Të mos zbresim në pus me litarin e qafirit

Sep 12, 2024 | 9:14
SHPËRNDAJE

jola hysajJOLA HYSAJ

Kam dëgjuar shumë në këtë periudhë, diskutimet mbi drejtuesit e qarqeve, diskutimet mbi vazhdimësinë, diskutimet mbi frikën dhe terrorin!

Kam dëgjuar dhe dëgjoj pafund, sepse, si ‘njeri terreni’, preferoj të jem mes njerëzve dhe të dëgjoj çdo ditë hallet, problemet, ankesat, padrejtësitë, sepse fundja ky është edhe funksioni im politik për të cilin jam zgjedhur me votën e lirë.

E cilësoj, me votën e lirë! Po po, me një garë të pastër dhe të hapur!

Por a do të jetë e tillë 2025?!

Teksa shihja me qindra dhe mijëra qytetarë pranë SPAK-ut, ditën e djeshme , më vinte t’i thoja atyre që përzien tavolina të tëra, brenda dhe jashtë kryeqytetit, brenda dhe jashtë çdo qytetit të Shqipërisë: TË THUASH TË VËRTETËN KA KOSTO, T’I SHKOSH ASAJ DERI NE FUND KUSHTON EDHE MË SHUMË. KURRË MOS HIQNI DORË!

Të nderuar shqiptarë!

Ajo çka ju rrethon në përditshmërinë tuaj, është një mjergull e madhe tymnaje, e cila, zbeh dhe demoralizon secilin prej nesh në çdo moment të ditës.

Ajo që më ngeli thellë në mendje, është fjalia që tha vetë Lideri i Partisë Demokratike, Z. BERISHA: “Asgjë nuk ndryshon, është vazhdimi i një hakmarrje politike, zbatimi i një urdhëri mafioz, politik. Për mua, kjo nuk ndryshon asgjë. Ajo që është themelore, që nuk ekziston asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument, që të dëshmojë që në të gjithë këtë proces ka ndodhur qoftë edhe shkelja më e vogël”.

Sa prej jush përballeni apo jeni përballur me një fakt të tillë çdo ditë të jetës suaj; ju, familjarë, të afërm, miq apo shokë tuaj?

A nuk është ky momenti të mos zbresim në pus me litarin e qafirit? A nuk është momenti që të paktën dhe njëherë të vetme të kërkojmë të jemi qytetarë të Evropës, pa kthim pas deri në momentin që ta arrijmë diçka të tillë?

A nuk u lodhët nga presionet, zvarritjet, nëpërkëmbjet, kërcënimet dhe të qenurit të përdorur “1 ditë në vit”? Apo ekstremet e qeverisë, me të palarat deri në palcë, që pushtetin 4-vjeçar e barazojmë me një thes mielli? Dhe ata që i nënshtrohen kësaj, janë të detyruar të shkojnë në limitet e mbijetesës, ndërkohë që po jua marrin shpirtin çdo ditë me taksa, kontrolle, rroga qesharake, që sado shfaqen sikur i kanë rritur, nuk kanë të krahasuar me rritjen e pandalshme të çmimeve. Çfarë rritën…? Asgjë!

Ky është momenti më i dhimbshëm, në të cilin, secili prej nesh çdo ditë po humbet nga pak dinjitetin, po humbet njerëzillëkun!

Duhet ta kuptojmë përfundimisht, që ky është momenti për të nisur “RRUGËN PA KTHIM, DREJT LIRISË”!

Një qeveri e paskrupullt, e zhytur e tëra në zhul, pisllëk, maskarada, e cila kërkon të na çojë në zgjedhje me kushtet mizerable të një loje të pistë, njëkohësisht kërkon të na zhysë në injorancë, teksa përvesh mëngët për të vjedhur sërish dhe pafund!

Të luftosh për të vërtetën nuk është rrugë e thjeshtë, por kërkon ngulmim, të qenurit të palodhur, të vendosur, të palëkundur dhe të paheshtur. Në vend që të mësyjmë karrigët, dhe të mësyjmë drejt së drejtës dhe lirisë së vendit.

Ky është momenti për të mos zbritur në pus me litarin e qafirit!

O SOT, O KURRË!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura