Grupi militant Hezbollah ka lëshuar më shumë se 100 raketa drejt Izraelit verior. Disa nga raketat ranë pranë qytetit Haifa. Ushtria izraelite tha se raketat ishin hedhur “në drejtim të zonave civile”. Nga ana tjetër Izraeli ndërmori qindra sulme ndaj objektivave të militantëve të Hebollahut. Një person u vra dhe një tjetër u plagos në Libanin jugor. Të paktën katër persona u plagosën nga raketat që ranë në Izrael.
Grupi militant Hezbollah ka lëshuar më shumë se 100 raketa drejt Izraelit verior. Ndryshe nga herët e tjera sulmet e fundit nga grupi militant kanë goditur thellë në veri të Izraelit si dhe objektiva civile, shumica pranë qytetit Haifa.
Breshëria e raketave ishte në përgjigje të sulmeve izraelite në Liban që kanë vrarë dhjetëra vetë, përfshirë dy komandantë të lartë të Hezbollahut si dhe pas një sulmi të paprecedentë ndaj pajisjeve të komunikimit të grupit.
Ushtria izraelite tha se kreu një valë sulmesh në të gjithë Libanin jugor gjatë 24 orëve të fundit, duke goditur rreth 400 objekte të militantëve, duke përfshirë raketahedhës.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli e ka goditur Hezbollahun në mënyra që nuk e kishte imagjinuar kurrë.
“Në ditët e fundit ne i kemi shkaktuar një sërë goditjesh Hezbollahut që nuk i imagjinonte kurrë. Nëse Hezbollahu nuk e ka kuptuar mesazhin, ju premtoj, do ta kuptojë mesazhin”, tha ai.
Një drejtues i grupit militant Hezbollah, Hassan Fadlallah duke folur në një funeral për një anëtar të grupit militanant tha se lufta kishte hyrë në një “fazë të re” dhe se grupi militant do të vazhdojë sulmet e tij derisa të ketë një armëpushim në Gazë.
Hezbollahu tha se kishte lëshuar dhjetëra raketa Fadi 1 dhe Fadi 2, një lloj i ri arme që grupi nuk e kishte përdorur më parë. Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet se situata mund të shkojë drejt një lufte gjithëpërfshirëse pas muajsh të përshkallëzimit të tensioneve.
Koordinatorja speciale e OKB-së në Liban, Jeanine Hennis-Plasscharet u bëri thirrje të gjitha palëve të tërhiqen dhe tha se rajoni është në prag të një katastrofe.
Në një zhvillim të veçantë, forcat izraelite bastisën zyrën e Al-Jazeeras në Bregun Perëndimor, të cilën e kishte ndaluar në fillim të këtij viti, duke e akuzuar atë se shërbente si zëdhënës për grupet militante, akuza të mohuara nga transmetuesi.
Izraeli kërkon që Hezbollahu të ndalojë zjarrin dhe të tërheqë forcat nga rajoni kufitar, duke iu përmbajtur një rezolute të OKB-së të nënshkruar me Izraelin në vitin 2006, pavarësisht nga çdo marrëveshje për Gazën.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë lënë shtëpitë e tyre në të dy anët e kufirit Izrael-Liban që kur Hezbollahu filloi të sulmonte me raketa Izraelin në tetor në shenjë mbështetje ndaj palestinezëve në Gaza.
Konflikti në Gazë u shkaktua më 7 tetor kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.
Sulmet e Izraelit në këtë territor kanë vrarë më shumë se 41 mijë palestinezë, sipas ministrisë lokale të shëndetësisë të drejtuar nga grupi militant Hamas, duke e zhytur Gazën në një krizë humanitare dhe duke zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.3 milionë banorësh./VOA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al