Teqja lë Vlorën për Dinamon, edhe Kaloshi i ikur. Flamurtari pa portierë, lëvizja surprizë e Idrizit për trajnerin

Jun 21, 2024 | 12:09
SHPËRNDAJE

Flamurtari mund të marrë një vendim surprizë sa i përket timonierit të skuadrës së sezonit 2024-2025, edicion i cili pretendohet që të jetë i fundit për vlonjtatët në Kategorinë e Parë. Artim Pollozhani mund të “gradohet trajner i Flamurtarit. Ekipi është aktualisht pa trajner, por edhe pse ka disa pista që po diskutohen, nuk ka asgjë konkrete.

teqja me flamurtarin

“Panorama Sport” zbulon një prapaskenë të orëve të fundit. Në kampion vlonjat po diskutohet që Artim Pollozhani mund të marrë në dorë frenat e skuadrës si trajneri i ri. Me Jeton Beqirin nuk ka ende asgjë të re, edhe pse ka marrë një ofertë konkrete dhe ka takuar edhe drejtuesit e klubit, gjasat janë që të ketë një zgjidhje përfundimtare gjatë këtyre ditëve. Sinan Idrizi është duke e menduar me shumë seriozitet emërimin e Pollozhanit si trajner. Edhe pse erdhi në Vlorë si drejtues, duke mos dashur të nxitohen me emrin e trajnerin të ri dhe me Pollozhanin që e disponon licencën përkatëse, ai është duke u projektuar si “timonieri” i ri.

Sigurisht që qëndrojnë edhe disa pista të tjera, si Mladen Milinkoviç, Migen Memelli apo edhe Gugash Magani, por në kohë, kur gjërat po vonohen, mundet që Pollozhani të jetë trajneri i ri. Madje, ka qenë edhe vetë Sinan Idrizi që një gjë të tillë ia ka propozuar në një takim të fundit që kanë pasur së bashku. Duke qenë se Pollozhanit i është besuar merkatoja, nuk është aspak çudi që të jetë ai trajneri i ri. Megjithatë, ende nuk ka marrë fund asgjë, pasi çdo pistë e lakuar më herët mbetet e hapur.

Largohet portieri Teqja

Flamurtari është në kërkim të një portieri. Aldo Teqja nuk do të jetë më portier i vlonjatëve. 29-vjeçari nga Tirana ka vendosur që karrierën e tij ta zhvillojë në Kategorinë Superiore duke u larguar përfundimisht nga Kategoria e Parë. Teqja do të jetë pjesë e Dinamos dhe i ka ndarë rrugët me Flamurtarin. Me një eksperiencë të gjatë si portieri me ekipe si Kukësi, Skënderbeu, Bylis dhe Partizani, “gardiani” do të provojë tashmë një aventurë të re.

Burime pranë klubit vlonjat pohojnë për “Panorama Sport”, se portierit i përfundoi kontrata në fund të muajit maj dhe ishte lojtar i lirë. Sipas tyre, ka qenë një zgjedhje e tij për të vijuar karrierën diku tjetër. Nuk dihet se çfarë do të ndodh me portierin e dytë të Flamurtarit, Ariol Kaloshi. 24-vjeçari nga Lushnja është pjesë e kuqezinjve prej dy vitesh. Në edicionin 2022-2023 Kaloshi ka luajtur titullar te Flamurtari, ndërsa në sezonin e fundit ka qenë më shumë zëvendësues. Gjasat janë që edhe Kaloshi të mos qëndrojë në Vlorë për sezonin 2024-2025. Në këto kushte, Flamurtarit i duhet që merkaton tani ta vazhdojë nga përforcimi i katërkëndorit, ku nevojitet një portier titullar dhe një zëvendësues.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura