Kryeministri Edi Rama foli edhe për raportet me partnerët strategjikë, duke u ndalur në tre vendet kryesore, Greqinë, Turqinë dhe Italinë.
Rama për tre pikat, që sipas tij e kanë cuar Shqipërinë deri këtu dhe do ta ndihmojnë që të shkojë dhe më tej.
Kryeministri deklaroi se “duhet të ruhemi nga kompleksi i inferioritetit, pasi nuk kemi asnjë arsye”.
Sipas tij, ‘për tu rritur dhe fuqizuar dhe për të vazhduar të ushqyer respekt, besim dhe të rrisim prestigjin tonë ne duhet të flasim me qartësi dhe respekt me aleatët dhe miqtë tanë, por të pretendojmë të njëjtën qartësi, respekt nga aleatët dhe miqtë tanë’.
“Duhet të them që janë 3 pika të rëndësishme që na kanë ndihmuar të arrijmë deri këtu dhe do të na ndihmojnë që të shkojmë shumë më tutje.
Së pari, është krijimi i një vetëdije të re në përfaqësimin dhe në mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Jo se më parë të tjerët apo shumëkush ndër ju që ka shërbyer në mënyrë krejtësisht profesionale dhe apolitike në fushën e marrëdhënieve tona ndërkombëtare, nuk ka qenë i vetëdijshëm për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, por jo rastësisht e theksova një vetëdije e re, mjafton të jesh i vetëdijshëm kur flet me vete apo kur flet për vete, por ka shumë rëndësi të jesh i vetëdijshëm për këtë përfaqësim dhe këto interesa kur flet me të tjerët, dhe këtu vij tek pika tjetër, tek vullneti dhe angazhimi i plotë për të rritur kujdesin për shqiptarët jashtë atdheut. Ka shumë për të bërë në këtë drejtim, por shumë gjëra kanë ndryshuar në aspektin e marrëdhënieve të shqiptarëve jashtë atdheut me ambasadat dhe konsullatat tona dhe në tërësi me shërbimet konsullore, si edhe për forcimin e aleancave strategjike dhe të miqësive tradicionale.
Aleancat tona strategjike janë të qarta si drita e diellit, miqësitë tona tradicionale janë po ashtu të njohura. E së treti, ne jemi profilizuar dhe do të vazhdojmë te forcojmë profilin e partnerëve të padyshimtë të miqve të palëkundur dhe natyrisht duke qenë këtu në ketë pjesë të Evropës që ka një trashëgimi jo të lehtë lëmshi të marrëdhënieve, të historive, të interesave, nuk është gjithmonë e lehtë, pasi fjala vjen, ne jemi miq tradicionalë të Turqisë dhe të Greqisë, sa për të sjellë një shembull dhe për ne këto janë dy miqësi shumë të rëndësishme, por në të njëjtën kohë për ne është e shkruar e zeza mbi të bardhë qysh në krye të herës në programin tonë qeverisës dhe është bërë pjesë e rendit të ditës të politikës sonë të jashtme, qoftë Turqia e qofte Greqia, së bashku me Italinë, janë partnerët tanë strategjikë.
Ne jemi një vend i vogël dhe vetëdija e përmasës është shumë e rëndësishme për të ruajtur modestinë, por njëkohësisht edhe për të kuptuar në vazhdimësi domosdoshmërinë jetike që ne duhet të rritemi e duhet të fuqizohemi si shtet, por edhe si komb, e për këtë është po kaq e rëndësishme që ne të ruhemi nga humbja e sensit të përmasës sonë, që në të shkuarën ka çuar në eksese të padëshirueshme të ‘’grandomanive’’ të shoqëruara me daullet e nacionalizmit folklorik dhe i ka kushtuar pastaj Shqipërisë në marrëdhëniet e veta ndërkombëtare, por nga ana tjetër të ruhemi dhe nga kompleksi i inferioritetit për shkak të kësaj përmase, pasi s’kemi asnjë arsye, as për të parën e as për të dytën, por qoftë e para, qoftë e dyta kanë qenë dy ngjyra, që në mënyrë të vazhdueshme e kanë përcaktuar dhe e kanë dëmtuar pozicionin tonë ndërkombëtar dhe politikën tonë të jashtme. E për t’u rritur dhe për t’u fuqizuar dhe për të vazhduar të ushqejmë respekt, të ushqejmë besim dhe të rrisim prestigjin tonë, ne duhet të flasim me qartësi dhe me respekt me aleatet dhe me miqtë tanë, por të pretendojmë të njëjtën qartësi dhe të njëjtën respekt nga aleatët dhe nga miqtë tanë.
Kjo është shumë e rëndësishme e kjo është besoj unë dhe një nga arsyet që na ka ndihmuar që sot të gjendemi në një pozicion krejt tjetër, ku në tërësi, kur flitet për Shqipërinë, nuk flitet për një vend me hije apo në hije dhe kur Shqipëria përmendet në korridoret apo në zyrat apo në auditorët e politikës ndërkombëtare është shumë e qartë që ka një tjetër tingull emri i saj.
E dimë shumë mirë që të gjithë 2030 duhet të na gjejë në gatishmëri të plotë për t’u ulur në tryezën e BE si anëtar të barabartë të familjes europiane. Kjo është ana jonë, kjo është detyra jonë. Dimë shumë mirë që ulja në atë tryezë sa ç‘është një proces i përmbushjes së të gjitha kritereve dhe i përmbylljes së të gjitha detyrave, është dhe një proces vendimmarrjeje politike, por çka na takon ne, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin teknik është 100% e qartë, ne duhet të jemi gati” ,tha nder te tjera kryeministri.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al