Kreu i PD-së Sali Berisha ka reaguar në lidhje me hyrjen e ish-ministrit Ilir Beqaj, në mbledhjen e Komisionit Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, gjatë orëve të vona të natës.
Sipas Berishës, Beqaj hyri në mënyrë të paautorizuar në sallën ku po zhvillohej komisioni dhe kërcënoi deputetët e opozitës.
“Miq, sipas një skenari banditesk të Edi Ramës, hajduti Beqja futet brutalisht paautorizuar në sallën e komisionit hetimor për vjedhjen e dytë të shekullit, i lejuar nga policia e burgjeve dhe garda, shan dhe kërcënon si bandid deputetët e opozitës me shpresë se ata do iknin dhe ai do pyetej vetëm nga bashkëhajdutët e tij rilindas. Por skenari i hajdutëve dymetrosh dështoi. Komisioni vazhdoi punimet dhe hajdutët dolën lakuriq para shqiptarëve. #sb”, shkruan Berisha në Facebook.
Pjesë nga debati:
Ina Zhupa: T’i jepet leja zotit Beqaj të kthehet në qeli, atje ku e ka vendin. Kryesia e këtij Komisioni të shqyrtojë mundësinë e pyetjes dhe lejes për datën 14 për Beqajn, si edhe dy dëshmitarët e tjerë Rama dhe Nushi. Për Beqajn për leje, se këto dy të tjerët s’ka nevojë se janë të lirë ende. Shpresoj të jenë sa më shpejt njerëz nëpër burgje. Beqaj të shkojë ku ka vendin. Nëse këta duan të bëjnë show dhe t’i japin një natë liri zotit Beqaj, më vjen shumë keq. Ju lutem që nëpërmjet sekretarisë. Sot është data 14 dhe lejen e kemi marrë për datën 13
(Ilir Beqaj hyn në sallë së bashku me avokatin dhe u drejtohet anëtarëve të komisionit të opozitës)
Albana Vokshi: Kush je ti që hyn këtu, dil përjashta. Grada Policia urgjent të kthejë Ilir Beqajn në qelinë e burgut tani. Dhe guxon të hyjë në atë mënyrë në sallë, urgjent tani, ta fusin në furgon dhe ta kthejnë
Ina Zhupa: Vjen këtu dhe kërcënon deputetët. Na kërcënon neve se çfarë do të themi
Albana Vokshi: Jo me vendim Komisioni, tani shkoni thuaji. E kam liruar që në orën 12 dhe e kemi mbajtur peng aty.
Guxon ai dhe vjen e kërcënon, si nuk flisni asnjëri prej jush.
Edmond Spaho: Ndërprisni mbledhjen, policia ta marrë urgjent. Të kërkohet masë edhe avokatin, gangster, që hyri këtu si trim.
Kujtojmë se Beqaj nuk arriti të dëshmonte as ditën e djeshme, duke bërë që mbledhja e komisionit hetimor për Sterilizimin dhe Check Up të dështonte sërish.
Dy ditët e fundit, 12 dhe 13 nëntor, janë zhvilluar mbledhje maratonë të tij komisioni dhe debatet mes palëve kanë pamundësuar dëshminë e Beqajt.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al