“Telenovelë politike”- Rama i përgjigjet Bardhit për mbetjet e toksike: Nga verifikimet nuk konsiderohen të rrezikshme! Goja e politikës ka ngritur akuza ndërkohë që OLAF dhe Prokuroria po hetojnë

Sep 12, 2024 | 10:38
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi në lidhje me transportin e mbetjeve toksike drejt vendeve të Azisë.

Sipas Ramës kjo është një telenovelë politike, ndërsa teksa iu referua disa të dhënave dhe dokumentacioneve tha se nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme.

Kryeministri u shpreh se duhet të lihet Prokuroria dhe OLAF që të bëjnë hetimet për këtë rast. “Nga verifikimet e proceseve logjistike, të këtyre dy ngarkesave si dhe të ngarkesave të ngjashme në të kaluarën, mallra me klasifikim të tillë nuk konsiderohen si mbetje të rrezikshme as në katalogët evropiane mbi të cilat bazohet dhe procedura mjedisore dhe doganore në vendin tonë”, tha Rama..

“Jam këtu sot për t’ju përgjigjur kërkesës për interpelancë në shfrytëzim abuziv të rregullores dhe të misionit të deputetit, pas një serie fletë-rrufesh dhe shkrepjesh në ajër të akuzave e fantazive malinje për të vazhduar helmimin e shqiptarëve përmes kanalizimeve të panumërta të botës digjitale. E tillë është edhe kërkesa për këtë interpelancë.

Burimi i kësaj tjetër telenovele politike të fundverës,  që u shfaq paralelisht me atë të ngjarjes së Pogradecit, ku një i vrarë u bë mish i grirë  për gojën e pangishme të politikës së urrejtjes dhe organizmin ripërtypës të tellallëve të saj, ishte një sinjalizim nga jashtë për një transport mbetjesh të rrezikshme nga Shqipëria drejt Azisë.

Vetë organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, të cilës i referohet edhe teksti i vajtueshëm i kërkesës për interpelancë shprehet se ka dyshime për mundësinë, që një sasi mallrash të nxjerra nga procesi i përpunimit industrial në Shqipëri, për t’u transportuar drejt vendeve të Azisë,  janë mbetje të rrezikshme.

Pra dyshime! Asgjë e vërtetuar, asnjë certifikatë analizash, asnjë provë e faktuar ende, po deri më tani vetëm dyshime. Sidoqoftë, qysh në çastin e sinjalizimit, agjencitë ligjzbatuese, i kanë konsideruar këto dyshime, jo vetëm me vëmendjen e duhur, por edhe me vullnetin për të hetuar në bashkëpunim me organet e specializuara europiane.

E ndërkohë që prokuroria shqiptare dhe Agjencia Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF vazhdojnë hetojnë, goja e pangishme e politikës së urrejtjes ka ngritur akuzat dhe ka caktuar fajtorët. Si gjithnjë akuzat janë ekstreme dhe fajtorët janë kriminelët e regjimit imagjinar me mua në krye,  që me këtë rast, jam vënë nën akuzën numër 1.315; duke llogaritur se qyshse ajo gojë shumëtellallëshe merret me mua nga dita që hyra në politikë, më është bërë si rregull një akuzë në javë.

Unë kam kohë që nuk merrem si më parë me akuzat e me tellallët e panumërt të gojës së hapur së fundmi edhe në formën e një shtatëpenxhereje në katin e tetë.

E kam bërë në gjuhë të huaja, së fundmi kur mbetjet toksike të gojës septike janë eksportuar jashtë,

siç ndodhi me programin skifoz të RAI 3-shit e jo vetëm, ku unë nuk dola për të mbrojtur veten në Itali, po për të mbrojtur shqiptarët e Italisë dhe dinjitetin e Shqipërisë nga helmi i asaj goje.  Mjaftohem hera-herës me paditë në gjykatë, ku deri tani goja shtatëpenxherëshe megjithë ca tellallë të zellshëm të saj, janë shpallur shpifës me vendim të formës së prerë dhe gjyqet vazhdojnë.

Por duke qenë se këtu në këtë rast luhet, jo me mua, po me nervat e me ndjeshmërinë njerëzore të shqiptarëve, të cilëve tani po u flitet për Shqipërinë si një gropë mbetjesh të rrezikshme nga ku po dëmtohet edhe shëndeti i Kinës, kam detyrimin që të sjell për publikun disa fakte të thjeshta pastaj sigurisht vetëm hetimi në vazhdim mund të japë një përgjigje konkrete përfundimtare për këto dy rastet të përfolura.

E njëjta gjë vlen dhe nga pikëpamja e legjislacionit portual dhe të transportit detar: këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimet e parashikuara në Kodin Ndërkombëtar Detar për Mallrat e Rrezikshme prandaj normal si gjithmonë edhe aludimi për mosveprim të administratës portuale apo asaj detare, në rastin më të mirë është alogjik dhe në rastin më të keq siç është dhe ky rast kemi të bëjmë me një aludim psikopatologjik, i artikuluar fatkeqësisht, jo nga institucionet apo organizatat ndërkombëtare, por nga të njëjtat burime ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike.”, u shpreh kryeministri Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura