Tërmeti rrezikon 3 pallate në Cërrik, banorët në konvikt

May 20, 2014 | 12:50
SHPËRNDAJE

Nxënës në Belsh, në klasën e dëmtuar nga tërmeti
Dëmtohen shtëpi dhe shkolla në Belsh. Elbasani, më i prekuri.

Kalojnë natën jashtë. Specialistët: Goditja e dytë i zë brenda.

Tërmeti nxjerr nga shtëpitë banorët e qarkut të Elbasanit që përjetuan më rëndë lëkundjet e fuqishme të mëngjesit të së hënës.
Jo vetëm nga frika, por dhe nga dëmet që pësuan në shtëpitë e tyre, qindra banorë nga Belshi e Cërriku kanë kaluar orët e pastërmetit në oborre. Fatmirësisht nga tronditjet e fuqishme të tërmetit që arriti 7 ballë, (5.2 ballë të shkallës Rihter) me epiqendër 5 km nga lindja e Lushnjës, nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por dëme të shumta në shtëpi e shkolla. Fillimisht askush nuk ka parë se cilat ishin pasojat, pasi kanë dalë jashtë rreth orës 03:00 të mëngjesit nga frika se tërmeti i fuqishëm do të pasohej nga të tjerë. Në fakt, vetë sizmologët e pohuan se ka pasur dhe 7 lëkundje të tjera, por ato kanë qenë të lehta. Vetëm me zbardhjen e ditës banorët kanë konstatuar dëmet, duke kërkuar ndihmë nga pushtetarët

Shtëpi me tavan të plasaritur në Belsh
vendorë. Në Cërrik Situatë e rëndë është konstatuar në qytetin e Cërrikut, ku tri pallate kanë pësuar dëme të mëdha. Aty ka pasur krisje të mureve, rënie të suvasë etj. Pallatet 13, 16 dhe 86 në Cërrik, sipas emergjencave civile, janë të pabanueshme dhe një goditje e dytë tërmeti do të ishte fatale për jetën e banorëve. Prandaj ata janë këshilluar që të lënë banesat dhe të strehohen tek të afërm ose në konvikte. Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Cërrikut, Fatmir Uruçi, deklaron se të prekura janë mbi 50 familje, ndërkohë që situata konsiderohet emergjente. Tmerrin e përjetuar e tregojnë vetë banorët e këtyre tri pallateve duke u përballur me copat e suvave që u binin në kokë në momentin e lëkundjes së tërmetit. Mes frikës ata kanë tentuar të shqyejnë dyert e shtëpive të tyre për të dalë përjashta dhe pjesën tjetër të natës e kanë kaluar në rrugë. Ata shprehen se më mirë të flenë jashtë sesa të qëndrojnë në shtëpitë e tyre me frikën se një tjetër tërmet mund t’i zërë brenda. Kryebashkiaku Servet Duzha tha se po përgatiten konviktet për të strehuar banorët e prekur nga tërmeti. Sipas tij, aktualisht konviktet nuk kanë kushte të përshtatshme, por të paktën nuk rrezikohet jeta e qytetarëve. Dëmtohen shkollat në Belsh Dhjetëra shtëpi dhe shkolla e
Banorët e një prej pallateve të dëmtuar në Cërrik
Belshit kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga tërmeti i fuqishëm. Një nga banorët e Belshit rrëfen për panikun e shkaktuar në momentin që tentoi të nxjerrë jashtë bashkëshortin e saj të sëmurë. “Përjetuam një tmerr të vërtetë nga tronditja e fortë dhe nuk menduam për asgjë tjetër vetëm për të mbrojtur kokat tona”, tha ajo. Dëmtime nga lëkundjet e tërmetit kanë pësuar edhe disa shkolla, kati i tretë i shkollës 9-vjeçare të Belshit ka marrë çarje në të gjitha muret e klasave dhe korridoret. Drejtoria e shkollës pezulloi mësimin deri në verifikimin e situatës. Ilmi Gjoshi, drejtori i kësaj shkolle, pohon: “Pasi verifikuam se situata ishte normale, nisëm mësimin thuajse dy orë me vonesë dhe akomoduam nxënësit në dy katet e shkollës, kurse në katin e tretë ku dëmet ishin të konsiderueshme nuk u zhvillua mësim. Tashmë jemi në pritje që bashkia të bëjë të mundur rikonstruksionin e katit të tretë të shkollës”.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

Tërmeti, në Lushnjë shkëputen depozitat nga hekurat mbajtës
FIER – Tërmeti 7 ballë shkaktoi panik për mijëra banorë të Fierit e të Lushnjës. Rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, tronditjet kanë alarmuar qytetarët duke bërë që mjaft prej tyre ta gdhinin natën jashtë. Fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz, ndërsa dëmet materiale janë të shumta, sidomos në disa fshatra të Lushnjës. Sipas të dhënave, në fshatin Hysgjokaj rezulton të jenë plasaritur e dëmtuar 20 banesa. Nënkryetari i komunës Hysgjokaj u shpreh se ky fshat ka qenë më i prekuri nga tërmeti për shkak edhe se banesat janë të vjetra. “Ka pasur tronditje të fuqishme. Banorët janë të trembur dhe disa prej tyre e kanë kaluar natën jashtë. Fatmirësisht nuk ka shtëpi të rrëzuara dhe nuk ka njerëz të lënduar. Sipas një vlerësimi të parë, duket se dëmtimet nga tërmeti janë të një shkalle të mesme”, u shpreh Hyqmet Leka. Ndërkohë edhe Prefektura e Fierit është vënë në lëvizje për ngjarjen. Një grup me specialistë të emergjencave ka shkuar nëpër zona për të inspektuar dhe parë nga afër gjendjen. Sipas shefit të Emergjencave Civile në prefekturë, Viron Balla, situata është e qetë dhe nuk ka vend për panik. Ai theksoi se nuk ka pasur dëme të parikuperueshme. “Kemi shkuar në disa zona. Na ka rezultuar se në Hysgjokaj të Lushnjës ka pasur shtëpi të plasaritura. Nuk ka vend që banorët të tremben apo për të vijuar të qëndrojnë nën pushtetin e panikut, pasi rreziku kaloi. Shtëpitë e dëmtuara do të këqyren nga komuna dhe do të ndërhyhet në kohë për t’i ndihmuar familjet. Disa shtëpi kanë pësuar plasaritje të konsiderueshme”, u shpreh Balla. Ndërkaq, dëmtime të shuma nëpër banesa ka pasur edhe në zona të tjera të qarkut. Veç shtëpive, ka pasur plasaritje e shembje të lehta të suvatimit në shkolla. Gjithashtu, një fenomen tjetër i rrezikshëm ka qenë edhe shkëputja e depozitave të ujit në tarracat e pallateve. Nga tronditjet, ato janë shkëputur nga instalimet e pjesës së hekurt, duke rënë fatmirësisht po mbi tarracë. Përplasja me tarracën ka shkaktuar panik te banorët që jetojnë në katet e fundit, por edhe plasaritje e dëmtime të objekteve të tyre.         m.r

Sigurimi i shtëpive, AMF miratoi kushtet për kompanitë

Kryetarja e AMF, Enkeleda Shehi
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar kushtet e përgjithshme të sigurimit të banesës nga tërmeti për disa kompani sigurimesh që operojnë në treg. Kjo në fakt erdhi vetëm pak kohë pas sugjerimit që bëri Fondi Monetar Ndërkombëtar, që Shqipëria të marrë masa për sigurimin ndaj fatkeqësive natyrore, ose në të kundërt shteti do të ekspozohej ndaj risqeve financiare të mëdha. Miratimi i kushteve nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare u bë vetëm pak kohë pas bërjes publike të raportit të sistemin financiar shqiptar të publikuar nga FMN, ku jepte rekomandime për bankat dhe për një sërë tregjesh të tjera. Sipas të njëjtit raport, FMN theksonte se vetëm AMF kishte pranuar se një plan kombëtar sigurimi për banesat do të paraqitej në mënyrë që publiku të ndërgjegjësohej, kurse Fondi rekomandon që sigurimi të jetë i detyrueshëm. Ministria e Financave dhe AMF-ja nga ana e tyre në atë kohë kanë mbështetur këtë propozim duke e parë si të vlefshëm për të përballuar situata të jashtëzakonshme ndaj të cilave vendi ynë është i ekspozuar. Këto situata lidhen drejtpërdrejt me përmbytjet dhe tërmetet, dy fenomene që kanë qenë gjerësisht prezente në vendin tonë. Miratimi i kushteve nga ana e AMF-së është bërë për disa kompani sigurimi në vend, por ende është e paqartë si do të veprohet, pasi në raste të tilla sigurimi kërkohet që kompanitë të bashkohen në një të vetme për këtë lloj produkti. Kjo pasi risku ndaj të cilave janë të ekspozuara kompanitë nuk mund të përballohet veçmas. Por AMF nuk ka përcaktuar vetëm kushtet për sigurimin e banesës nga tërmetet. Së bashku me këtë në vendimet e miratuara pak kohë më parë vijnë edhe kushtet për sigurimin e pronës së biznesit nga tërmetet. Aktualisht bizneset janë më të ndërgjegjësuara për sigurimet nga zjarri apo fatkeqësitë, por sigurimi ndaj tërmeteve duket se do të jetë një tjetër opsion që i shtohet tregut dhe që do ta mbulojnë kompanitë. Mënyra se si do të zbatohet formula në treg nga ana e kompanive mbetet ende për t’u zbardhur në një kohë kur AMF po diskuton edhe ndryshime të rëndësishme ligjore që lidhen drejtpërdrejt me institucionin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura