Tensionet në Lindjen e Mesme, Giorgia Meloni planifikon një vizitë në Liban! Kryeministrja e Italisë kërkon garanci sigurie për trupat paqeruajtëse të OKB-së

Oct 15, 2024 | 16:58
SHPËRNDAJE

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se ka në plan të vizitojë Libanin dhe ka kërkuar garanci sigurie për trupat e vendit të saj atje, pas një sërë sulmesh nga Izraeli ndaj paqeruajtësve të OKB-së.

meloni

“Tashmë është planifikuar që unë të shkoj në Liban”, i tha ajo senatit italian, por pa dhënë një datë.

Pesë paqeruajtës janë plagosur nga sulmet që kur Izraeli filloi një fushatë tokësore kundër Hezbollahut, për shumicën e të cilave u fajësuan forcat izraelite.

Italia ka 1000 trupa të dislokuara në misionin e OKB-së, të njohur si Unifil, dhe në një mision të veçantë të njohur si Mibil, i cili trajnon forcat e armatosura lokale, duke e bërë atë kontribuesin e dytë më të madh pas Indonezisë.

“Ne besojmë se qëndrimi i forcave izraelite është krejtësisht i pajustifikuar,” i tha Meloni senatit, duke e përshkruar atë si një shkelje të hapur të një rezolute të OKB-së për përfundimin e armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit.

Meloni tha se veprimet e Izraelit nuk ishin të pranueshme dhe se ajo ia kishte shprehur këtë qëndrim homologut të saj izraelit, Benjamin Netanyahu, në një telefonatë. Meloni është konsideruar si një nga aleatët më të fortë të Izraelit në Evropë, së bashku me Gjermaninë, megjithëse ajo ka bërë vazhdimisht thirrje që Izraeli të respektojë ligjin humanitar.

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe lëshuan gjithashtu një deklaratë të përbashkët të hënën duke bërë thirrje që të respektohet roli i paqeruajtësve të OKB-së. Duke kujtuar se çdo sulm i qëllimshëm kundër paqeruajtësve ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ata i bënë thirrje Izraelit dhe të gjitha palëve, të respektojnë detyrimin e tyre për të garantuar në çdo kohë sigurinë e personelit të Unifil dhe për të lejuar këtë të fundit të vazhdojë të kryejë mandatin e saj.

Dy sektorët që përbëjnë misionin e OKB-së, sektori perëndimor dhe sektori lindor, udhëhiqen respektivisht nga Italia dhe Spanja. Kontribuesit më të mëdhenj jo-BE janë Indonezia, India, Gana dhe Malajzia. Irlanda ka 370 trupa.

Çdo vend kontribues mund të vendosë të tërheqë trupat, por në mungesë të përforcimit një veprim i tillë mund të çojë në një rivlerësim të aftësisë së misionit për t’u vendosur, një zhvillim që do të ishte një goditje tjetër për autoritetin e dëmtuar të OKB-së.

Misioni, i themeluar në 1978, mbeti në vend përmes pushtimeve izraelite në 1982 dhe 2006 dhe nuk është e qartë se çfarë garancie sigurie mund të nxjerrë Meloni nga izraelitët, shkruan The Guardian.

Neytanyahu i kërkoi të dielën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, të largojë të gjitha forcat e tij paqeruajtëse nga bastionet e Hezbollahut dhe nga zonat e luftimit, një tërheqje që do t’i kërkonte forcës prej 10,000 trupash të OKB-së të braktiste mandatin kompleks që i është dhënë nga këshilli i sigurisë që nga viti 2006 në rezolutën 1701 të OKB-së.

Ai pretendoi se forcat e OKB-së po e bënin veten peng të Hezbollahut dhe kështu e vinin veten në rrezik.

 “Izraeli nuk po lufton Unifil. Nuk po lufton popullin libanez. Ai po lufton Hezbollahun, një mbështetës i Iranit që po përdor territorin libanez për të sulmuar Izraelin’, tha Neytanyahu.

 

Unifil ka akuzuar forcat izraelite se dy herë hynë në një kazermë të OKB-së. Ka dyshime se Izraeli po përpiqet të ushtrojë presion ndaj forcës së OKB-së që të largohet nga zona në mënyrë që të mund të kryejë një sulm pa ndalim ndaj pozicioneve të Hezbollahut.

 

Netanyahu urdhëroi një operacion tokësor në Liban pas një fushate të intensifikuar ajrore izraelite pas bombardimeve nga Hezbollah që ka detyruar 70,000 izraelitë të largohen nga shtëpitë e tyre në veri të vendit. Izraeli argumenton se po përmbush disa nga kushtet e rezolutës së OKB-së që kërkonte çarmatimin e Hezbollahut dhe tërheqjen e tyre në veri të lumit Litani.

 

Kryetari i parlamentit libanez, Nabih Berri, ka shprehur mbështetjen e tij politike për komandantin e Unifil, gjeneralmajor Aroldo Lázaro, duke vlerësuar “qëndrimin e tij të mençur dhe të guximshëm” në ruajtjen e trupave të tij në Libanin jugor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura