Ten Hag, tifoz: Nuk dua që ta lëndoj Tuenten, do të preferoja rival tjetër

Sep 25, 2024 | 12:20
SHPËRNDAJE

Trajneri i Mançester Junajtid, Erik ten Hag, ka pranuar se nuk e pret me padurim përballjen me Tuenten në Ligën e Europës, përkundrazi do të kishte preferuar të luante përballë dikujt tjetër.

Erik-ten-Hag-Man-Utd

“Djajtë e Kuq” do të presin skuadrën e Eredivisie sonte mbrëma për të nisur fushatën e tyre europiane, duke u kualifikuar në turneun e nivelit të dytë pas suksesit në “Kupën FA” në maj. Ten Hag, megjithatë, nuk është aq i emocionuar për këtë ndeshje të parë pasi u shortua për t’u përballur me Tuenten. Holandezi u rrit si një tifoz i Tuentes dhe shijoi tri aventura si lojtar atje, duke e nisur dhe përfunduar karrierën e tij në “De Grolsch Veste”. Ai gjithashtu kaloi kohë duke stërvitur ekipet e të rinjve të klubit përpara se të bëhej trajner.

“Tuente është skuadra që ndjek më shumë”, u tha ai gazetarëve përpara ndeshjes. “I shikoj si tifoz, si mbështetës, jo si analist. Është një mënyrë tjetër për të parë ndeshjet e tyre. Unë do të kisha preferuar të luaja kundër dikujt tjetër. Nuk është mirë të lëndosh diçka që e do. Tuente më solli shumë, unë u futa në akademinë e tyre, kështu që për mua ka një histori të madhe”.

KALENDARI – Ten Hag dha gjithashtu vlerësimin e tij për formatin e ri të Ligës së Europës, i cili do të shohë 36 ekipe të luajnë tetë kundërshtarë të ndryshëm në një format lige, në krahasim me formatin e mëparshëm të tetë grupeve, të përbëra nga katër ekipe secila.

“Ka shumë ndeshje, shumë gara, është e qartë”, vazhdoi ai. “Lojtarët janë të mbingarkuar, kjo nuk është e mirë për futbollin. Ndoshta është e mirë për reklamat. Si një klub i vetëm ne nuk mund ta ndryshojmë këtë. Ka të bëjë me klubet, lojtarët dhe trajnerët. Ne duhet të punojmë në këtë për të përmirësuar lojën dhe për të gjetur ekuilibrin e duhur. Ne jemi profesionistë dhe të ardhurat duhet të vijnë, por duhet t’i balancojmë”.

Pas ndeshjes së Ligës së Europës Junajtid do të kthehet në Premier Ligë me ndeshjen kundër Totenhemit në shtëpi të dielën.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura