin e saj nga synimet grabitqare greko-serbe. Megjithatë, ai e kupton se, ashtu si në veprën e Servantesit, Don Kishoti i Mançës, të cilin e ka përkthyer ai vetë në shqip, Shqipëria e shpëtuar nga Austria dhe Italia, pësuan fatin e Andreas.
Episodi i atij djali, të cilin e shpëton Don Kishoti nga duart e disa njerëzve që po e rrihnin, por më pas e liron duke e lënë në rrugë ku ai bie përsëri në duart e tyre për ta rrahur edhe më keq, është identik me atë që edhe Austria edhe Italia bënë me atdheun tonë: ndihmuan për pavarësinë dhe më pas e pushtuan njëra pas tjetrës…?!
NOLI DHE PRESIDENTI WILSON
Aspekti tjetër i përpjekjeve të Nolit, për t’a bërë presidentin Wilson, mik të Shqipërisë, është një nga pjesët më të bukura të librit. Në libër del qartë, ndoshta për herë të parë, biseda e Nolit me Presidentin Ëilson, në anijen “Mayflower”, me 4 korrik 1918, dhe premtimin që ai i bëri Nolit: “Unë do të kem vetëm një zë në Kongresin e Paqës dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë”.
Në lidhje me këtë frazë, Ilir Ikonomi sjell një fjalë-lidhëse e cila, e çmitizon atë histori, që përherë është interpretuar më shumë, se sa të jetë cituar korrekt. Ajo që konstatova nga libri, i shkruar kaq bukur, ishte se autori, duke e prezantuar figurën e “Apostullit” në një rritje graduale, gjithnjë kreshendo, ka arritur që të ruajë portretin e një njeriu që është i afërt me gjeniun, i veshur me të gjitha cilësitë e mira, por edhe ato të dobëta njerëzore, pa e idealizuar, lustruar, ose hyjnizuar panevojshëm atë.
NJË KËSHILLË VLLAZNORE
Unë do t’ju sugjeroja që, ashtu siç bënë “vatranët”, duke sponsorizuar me mbledhje fondesh botimin e “Otellos” dhe shumë veprave të tjera të Nolit, edhe ky libër, duhet të financohet nga “Vatra”, për një botim me një tirazh sa më të madh. Pas kësaj, çdo shqiptar patriot, shqiptaro-amerikan, duhet ta lexojë dhe të mësojë, se si respektohet ajo që përmendet shpesh me emrin “Kanunorja e Vatrës”, zgjedhjet dhe shuarja e konflikteve, që shfaqen sot brenda kësaj organizate. Natyrisht, askush nuk pretendon, që të kemi edhe sot një Fan Nol, Faik Konicë, Sotir Peci, Sali Butkë, Bahri Omar, Kristo Floq, Petro Nini Luarasi, Kosta Çekrezi, Kristo Dako, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Mehmet Konicë, etj. Megjithatë, mësimet që sjell “APOSTULLI” i Ilir Ikonomit, nuk kanë pse të jenë vetëm stoli, por edhe një mënyrë sesi “Vatra”, mund të rezistojë të mos kthehet në një relike historike, por një realitet efektiv, me ndikim në fatet e kombit, si atherë në kohën e “Apostullit” dhe dishepujve të tij.
*Anëtar Nderi i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” New York
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al